Kryeministri Berisha mesazh urimi Presidentit të SHBA-ve, Obama - e fton për vizitë në Tiranë
234 vjetori i pavarësisë së SHBA
Me rastin e 4 korrikut, ditës së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeministri shqiptar Sali Berisha i është drejtuar me një mesazh urimi Presidentit Barack Obama. Berisha vlerëson marrëdhëniet mes dy vendeve, duke u ndaluar specifikisht në bashkëpunimin dy palësh dhe zgjerimin e tij edhe më tej.
“Në këtë ditë të shënuar për vendin dhe kombin Tuaj, ndihemi të lumtur që marrëdhëniet dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve e popujve tanë miq kanë njohur vetëm zhvillime pozitive dhe janë më të mira se kurrë. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarësimin në NATO përbën një demonstrim të shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit të ngushtë e të frytshëm ndërmjet të dyja vendeve”, shkruan Kryeministri Sali Berisha në mesazhin e tij të urimit.
Kreu i qeverisë shpreh urimet në emër të qeverisë dhe të të gjithë qytetarëve të vendit.
“Më lejoni t’ju siguroj për vendosmërinë e palëkundur dhe për vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare, për të zhvilluar më tej këtë bashkëpunim e partneritet në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si dhe në të mirë të paqes, të stabilitetit e të përparimit kudo në botë. Po ashtu, gjej rastin të ripohoj vendosmërinë e palëkundshme të Shqipërisë për të vazhduar të kontribuojë në luftën globale kundër terrorizmit”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Berisha
Kreu i qeverisë shpreh dhe mirënjohjen për ndihmën e asistencën e vazhdueshme e të gjithanshme të SHBA-ve.
Nga ana tjetër Berisha garanton dhe vijimin e reformave.
“Shqipëria do të vazhdojë më tej me vendosmëri në realizimin e reformave të ndërmarra dhe në përmbushjen e objektivave madhore kombëtare të integrimit të plotë euroatlantik, si dhe për konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë e të ekonomisë së tregut dhe për përparimin e vendit tim”, thuhet në mesazh.
Një vend të rëndësishëm në mesazh, Kryeministri Berisha i kushton dhe situatës në rajon, ku vlerëson rolin e Shqipërisë dhe Kosovës.
“Në aspektin rajonal, Shqipëria do të vazhdojë të rrezatojë stabilitet e modernizim dhe të promovojë bashkëpunimin e miqësinë, duke kontribuar aktivisht në integrimin sa më të shpejtë të rajonit ballkanik në strukturat euroatlantike. Duke vlerësuar rolin dhe kontributin e rëndësishëm e udhëheqës të SHBA-ve për paqen e stabilitetin në rajonin tonë, veçanërisht për njohjen e fuqizimin e shtetit më të ri në rajon, atë të Kosovës, më lejoni t’ju siguroj se vendi im do të mbetet një partner i vendosur dhe konstruktiv, në këtë drejtim”, vijon mesazhi i Kryeministrit.
Në urimin e tij, kryeministri Sali Berisha shpreh dëshirën për të pritur në Tiranë, Presidentin e SHBA-ve, Barak Obama.
“Duke ju përsëritur edhe një herë urimet më të ngrohta, gjej rastin t’ju ripohoj dëshirën time dhe të të gjithë shqiptarëve për t’ju pritur në Tiranë si mik i madh dhe i shquar i kombit shqiptar”, thuhet më tej në mesazhin e Kryeministrit Sali Berisha.