Lajmi/Rritja e pagave dhe e pensioneve e tejkalon 5 herë normën e inflacionit

Qeveria vendosi dje zyrtarisht rritjen e pagave dhe pensioneve
Kryeministri Berisha u shpreh se vendimi gjithashtu është një hap tjetër i rëndësishëm në fytyrën njerëzorë të kësaj qeverie, në kuptimin që ngushton më tej diferencat midis rrogave të mesme të punonjësve, me rrogat më të larta të vendit, raport që e gjetëm 1 me 11 në 2005 dhe që zbret tek 1 me 5 dhe kjo përbën një arritje shumë të madhe
Këshilli i Ministrave mori dje zyrtarisht vendimin që prek 820 mijë familje shqiptare, konkretisht atë të rritjes së rrogave dhe pensioneve, rritje kjo e mundësuar nga të ardhurat e institucioneve përkatëse të vendit.
Kreu i ekzekutivit Sali Berisha përjashtoi kategorikisht marrjen qoftë dhe të një qindarke borxh për rritjen e pagave dhe pensioneve, ndërsa theksoi se ky vendim i qeverisë bën të mundur reduktimin e diferencave mes rrogave të mesme dhe atyre të larta. “Vendimi i rritjes së pagave dhe pensioneve është më reali po të kemi parasysh normat më minimale të inflacionit në vitin 2012. Rritja e pagave dhe pensioneve tejkalon me 3 deri në 5 herë indeksimin apo inflacionin e këtij viti. Vendimi gjithashtu është një hap tjetër i rëndësishëm në fytyrën njerëzorë të kësaj qeverie, në kuptimin që ngushton më tej diferencat midis rrogave të mesme të punonjësve, me rrogat më të larta të vendit, raport që e gjetëm 1 me 11 në 2005 dhe që zbret tek 1 me 5 dhe kjo përbën një arritje shumë të madhe. Në një administratë publike, në një sektor publik nuk mund të ketë diferencat që ne gjetëm në piramidën e pagave, diferenca këto çnjerëzore. Sepse nuk duhet të ushqehen dhe të vishen vetëm fëmijët e kryeministrit dhe të ministrave apo të deputetëve, por dhe fëmijët e pastruesve, të punonjësve të thjeshtë, ndaj edhe ka qenë një qëndrim absolutisht madhor i kryeministrit dhe i kësaj qeverie e mazhorance që të ngushtojë këtë raport.
Dhe ne ia dolëm sepse sot rroga mesatare, e cila në vitin 2005 ishte 273 mijë lekë, në vitin 2012 me rritjen që ne i bëjmë bëhet 513 mijë lekë. Ia dolëm sepse ne qëndruam premtimeve tona, por mbi të gjitha ia dolëm sepse modeli ynë ekonomik funksionoi sepse reformat tona ekonomike bënë që kjo ekonomi e një vendi të vogël të rezistojë më mirë se të gjitha ekonomitë e tjera; bënë që kjo ekonomi në kulmin e krizës, në vitet 2009-2011 të dyfishojë eksportet; bënë që kjo ekonomi në kulmin e krizës të marrë investime të huaja 316 për qind më shumë se më parë; bënë që kjo ekonomi në kulmin e krizës në mënyrë të ndjeshme të rritë të ardhurat e saj; bënë që kjo ekonomi në kulmin e krizës evropiane të mbështesë projekte më ambicioze në mbarë vendin, duke mbajtur borxhin në shifra të njëjta. Meqë jam tek borxhi, këtyre që iu bien sirenave, u them pa shikoni pak borxhin e vendeve përreth. Në se në Shqipëri nga 2008 e deri më sot, borxhi ka mbetur në vend numëro dhe ka lëvizur me + apo – 2 për qind, në vendet përreth borxhi është dyfishuar. Në rast se ka qenë 20 është bërë 54 , në rast se ka qenë 15 është bërë 40 dhe kështu me radhë”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se kjo qeveri ka dëshmuar ndjeshmërinë maksimale ndaj halleve dhe derteve, problemeve të 820 mijë familjeve shqiptare.
“Janë rritur disa herë fondet për pensionet, fondet për rimbursimin e ilaçeve, fondet për ndihmën ekonomike. E theksoj se ekonomia shqiptare nuk është pa vështirësi, ajo përballet me vështirësi serioze. Mjafton të kujtoj ju, tremujorin e parë të këtij viti, kur dy të tretat e vendit për një kohë të gjatë mbeten tërësisht të paralizuara nga një dimër nga më të egrit këto 27 vitet e fundit. Ose tu rikujtoj ju këtu se prodhimi i energjisë ujore nga marsi i vitit 2011, në marsin e vitit 2012 shënoi një rekord të ulët katastrofal të paparë ndonjëherë me një prodhim prej 3,1 miliard kilovat/orë nga 7,2 miliard kilovat/orë që ishte prodhimi më parë, çka imponoi importe të mëdha energjie dhe bërë të mundur që në asnjë vend dhe asnjë zonë, përveç rasteve të defekteve teknike, energjia të mos ndërpritet në asnjë zonë të vendit. Natyrisht, ai tremujor pati ndikimin e tij të fuqishëm në ingranazhet dhe mekanizmat e ekonomisë shqiptare, pasoja të cilat u zhdukën dalëngadalë në të dytin dhe tërësisht tek i treti dhe i katërti. Pikërisht kjo situatë e përmirësuar bëri të mundur këtë vendim për rritjen e rrogave dhe pensioneve”, tha ai.
Ndërkohë që nuk mund të mos evidentohej në këtë ligjërate dhe arsyet që sollën rritjen e pagave dhe pensioneve.
“Kjo ekonomi ia doli në kulmin e krizës së kontinentit të ketë një rritje ekonomike 4 vitet e fundit, 4 herë më të madhe se mesatarja e vendeve të rajonit, jashtë çdo lloj dyshimi, që pasojat e krizës kanë ndikuar qartësisht mbi të, jashtë çdo lloj ndikimi që euro me luhatjet e saj, situata sociale, punësimi i emigrantëve tanë në Itali dhe në Greqi, situata e tregjeve në këto ende për shkak të krizës që përjetoi, pra që të gjitha këto ndikojnë në ekonominë shqiptare, por këto kanë bërë që kjo të mos ketë një rritje prej 8, 10 apo 12 për qind, por kanë bërë nga ana tjetër që me gjithë ndikimin, ekonomia shqiptare të mos zhytet në recension. Këto reforma kanë bërë të mundur që Shqipëria të ndjekë, të zbatojë, të mbajë premtimet e kësaj mazhorancë, kanë bërë të mundur që Shqipëria të ketë ritmet e ndryshimit më të mëdha se ndonjë vend tjetër. Ndaj dhe është një moment vlerësimi për të gjithë ata punonjës që me përkushtim të madh në sistemin e tatimeve dhe të doganave, në të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit, në të gjitha agjencitë e reformave, ministritë e angazhuara në reforma, të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time se kjo rritje në kohë krize të madhe në kontinent , në një kohë kur ulen jo me 20 , por me 40 % rroga e pensione, si dhe ndihma ekonomike, na bën të mundur ne të rrisim rrogat, të rrisim pensionet, të rrisim ndihmën ekonomike”, theksoi kryeministri Berisha.
Rritja e pagës mesatare
- Paga mesatare në nivel vendi, të rritej nga 273 mijë në 513 mijë lekë
-Paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm të rritet nga 268 mijë lekë që ka qenë në vitin 2005, në 594 mijë lekë me shtesën që bëhet këtë vit, apo 2,2 herë krahasuar me vitin 2005.
- Paga mesatare e arsimtarit, në arsimin 9-vjeçar rritet nga 227 mijë lekë që ka qenë në 2005, në 567 mijë lekë ose 2,2 herë krahasuar me vitin 2005.
- Paga mesatare e mjekut në vitin 2005, ishte gjithsej 226 mijë lekë, ndërsa në korrik të viti 2012, kjo pagë bëhet 557 mijë lekë apo rritet 2,5 herë.
- Paga mesatare e infermierëve në vitin 2005 ishte 150 mijë lekë, ndërsa në korrik të këtij viti kjo pagë do të jetë 367 mijë lekë, me një rritje pra 2,4 herë krahasuar me vitin 2005.