Kryeministri Berisha takon Ministrin e Jashtëm të Italisë Franco Frattini dhe Ministrin e Jashtëm të Greqisë Stavros Lambrinidis
Kryeministri Berisha u takua sot me Ministrin e Jashtëm të Italisë zotin Franco Frattini dhe Ministrin e Jashtëm të Greqisë zotin Stavros Lambrinidis.
Kryeministri Berisha u uroi mirëseardhjen të dy ministrave dhe e konsideroi vizitën e tyre si një moment të rëndësishëm për vendin dhe prespektivën e tij evropiane. Kryeministri gjithashtu shprehu falenderimet për të dy vendet mike dhe qeveritë e tyre, për ndihmën e dhënë për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri dhe në proceset integruese si antarësimi në NATO, heqja e regjimit të vizave dhe procesi i integrimit në BE.
Të dy ministrat shprehën kënaqësinë për vizitën dhe e siguruan Kryeministrin se të dy vendet që ata përfaqësojnë, Italia dhe Greqia, janë jo vetëm fqinjë të mirë por dhe miq dhe aleatë të mëdhenj të Shqipërise, në procesin e integrimit evropian. Ata theksuan se vizita e tyre vjen në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit të Shqipërisë dhe synon të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha vlerësoi se kjo vizitë është një ndihmë e madhe dhe i siguroi të dy ministrat se projekti i integrimit evropian ka qenë, është dhe do të jetë, projekti më madhor për shqiptarët dhe e tërë puna e qeverisë dhe e institucioneve shqiptare është e fokusuar në realizimin e këtij projekti dhe në plotësimin e 12 prioriteteve të përcaktuara në Opinionin e Komisionit Evropian. Duke theksuar se 12 prioritetet e përcaktuara në Opinion përbëjnë axhendën e punës së qeverisë shqiptare, Kryeministri i njohu të dy ministrat me punën dhe arritjet e qeverisë në zbatim të këtyre prioriteteve, si dhe në përmbushjen e një sërë reformash të tjera me rëndësi në funksion të këtij procesi.
Kryeministri shprehu vullnetin e plotë të qeverisë dhe të mazhorancës së drejtuar prej tij për të bashkëpunuar me opozitën në përmbushjen me konsensus të të gjitha prioriteteve, si dhe për të votuar bashkërisht të gjitha ligjet apo vendimet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Kryeministri theksoi se bashkëpunimi dhe jo bllokimi, janë mënyra më e mirë për çuarjen përpara të interesave të vendit dhe integrimin e tij në BE. Ai mirëpriti kthimin e opozitës në Parlament, duke shprehur dëshirën që kjo të shënojë rikthimin e dialogut politik brenda këtij institucioni.
Të dy ministrat, pasi e falenderuan Kryeministrin për vullnetin e qartë në drejtim të integrimit në BE, shprehën besimin se institucionet dhe aktorët politik shqiptarë, në mazhorancë dhe opozitë, do të konkretizojnë në kohë hapat konkretë të nevojshëm, në funksion të integrimit evropian.
Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen për mbështetjen për bashkëpunimin në organizimin e seminarit e përbashkët të organizuar në bashkëpunim me Komisionin Evropian si një kontribut shumë i rëndësishëm dhe i frutshëm. Ai gjithashtu shprehu falenderimet për qeveritë e të dy vendeve për ndihmën e cmuar të dhënë në përballimin e situatës të vështirë të krijuar nga zjarret në Shqipëri, ndihmë pa të cilën përballimi i kësaj situate do të kishte qënë i vështirë.
12/09/2011