Kryeministri Berisha në Gjirokastër: Ftoj emigrantët të kthehen në vendlindjen e tyre, për të ndërtuar Shqipërinë Evropiane
Kryeministri Berisha ishte sot pasdite në qytetin e Gjirokastrës , ku shprehu mbështetjen e tij për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” si kryetar bashkie zotin Genci Sinojmeri.
Kryeministri ju kërkoi të gjithë qytetarëve të Gjirokastrës që të votojnë Genci Sinojmerin, intelektualin, birin e tyre si alternativa më e mirë për të bërë realitet projektet për ndryshimin e qytetit të tyre.
Kryeministri theksoi se gjatë këtyre viteve mazhoranca qeverisëse ka investuar në qytetin e Gjirokastrës 30 herë më shumë sesa qeveritë e mëparshme.
Kryeministri Berisha tha se në Gjirokastër janë investuar mbi 60 milionë dollarë. "Sot jam këtu, për tu zotuar para jush, se katër vitet që vijnë, shumë herë më tepër do të investojmë në rrugët dhe rrugicat, ujësjellësit dhe kanalizimet, shkollat dhe kopshtet, sokaqet dhe ndërtesat monumentet historike, kalanë, kishat, xhaminë, trashëgiminë kulturore të saj. Katër vitet që vijnë, do të bëjmë gjithçka që Gjirokastra të gërshetojë në mënyrën më të shkëlqyer modernen me trashëgiminë e saj botërore kulturore. Do të restaurojmë të gjitha banesat monument kulture të saj, do të restaurojmë teatrin dhe të gjitha mjediset sportive të saj" përfundoi ai.
Nga Gjirokastra,Kryeministri Berisha ju dërgoi një përshëndetje vëllazërore të gjithë emigrantëve shqiptarë, duke shprehur një mirënjohje të thellë për kontributin e tyre të madh, dhe ju bëri një ftesë miqësore, duke u kërkuar atyre të kthehen në Shqipëri për të ndërtuar Gjirokastrën Europiane, Shqipërinë Europiane”.
Gjithashtu një përshëndetje vëllazërore, Kryeministri ju ka përcjellë, të gjitha komuniteteve etnike grek, arumun, etj, që jetojnë në Gjirokastër . "Më lejoni tha kryeministri, të shpreh admirimin tim më të madh, nderimin tim për kontributin e tyre, por të shpreh dhe krenarinë time, për ju, gjirokastritët dhe gjirokastritet që i jepni, shqiptarëve , Evropianëve, mbarë njerëzimit leksionin më të çmuar të respektimit të njëri- tjetri , të vlerësimit të njëri- tjetrit , të bashkëjetesës me njeri- tjetrin”.
Gjatë fjalës së tij kryeministri u shpreh:
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Gjirokastrës
Vëllezër dhe motra
Të nderuar zotërinj ministra, qeveritarë vendorë
I dashur zoti Genci Sinojmeri, kryetar i ardhshëm i bashkisë së Gjirokastrës
Së pari, ju përshëndes vëllazërish dhe me shumë mirënjohje për këtë pritje të shkëlqye, kam nder të madh të paraqes sot para jush kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, kandidatin e aleancës më të fuqishme që Shqipëria ka njohur në tërë historinë e pluralizmit, zotin Genci Sinojmeri, intelektualin, birin tuaj të shquar dhe t’ju jap ju fjalën, se katër vitet që vijnë, fitoren e 8 majit të kandidatit të “Aleancës për Qytetarin”, do ta shndërrojmë sëbashku në një mirësi , në një arritje, në një sukses personal, për çdo gjirokastrit dhe gjirokastrite, për çdo familje, për komunitetin dhe Gjirokastrën në tërësi.
Zonja dhe zotërinj.
Në këto vite mazhoranca që unë kryesoj ka investuar në qytetin dhe rrethin tuaj 30 herë më shumë sesa qeveritë e mëparshme në tetë vite. Në Gjirokastër, në rrugët e saj, në sokaqet, në monumentet e saj të kulturës, në kalanë, muzetë, sarajet, ujësjellësit, shkollat, kanalizimet, qendrat shëndetësore janë investuar mbi 60 milion dollarë.
Jam sot këtu, për tu zotuar para jush, se katër vitet që vijnë, shumë herë më tepër do të investojmë në rrugët dhe rrugicat, ujësjellësit dhe kanalizimet, shkollat dhe kopshtet, sokaqet dhe ndërtesat monumentet historike, kalanë, kishat, xhaminë, trashëgiminë kulturore të saj.
Katër vitet që vijnë, do të bëjmë gjithçka që Gjirokastra të gërshetojë në mënyrën më të shkëlqyer modernen me trashëgiminë e saj botërore kulturore. Do të restaurojmë të gjitha banesat monument kulture të saj, do të restaurojmë sokaqet dhe rrugët e saj, do të restaurojmë teatrin dhe të gjitha mjediset sportive të saj.
Gjirokastra me ne u shndërrua në trashëgimi të mbarë njerëzimit. Gjirokastra këto vite njeh vitet e turizmit më të madh. Gjirokastra njeh rimëkëmbjen e saj të plotë infrastrukturore. Jam këtu për tu zotuar, se shumë shpejt distanca me Tiranën do të jetë me pak se 2 orë dhe se drejtimet për në Tiranë do të kalojnë nga Tepelena në Levan, nga Tepelena në Berat.
Qytetarë dhe qytetare të Gjirokastrës.
Rruga jonë e lirisë nuk ka qenë një rrugë e thjeshtë, nuk ka qenë një rrugë e lehtë, as bulevard me lule. Ka qenë një rrugë me shumë djersë, me kallo, me lodhje, me mundime, me rrudha dhe pluhur në fytyrë, por me dinjitet, me faqe të bardhë, me vizion, me sukses të plotë.
Sot, ne mblidhemi këtu pasi Gjirokastrën dhe historinë e saj e kemi vendosur në kurorën e trashëgimisë botërore. Sot, ne mblidhemi këtu, si njerëzit e suksesit të vërtetë, si njerëz qe kemi realizuar në rrugën tonë të lirisë ëndrrat më të bukura më fisnike, Gjirokastrën në NATO, Shqipërinë në NATO, Gjirokastrën e sigurtë, Shqipërinë e sigurtë.
Ne burrat dhe gratë e djersës, punës, përkushtimit, sot lëvizim të lirë në mbarë Europën pa viza , ndërkohë që pak vite më parë ne ishim pothuajse komb i ndaluar.
Gjirokastrit dhe gjirokastrite.
Ne duhet të ndihemi krenarë me njëri- tjetrin, duhet ti falemi zotit dhe njëri-tjetrit, për punën e shkëlqyer që kemi bërë. Në këto vite, ne ia dolëm që ekonominë më të falimentuar të Europës ta nxjerrim në krye të rritjes ekonomike në Europë. Në këto vite, në kulmin e krizës ekonomike, ne ia dolëm të dyfishojmë çdo pension të ulët në Shqipëri. Të dyfishojmë rrogat e ulëta, të dyfishojmë rrogat e mesme. Ne ia dolëm vitin e kaluar të rrisim 62 % eksportet. Ekonomia shqiptare është një ekonomi vibrante, entuziaste, e sigurtë.
Ne ndihemi krenarë dhe të sigurtë me njeri- tjetrin, sepse vetëm fare pak vite më parë, vetëm 5-6 vite më parë, ne trashëgonim një infrastrukturë të botës së tretë, ndër më të prapambeturat. Gjithsej 2400 kilometra rrugë të ngushta të asfaltuara, kurse në 5 vite kemi asfaltuar 8 mijë kilometra rrugë.
Kemi asfaltuar 8 mijë kilometra rrugë, kemi ndërtuar korridoret më ekonomike, më të fuqishme të rajonit dhe po shkurtojmë nga çdo skaj i këtij vendi, 50 deri në 70% distancën me Tiranën. Vitet që vijnë do të jetë Gjirokastrën, fshatrat, komunat e saj, që të gjitha të asfaltuara, njëlloj si të gjitha fshatrat, komunat , qytet më të zhvilluara të Europës.
Qytetarë dhe qytetare të Gjirokastrës.
Ne jemi burrat dhe gratë e suksesit dhe të arritjeve të mëdha. Shqipërinë që vetëm 6 vjet më parë nuk e kujtonte kush në hartën e turizmit botëror, këtë vit Gjirokastrën dhe Shqipërinë e kemi të Bukurën e Dheut , destinacionin kryesor turistik të botës.
Ne sëbashku me përkushtim, me dashuri të madhe për fëmijët tanë, ia dolëm të ngremë arsimin dhe njëherë në Shqipëri në nivelet më të mira. Sot 91% e të gjithë vajzave dhe djemve tanë, që mbarojnë klasën e 9-të, ulen në bankat e gjimnazit, 70% e maturanteve tanë, ulen në auditorët e universiteteve, në çdo shkollë kudo ka internet dhe kabinete më moderne. Këto janë ndër treguesit më të lartë në Europë dhe në Botë. Ne do të vazhdojmë fuqishëm të mbështesim arsimin e fëmijëve tanë. Mësuesit e tyre shkollat e tyre.
Roma nuk u ndërtua për një ditë, por ju garantoj ju të dashur gjirokastrit dhe gjirokastrite, se askush nuk ka ndërtuar më shumë se ju, më shumë se shqiptarët në një kohë kaq të shkurtër.
Këtu nga Gjirokastra, dua t’ju jap një përshëndetje vëllazërore të gjithë emigrantëve shqiptarë, një mirënjohje të thellë për kontributin tyre të madh, një ftesë miqësore, mendoni të ktheheni në Shqipëri ta ndërtoni këtu Gjirokastrën Europiane, Shqipërinë Europiane.
Kjo është rruga jonë. Kjo është alternativa jonë. Kjo rrugë ka brenda rrugën e gjithsecilit, mundin, mendjen, përkushtimin e gjithsecilit prej jush dhe është ky përkushtim, ky mund, kjo djersë, bëri që Shqipëria në 20 vite, të ecë me shpejt se asnjë vend tjetër, të shkëputet me shpejtësi nga honet e historisë dhe të ngjitet e sigurtë drejt niveleve të larta të zhvillimit.
Ndaj dhe ju bëj thirrje, votoni Genci Sinojmeri, votoni kandidat e “Aleancës për Qytetarin”, ju garantoj se në këtë shtëpi, në këtë banesë, jeni të mirëpritur që të gjithë, pavarësisht nga bindjet politike. Nuk dua të shoh asnjë shqiptarë në rrugën e vetmisë, në rrugën e të shkuarës, sëbashku me besim të madh tek njeri- tjetri , me besim të madh tek Gjirokastra, le të bashkohemi ne në këtë alternativë për të lartësuar çdo ditë dhe më shumë godinën tonë Europiane, në Gjirokastër , në Tepelenë, në Përmet, në Tropojë, në Pukë , në Tiranë në mbarë Shqipërinë.
Ne shqiptarët jemi ndër banorët më të vjetër të kontinentit. Histori të rënda, drama, copëtime, diktatura na mbajtën pothuaj të shkëputur prej tij, por ne kemi shpirtin, kemi genet, kemi gjakun Europian, kemi mundin, kemi djersën, për të ndërtuar Europën në shtëpitë tona, në qytetet tona, në vendin tonë.
Dua me këtë rast gjithashtu t’ju përcjell një përshëndetje vëllazërore, të gjitha komuniteteve etnike që jetojnë këtu, grek, arumun,etj. Të shpreh admirimin tim më të madh, nderimin tim për kontributin e tyre, por të shpreh dhe krenarinë time, për ju, gjirokastritët dhe gjirokastritet që i jepni, shqiptarëve , Evropianëve, mbarë njerëzimit leksionin më të çmuar të respektimit të njëri- tjetri , të vlerësimit të njëri- tjetrit , të bashkëjetesës me njeri- tjetrin.
Zonja dhe zotërinj
Kjo është alternativa jonë. Nuk do të ndalem në alternativën e të vetmes rrugë, sepse ju dhe çdo shqiptarë e ka të qartë se ku e ka origjinën ajo alternativë. Por dua tu them këtyre shokëve, të mos mërziten se sot dhe për sa kohë Sali Berisha, të jetë në politikë, nuk do të flasë për gjë tjetër, veçse për rrugët dhe sokaqet tuaja, për shkollat dhe kopshtet e fëmijëve tuaj, për ujësjellsat, kanalizimet tuaja, për bulevardet, rrugicat tuaja, për fermat e sukseset tuaja, për ullishtat, vreshtat dhe për çdo gjë që ka të bëjë me mirëqenien tuaj me suksesin tuaj.
Ndaj edhe këtu si në çdo qytet tjetër, si në çdo fshat tjetër, thirrja ime vëllazërore, le të betohemi ne për ta bërë Gjirokastrën, për ta bërë Shqipërinë kopshtin më të bukur më madhështor të Europës. Ne kemi pasuri përrallore në vendin tonë, ne kemi potencialin turistik më të madh se askush tjetër, ne kemi potencialin ujor më të madh se askush tjetër, kemi brigjet magjepse të ujërave tona, kemi minerale, kemi naftën, kemi çdo gjë nën tokë dhe mbi tokë. Ne së shpejti do të jemi një nga vendet më të zhvilluara, por në respekt, në dashuri për këtë tokë për këtë dhe, për çdo metër katror të tij le të mbjellim kudo dru frutorë, sepse frutat e Shqipërisë janë më të mirat më të shijshme më aromatiket se kudo në Evropë. Dhe ju jap fjalën, se do të financojmë çdo rrënjë druri frutor kudo që ta mbillni, në qytet, në fshat, në mal dhe në kodër, në fushë dhe kudo.
8 maji është dita e lirive tuaja, është dita e grave dhe burrave, djemve dhe vajzave, që i besojnë lirisë dhe vlerave të saj. Ndaj dhe ju bëj thirrje le ti shndërrojmë këto zgjedhje, në fitore për të gjithë shqiptarët dhe fitojnë shqiptarët kur fiton qytetaria , kur fitojnë vlerta qytetare, kur votojmë si Europiane.
Rroftë Gjirokastra
Rroftë Shqipëria
Fitore
29/04/2011