E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në familjen Peci: Ndihemi krenarë për Aleksandrin dhe të gjithë efektivin e ushtarakëve tanë në Afganistan

Kryeministri Berisha vizitoi sot paradite, familjen e Nëntetarit Aleksandër Peci, efektiv i forcave të kontingjentit “Eagle 4”, i cili u plagos në krye të detyrës, gjatë kryerjes së misionit në Kandahar, Afganistan, rreth një muaj më parë.  Kryeministri ndau me familjarët e tij gëzimin për kthimin shëndoshë e mirë të Aleksandrit pranë familjes dhe shqiptarëve. Kryeministri Berisha e ka falenderuar Aleksandrin për aktin burrëror që ai tregoi ne Afganistan duke bërë krenar çdo shqiptarë.

Pas vizitës në familjen e Aleksandrit, Kryeministri u shpreh për mediat e pranishme:

“Erdha të përshëndes përzemërsisht Aleksandrin, i cili luftoi si luan në përpjekjen në një nga fshatrat e Afganistanit, por luftoi po me kaq heroizëm në të gjithë procesin e mjekimit, ndërhyrjeve kirurgjikale dhe të shërimit të tij.  Ky është një gëzim shumë i madh për Aleksandrin, për familjen, për miqtë, për bashkëluftëtarët e tij dhe për çdo shqiptarë, të cilët ndihen krenarë me Aleksandrin dhe të gjithë efektivin e ushtarakëve tanë në Afganistan, të cilët operojnë në zonat më të nxehta të planetit, por dhe në misionin më fisnik, atë të paqes dhe ruajtjes  së saj.  Në Bibël, paqeruajtësit quhen ushtarët e Zotit, në kuptimin që kanë mbrojtjen dhe bekimin e tij.  Aleksandri është shembulli më i arrirë.  Kaloi një situatë shumë të vështirë, por trimëria, burrëria, kurajoja  e tij dhe ndihma e Zotit, bëri që ai të kthehet midis nesh shumë mirë.  Ndaj dhe do ti uroj shumë suksese dhe do ta falenderoj me shumë mirënjohje dhe shumë respekt për  aktin e tij burrëror që bën krenarë çdo shqiptarë”.

Ndërsa nëntetar Peci  nga ana e tij i shprehu falenderimet  Kryeministrit Berisha për vizitën, por dhe për interesimin që ai ka treguar  që ditën e parë të ngjarjes. Gjithashtu nëntetar  Peci, ka falenderuar edhe gjithë shqiptarët për mbështetjen që i kanë dhënë dhe për solidaritetin e treguar.


18/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›