Kryeministri Berisha priti në takim anëtarin e Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës z.Liu Çi
Kryeministri Berisha priti në takim anëtarin e Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës dhe Sekretar i Parë i Partisë për Pekinin zotin Liu Çi.
Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen zotit Liu Çi dhe e konsideroi këtë vizitë si një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve miqësorë, midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës.
Kryeministri Berisha konstatoi me kënaqësi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve në të gjitha sferat, si dhe faktin se këto marrëdhënie njohin rritje dhe konsolidim nga viti në vit. Kryeministri Berisha vlerësoi se Partia Komuniste Kineze dhe Partia Demokratike e Shqipërisë kanë qenë dhe janë promotorët e zhvillimit epokal në të dy vendet tona. Kryeministri vlerësoi se marrëdhëniet shumë të mira midis PD-së dhe PKK-së janë themel i shkëlqyer për stadin e larte të marrëdhënieve dypalëshe dhe zhvillimin e tyre të mëtejshëm. Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë për forcimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat, si ato politike, institucionale ekonomike, kulturore, etj. Në mënyrë të veçantë Kryeministri Berisha i vuri theks zhvillimit të marrëdhënieve midis dy partive nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit dhe shkëmbimeve ndërpartiake.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje të thellë për popullin mik kinez, qeverinë e Republikës Popullore të Kinës për ndihmën shumë të çmuar që i kanë dhënë Shqipërisë në dekada dhe për mbështetjen ekonomike në rrugën e saj të zhvillimit. Kryeministri çmoi se, zhvillimi i vrullshëm ekonomik i Kinës e ka bërë atë jo vetëm një nga aktorët më kryesorë të ekonomisë botërore, por ka ndihmuar që të dalin nga varfëria qindra miliona njerëz në Kinë dhe në mbarë botën.
Kryeministri theksoi se deklarata e partneritetit strategjik e nënshkruar nga dy qeveritë dhe marrëveshje të tjera janë një bazë e shkëlqyer për zhvillimin në stade edhe më të larta të marrëdhënieve dypalëshe. Duke e njohur zotin Liu Çi me raportin më të fundit të Bankës Botërore sipas të cilit investimet e huaja direkte ne Shqipëri janë rritur 3 herë më shumë se ato në 3 vende të rajonit të marra së bashku, Kryeministri ilustroi potencialet e mëdha që Shqipëria ofron në një sërë fushash me interes për investimet kineze. Ai theksoi se investitorët kinezë janë të mirëpritur të investojnë në Shqipëri si dhe të përfitojnë nga investimet në infrastrukturë dhe punë publike, qoftë në sektorin publik dhe atë privat. Ai inkurajoi investime në infrastrukturën portuale, në energjetike, miniera, në turizëm, etj dhe siguroi se qeveria shqiptare do të krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme për to.
Duke vënë në dukje pozicionin e favorshëm gjeografik të Shqipërisë, Kryeministri u shpreh i gatshëm të mbështesë krijimin e një zone të lirë për investimet kineze që mund ta shfrytëzojnë këtë pozitë të favorshme për penetrim të mëtejshëm në tregjet evropiane.
Anëtari i Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës zoti Liu Çi falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen miqësore dhe i përcolli përshëndetjet e Sekretarit të Partisë Komuniste të Kinës Hu Jintao dhe të Kryeministrit kinez Wen Jiabau. Ai e cilësoi si shumë të suksesshme vizitën e Kryeministrit Berisha në vitin 2009, në Republikën Popullore të Kinës dhe vlerësoi lart angazhimin e të dyja palëve për konsolidimin dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale, si dhe e falënderoi Kryeministrin për rolin e tij themelor në këtë drejtim. Ai shprehu gjithashtu, falënderimet për rolin e rëndësishëm që Shqipëria luajti në anëtarësimin e Republikës Popullore të Kinës në OKB, si dhe për politikën konstante të qeverisë shqiptare për njohjen e një Kine të vetme.
Zoti Liu Çi ndau të njëjtin mendim me Kryeministrin se Partia Komuniste Kineze dhe Partia Demokratike e Shqipërisë janë dëshmuar forca transformuese të shoqërive në të dy vendet dhe ftoi që një delegacion i lartë i Partisë Demokratike të vizitojë Kinën. Në mënyrë të posaçme ai shprehu interes për vizitën e një delegacioni politikanësh të rinj si një mjet shumë i mirë për forcimin e bazës shoqërore të marrëdhënieve ndërpartiake.
Duke theksuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit politik, ekonomik, kulturor dhe në fusha të tjera me interes reciprok, zoti Liu Çi u shpreh se qeveria kineze synon jo vetëm që të forcohet më tej miqësia tradicionale midis dy popujve, por këto marrëdhënie të bazohen në një partneritet me interes reciprok. Ai u shpreh se nisja e një turi vizitash në disa vende, me Shqipërinë, dëshmon rëndësinë që qeveria kineze i jep marrëdhënieve midis dy vendeve.
Zoti Liu Çi vlerësoi progresin e vrullshëm që ka njohur Shqipëria, veçanërisht nën drejtimin e Kryeministrit Berisha. Ai nënvizoi se të dy vendet duhet të zhvillojnë me prioritet marrëdhëniet ekonomike dhe se qeveria kineze do të krijojë lehtësi për kompanitë dhe produktet shqiptare. Ai u shpreh gjithashtu, se do të inkurajojë kompanitë kineze me reputacion që të shfrytëzojnë potencialet që ofron ekonomia shqiptare. Në këtë kuadër, ai u shpreh se zyrtarët midis dy vendeve duhet të studiojnë të gjitha projektet e zhvillimit dhe mundësitë për financimin e tyre, si dhe shprehu interes për krijimin e një zone të lirë për investimet kineze. Ai gjithashtu informoi kryeministrin Berisha dhe shprehu kënaqësinë e tij se një grup prej 100 kompanish kineze në maj të këtij viti do të vizitojnë Shqipërinë.
Në takim një theks i veçantë iu vu forcimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit. Kryeministri Berisha e njohu zotin Liu Çi me nismën më të re të qeverisë shqiptare që gjuha kineze të mësohet si gjuhë e dytë e huaj në shkolla të mesme të vendit si një instrument për fuqizimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve dypalëshe. Ai theksoi në këtë kontekst rëndësinë e bashkëpunimit për formimin e kuadrove dhe përgatitjes së teksteve dhe bazës materiale në këtë drejtim.
Në përfundim, Kryeministri Berisha i shprehu zotit Çi përshëndetjet si dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë për Sekretarin e Parë të Partisë Komuniste të Kinës Hu Jintao dhe për Kryeministrin Wen Jiabau.
Pas takimit kryeministri Berisha shtroi një darkë në një nga rezidencat qeveritare për nder të zotit Liu Çi dhe delegacionit që e shoqëronte.
18/03/2012