Kryeministri Berisha nesër vizitë në Maqedoni

Kryeministri Sali Berisha do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në Maqedoni. Gjatë vizitës në Shkup kryeministri Berisha do të zhvillojë takime me homologun e tij Nikolla Gruevski, presidentin Gjorgje Ivanov, kryeparlamentarin Trajko Veljanovski si dhe grupe parlamentare të partive shqiptare.
Gjithashtu janë parashikuar edhe takimet e ndara me liderët e partive politike shqiptare, Ali Ahmetin e BDI-së, Menduh Thaçin e PDSH-së dhe krerët e partive të tjera shqiptare. Berisha gjatë qëndrimit në Tetovë do të takohet edhe me kreun e komunës së Tetovës, Sadi Bexheti.
Thellimi i bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal, proceset euroatlantike si dhe nisma të reja do të jenë pjesë e axhendës së kryeministrit shqiptar në Maqedoni, një vizitë që realizohet pas disa viteve.