Kryeministri Berisha niset për në Strasburg-Kehl për të marrë pjesë në samitin e Aleancës së Atlantikut të Veriut

Kryeministri Sali Berisha u nis sot u nis në mesditë për të marrë pjesë në Samitin e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), që do të zhvillohet në datat 3-4 prill në Strasburg-Kehl. Delegacioni shqiptar përbëhet nga Presidenti i Republikës, Kryetarja e Kuvendit, Kryeministri, Ministri i Punëve të Jashtme, Ministri i Mbrojtjes dhe kryetarët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste.
Në datën 4 prill, Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në seancën jubilare të Këshillit të Atlantikut të Veriut në Pallatin e Muzikës dhe Kongreseve në Strasburg, që mbahet me rastin e 60 vjetorit të krijimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Kryeministri Berisha do të përshëndesë mbledhjen e Këshillit dhe do të shprehë mirënjohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për mbështetjen në rrugën e tyre drejt përmbushjes së ëndrrës së tyre kombëtare, anëtarësimin në NATO.
Në përfundim të samitit, Kryeministri Berisha do të japë një konferencë për shtyp për median e akredituar në këtë samit.
03/04/2009