E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i Shqipërisë dhe Presidenti i Kroacisë shkëmbejnë mesazhe urimi për anëtarësimin e vendeve respektive në NATO.

2 prill 2009

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Presidenti i Republikës së Kroacisë shkëmbyen sot mesazhe urimi për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO).

Në mesazhin e tij dërguar Presidentit kroat Mesiç, Kryetari i Shtetit shprehet:

“I dashur Zoti President,

Anëtarësimi, me të drejta të plota, i Kroacisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, më gëzon pa masë dhe dëshiroj t’Ju përgëzoj në emër të popullit shqiptar dhe timin personal, për këtë fitore të rëndësishme në rrugën Tuaj të integrimit euroatlantik.

Dëshiroj të ndaj me Ju, Zoti President, besimin e palëkundur, se ky hap i Kroacisë do të ndihmojë në procesin e reformave të brendshme që vendi Juaj ka ndërmarrë dhe do të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit rajonal për një Evropë Juglindore në paqe dhe në siguri afatgjatë.

Sfidat që do të ndajmë së bashku, si anëtarët më të rinj të NATO-s, i nderuar President Mesiç, janë më të mëdha dhe më të vështira, por unë shpreh besimin se ashtu siç kemi përmbyllur me sukses fazën e parë të anëtarësimit, ne kemi më shumë forcë e vendosmëri për të kontribuar në sfidat e reja rajonale e globale, si dhe në sigurinë e mbrojtjen e përbashkët që kërkon e ardhmja e Aleancës.”

Në mesazhin dërguar Presidentit Topi nga Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç thuhet:

“I dashur Z. President,

Me përzemërsi, po Ju dërgoj urimet e mia me rastin e pranimit të Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut. Përpjekjet e përbashkëta që dy vendet tona kanë bërë në vitet e fundit gjatë kësaj ndërmarrjeje për të arritur objektivat tona politike dhe strategjike na kanë përgatitur si partnerë të denjë të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Jam krenar për këtë qëllim dhe jam i lumtur që Republika e Shqipërisë gjithashtu e ka përmbushur objektivin e saj. Me këtë akt, ne kemi bërë një hap përpara drejt një të ardhmeje më të sigurt.

Shkëlqesia Juaj,

Ju lutem përcillini qytetarëve të Republikës së Shqipërisë urimet më të sinqerta për hyrjen e tyre në familjen e madhe të NATO-s. Jam i bindur që dhe ne do të bashkëpunojmë me sukses brenda këtij komuniteti për të mirën e dy vendeve tona, qytetarëve tanë dhe të ardhmes sonë.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›