E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi merr urimet më të mira nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

2 prill 2009

Presidenti i Republikës, Bamir Topi mori sot një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO).

“Një vit më parë, unë ju uroja për ftesën që i ishte bërë Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në NATO. Gjatë dymbëdhjetë muajve që lamë pas, u përmbyll me sukses të plotë procesi i ratifikimit të protokolleve për anëtarësimin e Shqipërisë në aleancën më të fuqishme ushtarake që ka njohur historia e njerëzimit. Sot, unë kam kënaqësinë e jashtëzakonshme që në emrin tim dhe në emër të popullit të Republikës së Kosovës, t’ju uroj juve dhe nëpërmjet jush gjithë popullit shqiptar anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO.

Ky akt madhor dhe i shumëpritur e shndërron përfundimisht rajonin tonë në një faktor të rëndësishëm të paqes, të stabilitetit dhe të prosperitetit të përgjithshëm të kësaj pjese të Evropës Juglindore, popujt e së cilës tashmë janë përcaktuar fuqishëm për integrim në familjen e madhe të kombeve të lira e demokratike euroatlanetike.

Anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në NATO është një arritje e shkëlqyeshme e institucioneve dhe qytetarëve të Shqipërisë, e cila do t’u shërbejë si shembull edhe vendeve të tjera të rajonit që synojnë të anëtarësohen në Aleancën Veriatlantike. Pa dyshim, edhe Republika e Kosovës do të përfitojë nga përvoja juaj dhe ne presim që duke punuar së bashku, sikundër deri më tani, ta arrijmë sa më shpejt që të jetë e mundur ditën e anëtarësimit të të gjithë rajonit në NATO dhe në strukturat e tjera euroatlantike. Atëherë, sigurisht, të lehtësuar do të mundë të themi: ja, liria e fëmijëve tanë dhe e gjithë brezave që do të vijnë, është e sigurtë, është e paprekshme!

Ndaj, duke ju dëshiruar shëndet, fat dhe mbarësi, ju lus, i dashur President, që të pranoni urimet e mia më të sinqerta dhe ndjenjën e konsideratës simë të përhershme!”, - thuhet në mesazhin e Presidentit Sejdiu.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›