E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Zëvendëskryeministrit Pollo në Konferencën mbi Koordinimin e Donatorëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqia

Z. Kryeministër Berisha

Zotërinj Ministra,

Ambasadore Fialkova

Z. Leigh, Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian

Ambasadorë,

Zonja dhe zotërinj,

Në emër të qeverisë shqiptare, unë do të dëshiroja ta hapja këtë konferencë duke iu uruar mirëseardhjen dhe duke i shprehur falënderimet tona Komisionit Evropian që e solli këtë eveniment të rëndësishëm për herë të parë në Shqipëri si dhe falënderoj organizatorët për punën e shkëlqyer.

Kjo konferencë është me rëndësi shumë të madhe për të gjitha vendet tona dhe ne shpresojmë ta kthejmë atë në një mjedis dialogu të hapur dhe konstruktiv mbi mënyrën për të koordinuar më mirë dhe për të rritur efektivitetin e asistencës së huaj me politikat tona të zhvillimit dhe integrimit.

Në lidhje me koordinimin e donatorëve, si një nga vendet nënshkruese të Deklaratës së Parisit mbi Efektivitetin e Asistencës së Huaj që nga viti 2005, Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar ndaj parimeve të “udhëheqjes efektive, pronësisë dhe radhitjes së politikave dhe strategjive zhvilluese” si dhe përkthimit të strategjive kombëtare dhe buxhetit të brendshëm në programe me prioritet të orientuara drejt rezultateve.

Më vonë axhenda ku do të përqendrohen zyrtarët shqiptarë ka të bëjë me çështje teknike institucionale dhe ndryshime për të përmirësuar koordinimin e donatorëve, kështu që nuk do të zgjatem në këtë temë, por thjesht doja të theksoja se bazuar në rezultatet e Raportit 2008, Shqipëria ka bërë progres në disa tregues, një prej të cilave është pronësia.

Jam i sigurt se të gjithë ndani perceptimin tim se në rrugën e gjatë të reformave, sot ne kemi ecur shumë përpara nga pika nga u nisëm. Ndërsa një dekadë më parë shumë prej nesh këtu diskutonim për bazat e koordinimit apo koordinimin e ndihmës emergjente, sot ne po diskutojmë për koordinimin e donatorëve si pjesë integrale e ciklit tonë planifikues duke e vendosur të gjithë këtë në një kontekst rajonal, në kontekstin e një integrimi të mëtejshëm në Bashkimin Evropian.

Koncepti i kalimit nga “përfitues” në partnerë është rrënjosur thellë në mendjet tona dhe jam i lumtur të them sot se “partneriteti” po funksionon në një nivel të kënaqshëm. Kjo konferencë është një dëshmi e qartë e kësaj. Vendet tona po bëjnë progres gradual, por të vazhdueshëm në adoptimin e standardeve dhe normave të BE-së dhe momenti kur secili vend, bazuar në meritat e veta, do të jetë në vendin që i takon, pjesë e familjes Evropiane, nuk do të jetë më diçka e largët në horizont. Takimi i sotëm është gjithashtu, i rëndësishëm për të diskutuar impaktin e trazimit financiar global mbi vendet tona dhe mënyrat se si vendet tona po e përballojnë, përfshi perspektivën e mbështetjes nga donatorë dhe kreditorë. 

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ende ka vend për të përmirësuar “koordinimin”, do të thoja se sfida kryesore përballë nesh është bërë “efektiviteti” i politikave tona, veprimeve dhe përdorimi i burimeve. Ndërsa po përpiqemi shumë për të arritur objektivat tona, ne presim angazhime të mëtejshme nga donatorët lidhur me renditjen, harmonizimin dhe parashikueshmërinë.

Kontributi i donatorëve është i paçmuar për të gjitha vendet tona dhe unë do të dëshiroja ta shfrytëzoja këtë mundësi për të shprehur falënderimet tona të përzemërta për të gjithë donatorëve rreth kësaj tryezë dhe në mënyrë të veçantë Komisionit Evropian për drejtimin e iniciativës koordinuese.

Punë të mbarë kësaj konference!


02/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›