Kryeministri Berisha takon Presidentin e Komunitetit Hebre në Francë, zotin Richard Prasquier

Kryeministri Berisha u takua sot, në Paris, me Presidentin e Komunitetit Hebre në Francë, zotin Richard Prasquier.
Zoti Richard Prasquier është një nga personalitetet influente dhe i fuqishëm në Francë si dhe një mik dhe dashamirës i Shqipërisë, i cili ka ndjekur me interes zhvillimin e vendit tonë në këto vite.
Presidenti i Komunitetit Hebre të Francës, zotin Richard Prasquier shprehu kënaqësinë e tij për sukseset dhe progresin e Shqipërisë në të gjitha fushat, si dhe për marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO dhe procesin integrues në Bashkimin Europian.
Gjatë bisedës, u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë të komunitetit mjaft të fuqishëm të biznesit hebre francez me Shqipërinë në fusha të ndryshme dhe mundësinë për investimet e tyre të frytshme në vendin tonë. Kryeministri Berisha e njohu zotin Prasquier me ecurinë e ekonomisë shqiptare, e cila këtë vit njeh rritje dyshifrore në shumë sektorë të rëndësishëm të saj, si dhe me reformat ekonomike dhe fiskale që e kanë shndërruar Shqipërinë në vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë dhe me një klimë tepër të favorshme për investime.
Kryeministri Berisha ndodhet për një vizitë në Paris, ku i ftuar special i Presidentit francez Nicola Sarcozy, do të marrë pjesë në Samitin e Mesdheut dhe në festimet me rastin e Festës Kombëtare të Francës dhe në Paradën që zhvillohet me këtë rast në sheshin “Champs Elysée”.