Kryeministri Berisha niset për një vizitë zyrtare njëditore në Mal të Zi
Kryeministri Berisha u nis sot për një vizitë zyrtare njëditore në Mal të Zi, me ftesë të Kryeministrit malazez z.Igor Lukšić.
Kryeministri Berisha do të pritet nga Kryeministri i Malit të Zi z. Igor Lukšić me të cilin do të zhvillojë një takim tête-a-tête që do të pasohet nga takimi i delegacioneve respektive. Pas takimit, ambasadorët e të dy vendeve do të nënshkruajnë Marrëveshjen për përcaktimin e pikës së përbashkët të kalimit të kufirit Grabon - Zatrijebacka cijevna. Më pas, dy Kryeministrat do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp.
Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime të veçanta me Presidentin e Malit të Zi, z. Filip Vujanović dhe me Zëvendëskryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, z. Željko Šturanović. Gjithashtu, Kryeministri do të takohet dhe me kryetarin e PDS-së së Malit të Zi z. Milo Djukanovic.
Në vijim të vizitës në Malin e Zi, Kryeministri Berisha do të takohet edhe me përfaqësues të partive shqiptare, si z. Mehmet Bardhi kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, z. Vasil Sinishtaj i Koalicionit Shqiptar Perspektiva, z. Genci Nimanbegu i FORCA dhe z. Mehmet Zenka i Unionit Demokratik Shqiptar.
Më pas, Kryeministri Berisha do të zhvillojë një vizitë Tuz, ku do të pritet nga kryetari i Komunës z. Nikola Gegaj dhe do të takohet me përfaqësues të Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit.
Vizita e Kryeministrit Berisha do të përmbyllet me një vizitë në Ulqin ku do të pritet dhe do të zhvillojë një takim me kryetarin e Komunës së Ulqinit z. Nazif Cungu.
25/01/2012