E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu

24 janar 2012

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot paradite një takim pune me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu.

Pasi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe rolin aktiv të vetë Ambasadorit amerikan në drejtim të forcimit të demokracisë, konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe institucioneve të pavarura kushtetuese, Presidenti Topi shkëmbeu mendime me zotin Arvizu lidhur me disa prej çështjeve më aktuale politike në vend, tek të cilat është përqendruar dhe debati publik i kohëve të fundit. Pavarësia dhe mirëfunksionimi i institucioneve të pavarura kushtetuese reforma në drejtësi, ligjet e nevojshme që kërkojnë një shumicë të cilësuar në Parlament, miratimi i Gjykatës Administrative, sfidat politike dhe ato të integrimit, me të cilat pritet përballja gjatë vitit 2012 si dhe situata në rajonin e Ballkanit ishin disa nga çështjet e diskutuara në këtë takim pune.

Në kuadër të trajtimit të tyre, Presidenti Topi dhe Ambasadori Arvizu nënvizuan rëndësinë e arritjes së rezultateve konkrete pozitive nëpërmjet bashkëpunimit konstruktiv mes të gjitha forcave dhe aktorëve politikë në vend, të bazuar në gatishmërinë, mirëkuptimin dhe vullnetin politik të palëve, të cilat, sidomos në këto momente, vlen të dëshmojnë vlera të kulturës dhe etikës politike demokratike në shërbim të mirëfunksionimit të jetës institucionale dhe të shtetit ligjor.

Presidenti Topi ritheksoi qëndrimin e tij se “do të vijojë të apelojë në kërkim të përcjelljes së këtyre mesazheve për klasën politike shqiptare në përmbushje të detyrës së tij kushtetuese si Kryetar Shteti, por dhe me një përgjegjësi të lartë qytetare”, ndërsa nënvizoi se “deri në përfundim të mandatit të tij si President i Republikës, do të kontribuojë maksimalisht, me të gjitha kompetencat e tij kushtetuese, në përmbushjen e aspiratave integruese dhe të interesave kombëtarë të popullit shqiptar”.

Nga ana e tij, Ambasadori Arvizu shprehu vlerësimin për Presidentin Topi, për bisedën dhe mendimet e shprehura në këtë takim, që konfirmojnë pozicionin institucional dhe kushtetues të Kreut të Shtetit shqiptar, duke theksuar nevojën për konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të së drejtës dhe funksionimin ligjor e profesional të institucioneve të pavarura kushtetuese.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›