Kryeministri Berisha: Reforma e sistemit të drejtësisë, nevojë jetike për integrimin evropian të Shqipërisë
Kryeministri tha se raporti shtron probleme serioze për sa i përket korrupsionit në drejtësi. Në raport, u shpreh kryeministri evidentohet se nuk ka gjykatë apo prokuror të penalizuar apo disiplinuar për çështje korruptive. Përkundrazi, vijoi kryeministri, raporti thotë se kur qeveria filloi të ndërmarrë masa për të luftuar korrupsionin në drejtësi, pati reagime dhe kundërvënie të fuqishme.
Duke shprehur besimin se gjithçka i përket tashmë të shkuarës, Kryeministri Berisha shprehu në të njëjtën kohë bindjen se Presidenti i Republikës, në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, do të vazhdojë reformën e nisur, e cila vlerësohet nga të gjitha palët si e domosdoshme për të ardhmen e vendit
Ndër të tjera, kryeministri theksoi se duhet ofruar mbështetja financiare e nevojshme për sistemin gjyqësor, në mënyrë që ai të përmbushë detyrimet e tij. Kryeministri vlerësoi se ndër gjykatësit dhe prokurorët e Shqipërisë ka profesionistë të shkëlqyer dhe njerëz të ndershëm, të cilët duan të japin kontributin e tyre në shtetin ligjor.
Kryeministri theksoi se çështja e drejtësisë zgjidhet vetëm nëpërmjet reformave dhe një mbështetjeje të veçantë nga i gjithë spektri politik.
Kryeministri u shpreh se mazhoranca është e hapur ndaj të gjitha propozimeve të bëra nga opozita për ligjin dhe organizimin e drejtësisë.
Duke shprehur besimin se opozita do të gjejë gjuhën e përbashkët, Kryeministri u shpreh se duhet të punohet me Këshillin e lartë të Drejtësisë, me konferencën e gjyqtarëve dhe të gjitha grupet e interesit, në mënyrë që pas shumë vitesh në rrugën e ndryshimeve, drejtësia shqiptare të marrë ligjin e ri të saj që përshtatet me standardet evropiane.
Kryeministri u shpreh se raporti, vlerëson pozitivisht përshtatjen e ligjeve shqiptare me standardet evropiane në tërësi, ndonëse në raport pohohet se disa ligje nuk janë plotësisht në përputhje me këto standarde. Kryeministri u shpreh se këto ligje duhet të shqyrtohen dhe amendohen me përparësi, sa më shpejt të jetë e mundur.