E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet banorët e zonës elektorale nr. 86

Kryeministri Berisha përshëndeti, gjatë takimit me deputetët e Partisë Demokratike, banorët e zonës elektorale nr. 86 për sjelljen civile të dëshmuar gjatë procesit të votimit ditën e dielën dhe fitoren e kandidatit të koalicionit qeverisës. Kryeministri tha se me votën e tyre ata rikonfirmuan mbështetjen për reformat e ndërmarra nga qeveria.

"Në emër tuaj dhe të koalicionit qeveritar, më lejoni t'i dërgoj përshëndetjet më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë zgjedhësve të Mokrës, Starovës, Dardhasit dhe të gjithë zonës elektorale nr. 86, të cilët ditën e dielë votuan në mënyrë të civilizuar dhe i dhanë koalicionit qeveritar një simbol të shkëlqyer të mbështetjes për reformat e kësaj qeverie. Unë dua të informoj mbarë qytetarët shqiptarë se në këtë zonë elektorale raporti e majtë - e djathtë, në zgjedhjet e vitit 2005, ka qenë 1459 vota në favor të së majtës. Fitorja e së djathtës është rreth 1600 vota apo 27 për qind dhe respektivisht po kaq dhe humbja e së majtës. Ata, të cilët citojnë 136 vota, harrojnë të citojnë 1460 vota të tjera që opozita aktuale e bashkuar, por në atë kohë e përçarë, ka pasur më shumë sesa ka pasur e djathta shqiptare në këtë zonë. Kjo është një fitore shumë e thellë", u shpreh Kryeministri.

Kryeministri shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për zgjedhësit e kësaj zone, të cilët me votën dhe kthjelltësinë e tyre votuan reformat e qeverisë, hapat reale të Shqipërisë drejt integrimit dhe përparimin në të gjitha fushat. "Mirënjohje shumë të thellë për të gjithë, përfshirë edhe ata, të cilët u detyruan të pranojnë dhuratën, por jo të japin votën në linjë me të. Me mençurinë e tyre të kristaltë, pavarësisht nga dhurata, votën ia dhanë reformave dhe parimeve. Kjo është domethënëse. Gjithashtu duhet të jemi të sinqertë, që me mençurinë e tyre zgjedhësit e zonës elektorale nr. 86 faktuan se hanxharët e mafias, sepse ata nuk e kishin votën kundër Saimir Kodrës, nuk mund t'i nënshtrojnë dhe mposhtin ata. Ndaj i dhanë qeverisë aktuale 1600 vota, më shumë se ç'na kuotuan në zgjedhjet e vitit 2005," u shpreh Kryeministri.

Kryeministri falënderoi përzemërsisht edhe të gjithë komisionarët dhe administratorët e zgjedhjeve për punën e çmuar dhe të gjithë anëtarët e partive të koalicionit për mbështetjen e madhe që i dhanë kandidatit të koalicionit qeveritar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›