Kryeministri Berisha konfirmon zotin Bamir Topi si kandidaturën më të shkëlqyer për postin e Presidentit
Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u shpreh se kryesia e partisë ka konkluduar se zoti Bamir Topi është kandidatura më e shkëlqyer e paraqitur për postin e Presidentit të Republikës. Kjo është faktuar edhe nga studimi i bërë nga Instituti "Axhenda", drejtuar nga zonja Milva Ekonomi, e cila është dhe drejtuese socialiste në këshillin bashkiak të Tiranës.
Kryeministri theksoi se në këtë proces duhet që të gjithë faktorët e rëndësishëm, kryesia e PD-së, aleatët e saj, grupi parlamentar, të jenë të angazhuar në mënyrë permanente.
Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:
"Parlamenti duhet të zgjedhë Presidentin e Republikës. Të gjithë faktorët e rëndësishëm, kryesia e Partisë Demokratike, aleatët e saj, grupi parlamentar, duhet të jenë në mënyrë permanente në proces. Në këtë kontekst, është edhe kjo mbledhje me grupin parlamentar sot. Kryesia konkludoi se zoti Bamir Topi është, me distancë, kandidatura më e shkëlqyer e paraqitur për postin e Presidentit të Republikës. Këtë fatmirësisht e fakton edhe studimi i zonjës Ekonomi, e cila është dhe një drejtuese në Partinë Socialiste. Kam ndjekur me vëmendje studimin e saj dhe ky dëshmon se në krye, me distancë, është kandidatura e zotit Topi".