E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Situata makroekonomike në Shqipëri e qëndrueshme

Qeveria shqiptare dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nënshkruan Memorandumin e Politikave Ekonomike dhe Financiare për 6 mujorin e dytë të vitit 2007. Ky dokument u firmos sot, në prezencën e Përfaqësueses së Misionit të FMN-së në Shqipëri Ann Margaret Westin, nga Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Financave Ridvan Bode dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani.

Pas nënshkrimit të Memorandumit, Kryeministri Berisha theksoi se ky dokument e vendos në një nivel të ri bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston prej shumë vitesh mes Shqipërisë dhe FMN-së. Marrëveshja e re, tha Kryeministri, konsolidon më tej stabilitetin makroekonomik të vendit, rritja ekonomike bëhet më e madhe dhe Shqipëria, një vend më tërheqës për investitorët vendas dhe të huaj. Memorandumi, nënvizoi më tej Kryeministri, është fryt i një diskutimi të gjerë e negociatash intensive, që janë zhvilluar mes ministrisë së Financave, ministrive dhe agjencive të tjera të qeverisë dhe FMN-së.

Zonja Westin, duke përshëndetur qeverinë dhe autoritetet shqiptare për nënshkrimin e këtij Memorandumi, vlerësoi se situata makroekonomike në Shqipëri është e qëndrueshme dhe qeveria shqiptare ka një axhendë të rëndësishme dhe ambicioze reformash. Zonja Westin tha se Memorandumi do të kalojë më 6 korrik në Bordin Ekzekutiv të FMN-së.

Ndërsa ministri i Financave Bode u shpreh se kjo marrëveshje është rishikimi i marrëveshjes bazë që qeveria ka me FMN-në. "Rishikimi i saj në çdo gjashtë muaj bën vlerësimin e ecurisë së progresit ekonomik dhe synon të përshpejtojë reformat e programuara në përputhje me ritmin që ka qeveria dhe administrata aktuale, si dhe me zhvillimet që ka ekonomia e vendit. Marrëveshja vlerëson faktin që situata makroekonomike në Shqipëri është e qëndrueshme dhe se qeveria po ndërmerr masa të rëndësishme për të nxitur biznesin dhe iniciativën private," u shpreh zoti Bode.

Nga ana e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani tha se gjatë këtij 6 mujori janë shënuar zhvillime pozitive në ekonominë shqiptare, në konsolidimin e sistemit fiskal dhe makroekonomik, njëkohësisht janë hapur perspektiva për një bashkëpunim më të mirë ndërinstitucional.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›