E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Drejtorin e NATO-s dhe Europës Juglindore Anthony Aldwell

Kryeministri Berisha priti sot Drejtorin e NATO-s dhe Europës Juglindore në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, zotin Anthony Aldwell.

Kryeministri Berisha shprehu edhe një herë mirënjohjen për vizitën e Presidentit Bush, duke theksuar se kjo vizitë është një pikë kulmore në historinë e Shqipërisë. Unë u mundova të tregoj mikpritjen time, u shpreh Kryeministri, por ata që e treguan atë më mirë ishte populli i Fushë-Krujës, i cili i tregoi Presidentit Bush ndjenjat më të thella miqësore të shqiptarëve.

Kryeministri theksoi gjatë takimit se prioriteti më i madh i qeverisë është integrimi në NATO. Për arritjen e tij, tha Kryeministri, ne jemi të fokusuar dhe të angazhuar të bëjmë çdo përpjekje, të marrim çdo vendim dhe të ndërmarrim çdo reformë që të arrijmë standardet e NATO-s. Në këtë kontekst, Kryeministri shprehu falënderimet dhe mirënjohjen ndaj SHBA-ve për ndihmën që kanë dhënë në reformimin e Forcave të Armatosura Shqiptare.

Kryeministri e njohu zotin Aldwell me reformat e ndërmarra në fushën e mbrojtjes, duke nënvizuar se qeveria ka afruar rritjen me 2 për qind të GDP të buxhetit për mbrojtjes dhe po shkohet drejt një ushtrie profesioniste. Kryeministri e informoi zotin Aldwell se Shqipëria do të dërgojë një kompani shtesë në Herat dhe do të marrë pjesë me kënaqësi në operacionin "Active endeavour". Koha deri në samitin e Bukureshtit, tha Kryeministri, është e shkurtër, por ne jemi të angazhuar plotësisht për të përmbushur të gjitha detyrimet e ciklit të 9 të Planit të Veprimit për Anëtarësim, e cila u vendos në takimin e Oslos. Lidhur me reformat ekonomike, Kryeministri nënvizoi se ekonomia është e qëndrueshme, deficiti buxhetor është i vogël dhe 80 për qind e prodhimit ekonomik vjen nga sektori privat. Ndonëse kemi probleme, tha Kryeministri, progresi është i qartë dhe i vazhdueshëm.

Përsa i përket çështjes së presidentit, Kryeministri shprehu bindjen se ajo do të zgjidhet në mënyrë kushtetuese dhe kandidati që do të përzgjidhet do të jetë i pranuar dhe respektuar nga të gjitha palët. Kryeministri u shpreh se procesi do të jetë i suksesshëm dhe brenda të gjitha kornizave ligjore e kushtetuese të vendit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›