Rritet ndjeshëm interesi i investitorëve britanikë në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha u takua sot me Drejtoren e Departamentit për Zhvillim për Europën dhe Azinë Qendrore, të Departamentit për Zhvillim Ndërkombëtar (DFID) të Britanisë së Madhe, znj. Pauline Hayes.
Në këtë takim zonja Hayes vlerësoi ritmet me të cilat Shqipëria po ecën në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Gjatë takimit me Kryeministrin Berisha, Drejtoresha e Departamentit për Zhvillim në Europë dhe Azinë Qendrore përshëndeti reformat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare përsa i përket stabilitetit makro ekonomik si dhe bashkërendimit të strategjive, të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ndër të tjera, zonja Hayes vuri në dukje ndryshimet e rëndësishme që kanë ndodhur në Shqipëri në këto vitet e fundit si dhe zhvillimin me ritme te shpejta të ekonomisë shqiptare. Në këtë kuadër të pranishmit vlerësuan përpjekjet dhe masat e marra nga qeveria shqiptare në ndihmë të biznesit, duke bërë që interesi i investitorëve britanikë në Shqipëri të rritet ndjeshëm në 2 vitet e fundit.
Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm, midis Anglisë dhe Shqipërisë, Drejtoresha e Departamentit për Zhvillim për Europën dhe Azinë Qendrore garantoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë i tillë dhe në të ardhmen, ndersa shtoi se nga viti 2009, bashkëpunimi do të jetë shumëpalësh, duke përfshirë edhe institucione të tjera financiare të BE-së.
Kryeministri Berisha nga ana e tij falënderoi të pranishmit në takim për asistencën që DFID ka dhënë për Shqipërinë, si dhe për bashkëpunimin që ka patur me qeverinë shqiptare. Kryeministri shprehu besimin se ky bashkëpunim do të forcohet në të ardhmen.
Nga ana e tij, Kryeministri bëri një ekspoze të zhvillimit ekonomik me ritme të shpejta të vendit, duke u ndalur në mënyrë të posaçme në përpjekjet e qeverisë për të luftuar informalitetin në ekonomi dhe thellimin e reformave fiskale.
Gjithshtu kryeministri i njohu bashkëbiseduesit me përpjekjet e qeverisë shqiptare për krijimin e një klime sa më të përshtatshme për biznesin në tërësi, duke theksuar se kjo klimë ka ndikuar në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Në këtë takim zonjën Pauline Hayes e shoqëronin dhe Menaxherja e Programit për Ballkanin në Departamentin për Zhvillim Ndërkombëtar (DFID) zj. Diane Brooks si dhe ambasadorin britanik në Tiranë z.Franser Wilson.
DFID është Departament pranë qeverisë së Britanisë së Madhe, përgjegjës për promovimin e zhvillimit dhe reduktimin e varfërisë.