Kryeministri Berisha takon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Italisë Giovanni De Gennaro
Kryeministri Berisha u takua sot me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Italisë Giovanni De Gennaro. Zoti Berisha dhe zoti De Gennaro shprehën vullnetin e përbashkët për forcimin e partneritetit midis policisë shqiptare dhe asaj italiane.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë italiane i shprehu Kryeministrit Berisha falënderimin për mikpritjen dhe nivelin e lartë të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke përmendur me këtë rast marrëveshjen e nënshkruar sot mes policive të dy vendeve tona.
Zoti De Gennaro e përgëzoi Kryeministrin për rezultatet e arritura në luftën kundër krimit, duke siguruar se policia italiane do të vazhdojë të ndihmojë policinë shqiptare, që këto rezultate të rriten më tej. "Ne do të thellojmë bashkëpunimin tonë, sepse kemi instrumentet dhe besimin tek njeri tjetri, me qëllim që vendet tona të jenë më të sigurta," tha zoti De Gennaro.
Kryeministri Berisha e falënderoi zotin De Gennaro për besimin që ekziston ndërmjet policive të të dy vendeve, si elementi bazë për të pasur rezultate të prekshme. Kryeministri e njohu zotin De Gennaro me luftën e qeverisë me tolerancë zero kundër krimit të organizuar, si një fenomen i cili shkatërron shoqëritë e dy vendeve tona dhe rezultatet e arritura në këtë luftë. Kryeministri theksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar luftën kundër krimit të organizuar.
Kryeministri e njohu gjithashtu zotin De Gennaro me nismat ligjore të qeverisë, si ligji i moratoriumit për skafet, etj., të cilat kanë dhënë efektin e tyre në luftën kundër të gjitha llojeve të trafiqeve.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për mundësitë e bashkëpunimit mes policive të vendeve të rajonit, me qëllim që ky rajon të jetë një pengesë e fuqishme ndaj çdo lloj trafiku.