Kryeministri Berisha përshëndet edicionin e festivalit të Filmit për fëmijë Giffoni
Kryeministri Berisha mori pjesë të martën në mbrëmje në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për fëmijë Giffoni, i cili edicionin e tij të rradhës po e zhvillon në Tiranë.
Ky festival, që mirëpret çdo vit rreth 1000 fëmijë nga e mbarë bota, ka një juri të përbërë nga vetë ata, të cilët diskutojnë për filmat pjesëmarrës në konkurim, si dhe marrin pjesë në debate për problematikën sociale që trajtojnë filmat.
Këtë vit vendi ynë mirëpriti në këtë edicon edhe shumë fëmijë nga vendet e rajonit, si nga Serbia, Maqedonia dhe Kosova.
Duke përshëndetur fëmijët pjesëmarrës, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë, që ishte pjesë e një evenimenti të tillë “Unë erdha tu përshëndes shumë përzemërsisht, tu falenderoj për ftesën që me këni bërë. Ndjej një kënaqësi të vecantë që ndodhem këtu para jush. Dua të përshëndes përfaqësuesit e të gjitha vendeve që janë këtu sot, Italisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës e gjitha vendeve – tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha vlerësoi se ky festival, i cili mbledh së bashku fëmijët e të gjithë rajonit ofron një mundësi të madhe dialogu për kulturën, si mbartësja e vlerave më të larta të trashëgimisë së një kombi.
“ Fakti që ju jeni së bashku në një juri simbolizon dialogun e domosdoshëm midis nesh , banorëve të këtij gadishulli, të këtij rajoni. Dialogu për kulturën është më cilësori, më i rëndësishmi sepse kultura përmban vlerat më eprore të trashëgimisë së një kombi.” - u shpreh kryeministri.
Ndër të tjera, kryeministri përgëzoi në mënyrë të veçantë organizatorët dhe ideatorët e Fesivalit të Giffonit, të cilët drejtuan për vite të tëra këtë festival me vlera të pazëvendësueshme.
Në përfundim, kryeministri Berisha zhvilloi një bisedë të ngrohtë me fëmijët dhe iu përgjigj interesimit të tyre lidhur me tema të ndryshme sociale dhe kulturore.