Kryeministri Berisha takon Presidentin e Këshillit Kanadez për Atlantikun Verior, zotin Bill Graham

Kryeministri Berisha, nisi vizitën e tij në kryeqytetin e Kanadasë, Ottawa ku do të ketë një agjendë të pasur takimesh me personalitete të larta të politikës së vendit.
Kryeministri Berisha u prit në një darkë pune nga Shkëlqesia e tij, z.Bill Graham, Presidenti i Këshillit Kanadez për Atlantikun Verior. Z.Graham, ish minister i Jashtëm dhe ish ministër i mbrojtjes së Kanadasë, është një nga personalitetet më influente dhe të spikatura në Kanada, mik dhe dashamirës i Shqipërisë.
Kryeministri Berisha shoqërohej nga Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, z.Mediu, Ambasadori i vendit në Kanada, z.Besnik Konci si dhe përfaqësues të disa vendeve të Ballkanit dhe më gjerë në Asamblenë e Përgjithshme të ATA.
Në këtë darkë pune, palët diskutuan mbi marrëdhëniet e vendeve respektive, mbi situatën në rajon dhe zhvillimet e Shqipërisë si dhe në perspektivën e ecjes përpara të marrëdhënieve bilaterale midis tyre.
Më pas, Kryeministri Berisha u takua me Delegacionin e Maqedonisë në këtë aktivitet, ku kryeministri Berisha u ndal në integrimin e vendit në NATO dhe BE, në angazhimin e forcave tona të armatosura në Afganistan e gjetkë si dhe në kontributin që NATO ka dhënë në çështjen e Kosovës, në mbrojtjen e lirive e të drejtave të njeriut në bote si dhe në çlirimin e vendeve të bllokut komunist.