Kryeministri Berisha përshëndet mbrëmjen gala të Këshillit Kombëtar Shqiptaro–Amerikan
Kryeministri Berisha mori pjesë në mbrëmjen gala, të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro - Amerikan (NAAC), në New York. Në mbrëmje merrnin pjesë Presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, Zëvëndëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto dhe Zëvëndëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli, Zëvëndësasistent Sekretari i Shtetit Philip Reeker, kongresmeni Eliot Engel, ambasadori Frank Wisner si dhe shumë personalitete të tjera shqiptare dhe amerikane.
Në mbrëmjen gala i ftuar nderi ishte ish Kryeministri britanik Tony Blair, të cilit NAAC i dorëzoi një çmim të posaçëm për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës. Çmime iu dhanë një numri personalitetesh të shquara që kanë kontribuar për kombin shqiptar si ish ambasadori Richard Holbrooke.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Tony Blair kujtoi përpjekjet edhe emocionet e forta të periudhës së luftës së Kosovës dhe përpjekjet për çlirimin e saj. Zoti Blair nënvizoi rëndësinë e lirisë për çdo komb dhe theksoi se bota nuk do të jetë më e mirë nëse lirinë nuk e gëzojnë të gjithë popujt. Ai shprehu kënaqësinë që Kosovën sot e njohin 84 shtete të botës dhe dëshirën që të gjithë shtetet ta njohin pavarësinë e saj.
Mbrëmjen gala e përshëndetën edhe një numër personalitetesh të ftuar. Gjatë mbrëmjes aktorja e Hollivudit Eliza Dushku prezantoi një pjesë të dokumentarit të realizuar gjatë vizitës në Shqipëri, i cili ka për qëllim promovimin e imazhit të Shqipërisë në botë.
Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për të gjithë miqtë e kombit shqiptar, për mbështetjen dhe ndihmën e tyre të çmuar. Në përshëndetje e tij, Kryeministri u shpreh:
“Të dashur qytetarë amerikanë,
Të dashur miq shqiptaro-amerikanë,
E dashur Eliza, çdo shqiptar është krenar për ty,
Më lejoni t’ju falënderoj të gjithë ju anëtarëve të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe t’ju përshëndes në këtë përvjetor të madh të organizatës suaj. Shpreh mirënjohjen më të madhe për të gjithë mbështetjen tuaj të madhe që i keni dhënë kombit tim.
Ne, shqiptarët, ishim të fundit në Europë që kënduam këngën e lirisë. Ndamë në të shkuarën një nga historitë më të hidhura, por gjithmonë i them vetes që jemi një komb i bekuar. Ne jemi një komb i bekuar, sepse në çdo moment vendimtar të ekzistencës sonë, të lirisë sonë, kemi pasur mbështetjen, ndihmën e këtij vendi e kombi të madh dhe ia kemi dalë mbanë falë saj. Ne kemi një histori shumë të gjatë, që prej kujtesës më të hershme të njerëzimit. Por kemi humbur historinë e lirisë. Udhëtimi ynë i gjatë ishte një udhëtim mbijetese dhe padyshim, paraardhësit tanë meritojnë nderim të madh. Nënat, gjyshet tona meritojnë nderime të mëdha. Ne erdhëm në kohët moderne si një vend i përcaktuar, u përballëm me padrejtësitë më të mëdha, por falë Zotit, sot jemi një vend i lirë. Jemi të lirë, sepse përpjekjet tona kanë vlerë falë Presidentit Bill Clinton. Përpara dy ditësh u takova me Kryeministrin Thaçi me të dhe bëmë një fotografi sëbashku. Unë thashë se ai është heroi ynë kombëtar. Po, presidenti Clinton është dhe do të mbetet në kujtesën e kombit tonë një nga heronjtë më të mëdhenj. Ai drejtoi një nga luftërat më të vështira për t’u vendosur, e drejtoi atë për popullin e Kosovës, për shqiptarët e Kosovës.
Ne sot nderojmë Tony Blair, kryeministri më i madh prej luftës së dytë botërore. Ai pothuajse drejtoi Europën, në mbështetje të Presidentit Bill Clinton, në betejën për lirinë e Kosovës. Ai do të mbetet në kujtesën e kombit tonë, një hero i vërtetë kombëtar.
Nderojmë sot, edhe një mik të madh. Një prej diplomatëve më të jashtëzakonshëm të këtij vendi të madh, Richard Holbrooke. Kam pasur privilegjin për ta takuar disa herë. Unë ruaj kujtimin e një burri brilant e të jashtëzakonshëm. Një burrë, që duke i shërbyer qeverisë dhe kombit të tij, solli një kontribut historik për paqen në Ballkan. Nga Sarajeva në Junik dhe Klina, Richard Holbrooke u shndërrua në një avokat të fortë dhe të shkëlqyer të këtyre kombeve të shtypura.
Proamerikanizmi ynë i ka rrënjët thellë në liritë tona. Në jemi shumë krenarë për të. Kongresmeni Engel është këtu. Të gjithë e kujtojmë 13 vjet më parë. Pavarësisht faktit se asnjë rajon nuk ka derdhur më shumë gjak për liritë, sesa populli i Kosovës, sakrificat e vitit 1999 ishin ndoshta sa e një e katërta e atyre të vitit ’45, por këtë herë gjërat kanë ndryshuar. Një burrë i madh i këtij kombi, një hero i këtij kombi, Bob Doll, me Eliot Engel, me mikun tonë të madh që nuk jeton më, kongresmenin Tom Lantos dhe shumë të tjerë bënë një vizitë historike në Prishtinë dhe i thanë botës së Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë, Shtetet e bashkuara nuk do të tolerojnë aparteidin e Milloshevicit në Kosovë. Nuk do të vazhdoj më tej, por vitet e fundit përpara pavarësisë nuk kanë qenë të lehta. Dhe këtu kemi një dëshmitar të madh, ambasadorin Frak Wisner. Procesi ishte i komplikuar, por qeveria amerikane, Presidenti Goerge W Bush nuk hezitoi kurrë dhe ishte vendosmëria e tij që Kosova u bë një vend i lirë.
Sot jemi njerëz të lirë dhe po ndërtojmë të ardhmen, kudo ku jemi. E lamë mbrapa historinë e mbijetesës dhe jam absolutisht i bindur që po ndërtojmë një të ardhme të ndritur, po ndërtojmë të ardhmen që meritojmë, më të mirën e të mirave, për të shpërblyer miqtë tanë këtu dhe kudo që janë, për të ndërtuar vlerat, mbi të cilat shoqëritë e tyre kanë përparuar dhe lulëzuar. Prandaj mbetemi shumë të përkushtuar për një shoqëri të lirë, për të shfrytëzuar pasuritë, asetet e jashtëzakonshme të lirisë, për të bërë më të përparuar vendet e kombet tona.
Zoti bekoftë familjet, miqtë tuaj! Zoti bekoftë këtë vend!. Zoti bekoftë Shqipërinë, Kosovën!”
24/09/2011