E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Fisher rikonfirmon mbështetjen e Austrisë për integrimin evropian të Shqipërisë

23 shtator 2011
Vjenë, Austri

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi në krye të delegacionit zyrtar u prit sot pasdite nga Presidenti i Republikës Federale së Austrisë, Dr. Hajnc Fisher, në Pallatin Presidencial “Hofburg” në Vjenë.

Presidenti Topi dhe homologu i tij austriak, Fisher, zhvilluan bisedimet dypalëshe dhe gjatë këtij takimi, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për të gjithë mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të Austrisë, sidomos në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si përparësi themelore e politikës së jashtme shqiptare, duke vënë në pah besimin se me përpjekje serioze e me ndihmën e partnerëve evropianë si Austria, vendi ynë do të mundë të marrë shumë shpejt statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Të dy Presidentët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes dy vendeve dhe nënvizuan vullnetin për t’i forcuar dhe intensifikuar më tej ato, si në planin dypalësh dhe në atë shumëpalësh, por veçanërisht në drejtim të forcimit reciprok të dialogut politik. Në këtë kuadër, dy Krerët e shteteve shprehën besimin se këto marrëdhënie shumë të mira e bashkëpunimi ndërshtetëror mes dy vendeve tona do të forcohen edhe më tej në të ardhmen, duke vënë në pah faktin se ekziston një klimë shumë e mirë dhe vullnet e angazhim konkret mes të dyja palëve.

Presidenti Topi, vuri në dukje në takim rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare me Austrinë, me qëllim intensifikimin e investimeve të biznesmenëve austriakë në sektorë të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, si në infrastrukturë, energjetikë, turizëm, etj.

Kreu i Shtetit shqiptar, duke vlerësuar lart rolin dhe kontributin e Austrisë në rajon dhe në mbështetje të Kosovës dhe të së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor, por në të njëjtën kohë, duke nënvizuar shembullin e padiskutueshëm pozitiv e konstruktiv të Presidentit austriak Fisher, në këto procese, si President i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, theksoi se organizimi i aktiviteteve të përbashkëta mes vendeve tona do të jenë instrumente shumë të rëndësishme në dobi të integrimit sa më shpejt në familjen e madhe evropiane.

Nga ana e tij, Presidenti i Republikës së Austrisë, Hajnc Fisher, pasi shprehu kënaqësinë e veçantë të takimit me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, dhe pasi vuri në pah rëndësinë e takimeve të tilla, siguroi se Austria do të vazhdojë të japë të gjithë mbështetjen e fuqishme në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të Shqipërisë në të gjitha drejtimet si dhe në kurorëzimin e suksesshëm të aspiratave integruese evropiane të popullit shqiptar.

Gjithashtu, Presidenti Fisher vlerësoi lart qëndrimin e Kryetarit të Shtetit shqiptar mbi zhvillimet politike në vend, por dhe rolin moderator e konstruktiv personal të Presidentit Topi në funksion të përmirësimit të klimës dhe frymës së mirë të bashkëpunimit politik edhe mes udhëheqësve rajonalë, me synim zhvillimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin në gjirin e familjes së madhe evropiane.

* * *

Gjatë vizitës zyrtare, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë zhvilluan edhe një takim të përzemërt me përfaqësues të diasporës shqiptare në Austri, të cilët e falenderuan Kreun e Shtetit për interesimin dhe përkrahjen e treguar për ta. Presidenti Topi, nga ana e tij, theksoi rolin e jashtëzakonshëm që bashkësia shqiptar ka luajtur e luan në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve, duke kontribuar përmes veprimtarive të gjithanshme me karakter atdhetar, kulturor e historik, duke qenë gjithashtu tepër të vëmendshëm e të ndjeshëm ndaj zhvillimeve në Shqipëri.

Me këtë rast, Presidenti Topi dekoroi me “Medaljen e Mirënjohjes”, Shoqatën “Aleanca për Fëmijët” - Steyr, me motivacionin: “Për veprimtarinë humanitare të kryer në dhënien e ndihmës mjekësore për fëmijët shqiptarë, me probleme të rënda shëndetësore dhe në realizimin e projekteve për përmirësimin e infrastrukturës së shërbimit shëndetësor në Shqipëri”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›