E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet pjesëmarrësit në Forumin e Krans Montanës

Kryeministri Berisha përshëndeti sot në një pritje pjesëmarrësit në Forumin e Crans Montanës, i cili do të hapë punimet nesër në Tiranë.

Presidenti dhe themeluesi i këtij Forumi zoti Jean Paul Carteron, duke marrë fjalën u shpreh se Shqipëria po ecën përpara pozitivisht, pavarësisht vështirësive të krizës botërore dhe se liderët në fushën e biznesit po kthejnë gjithnjë e më tepër sytë nga ky vend për të projektuar investimet e tyre.

Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare dhe të gjitha agjencitë e këtij vendi do të bëjnë më të mirën, për të mbështetur të gjithë investitorët e huaj në projektet e tyre, në mënyrë që atë të kenë një histori suksesi në këtë vend.

“Të nderuar ministra,

Të dashur pjesëmarrës në Forumin e Crans Montana-s,

Së pari dua t’ju falënderoj që u bashkuat me mua këtë mbrëmje. Dua të falënderoj Jean Paul Carteron, këtë mik të madh të vendit tim, që organizoi në Shqipëri një aktivitet kaq të rëndësishëm, për jetën e biznesit të vendit tim.

Forumi i Crans Montana-s tashmë është bërë një traditë e përvitshme në Shqipëri. Ky forum i ka siguruar vendit tim një mbështetje shumë të rëndësishme, duke inkurajuar investitorët nga e gjithë Europa të konsiderojnë, të sjellin projektet e tyre në vendin tim.

Zonja dhe Zotërinj,

Forumi i këtij viti është i një rëndësie të dyfishtë sepse është një forum që mbahet në një kohë jo shumë të lehtë. Por, unë mendoj se në këtë krizë financiare të përgjithshme, më ë mira e të mirave është të luftojmë për një klimë më të favorshme biznesi.

Jam i lumtur t’ju njoftoj se pavarësisht krizës botërore financiare dhe ekonomike, Shqipëria ia doli të mbante një rritje ekonomike, më të lartën në Europë. Pavarësisht shqetësimeve serioze që ekzistojnë sot në zonën euro, ekonomia jonë përfundimisht është një ekonomi e eurizuar, nuk jemi në zonën euro por jemi të eurizuar. Stabiliteti ynë makroekonomik u mbajt mirë, monedha jonë rezistoi më mirë se çdo monedhë tjetër në rajon. Ka lajme shumë inkurajuese rreth tremujorit të parë të këtij viti. Por, prezenca juaj këtu, më bën më shumë optimist, e bën Shqipërinë shumë më të sigurt, më entuziaste rreth ekonomisë së saj.

Jam këtu gjithashtu t’ju siguroj se qeveria ime dhe gjithë agjencitë e këtij vendi do të bëjnë më të mirën për të mbështetur juve, për të mbështetur investimet tuaja, për të mbështetur projektet tuaja, në mënyrë që ju të keni një histori suksesi në këtë vend.

Shqipëria nuk është një vend i madh, por është një vend me potenciale të mëdha. Në dy ditët e këtij forumi ju do të keni rastin të mësoni shumë rreth tyre nga agjencitë tona publike, por gjithashtu nga homologët tuaj shqiptarë, pjesëmarrës në këtë forum.

Sërish, Jean Paul do të doja të të falënderoja nga zemra. Ndihma juaj, dashuria juaj për vendin tim më ka prekur gjithmonë thellësisht. Prej 20 viteve ju keni ndjekur të gjithë zhvillimet, keni sjell një kontribut shumë të madh. Unë ju falënderoj edhe njëherë miku im.”


05/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›