V E N D I M PËR PROCEDURËN E DHËNIES SË AUTORIZIMIT, PËR PËRDORIMIN CIVIL TË LËNDËVE PLASËSE
V E N D I M
PëR
PROCEDURëN E DHëNIES Së AUTORIZIMIT, PëR PëRDORIMIN CIVIL Të LëNDëVE PLASëSE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 9, të ligjit nr.9126, datë 29.7.2003, “Për përdorimin civil të lëndëve plasëse në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Autorizimi për përdorim civil të lëndëve plasëse, për personat juridikë, privatë ose publikë, vendas a të huaj, jepet nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
2. Autorizimi për përdorim civil të lëndëve plasëse u jepet:
a) subjekteve të licencuara nga institucionet përkatëse në fushat minerare, gjeologjike, hidrokarbure, energjetike dhe të ndërtimit (infrastrukturës), të cilat, për realizimin e veprimtarisë së tyre, e kanë të domosdoshëm përdorimin e lëndëve plasëse. Ky autorizim është i vlefshëm vetëm brenda objektit, për të cilin jepet licenca e veprimtarisë;
b) subjekteve të specializuara për përdorimin civil të lëndëve plasëse.
Përkufizimi dhe kriteret specifike, që duhet të plotësojnë subjektet e specializuara për pajisjen me autorizim të përdorimit civil të lëndëve plasëse, përcaktohen me udhëzim të veçantë të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
3. Kërkesa e subjektit të interesuar për t’u pajisur me autorizim për përdorim civil të lëndëve plasëse përmban të dhënat bazë të mëposhtme:
a) Emrin e mbiemrin e kërkuesit;
b) Ekstraktin historik të regjistrit tregtar për të dhënat e subjektit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Subjektet që janë të licencuar sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të këtij vendimi, duhet të paraqesin edhe licencën për ushtrimin e veprimtarisë;
c) Veprimtarinë që do të kryejë subjekti në punët me lëndë plasëse;
ç) Adresën e saktë të subjektit.
4. Subjekti i interesuar për t’u pajisur me autorizim për përdorim civil të lëndëve plasëse duhet të plotësojë kriteret e përgjithshme, si më poshtë vijon:
a) Subjektet që janë licencuar sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të këtij vendimi, duhet të paraqesin projektin e kryerjes së punëve me lëndë plasëse në zbatim të projektit të miratuar për objektin, ku do të kryhet veprimtaria e licencuar nga institucionet përkatëse. Subjektet e përmendura në shkronjën “b”, të pikës 2, duhet të paraqesin një projekt – tip, të detajuar, të kryerjes së punëve me lëndë plasëse për përdorim civil. Përmbajtja e projektit përcaktohet me udhëzim të veçantë të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
b) Projekti për kryerjen e punëve me lëndë plasëse duhet të jetë në zbatim të rregullores së teknikës së sigurimit për përdorim civil të lëndëve plasëse në Republikën e Shqipërisë.
c) Të njoftohen organet e pushtetit vendor për sipërfaqen e zonës së rrezikshme, ku do të kryhet veprimtaria me lëndë plasëse. Ky kriter është i detyrueshëm vetëm për subjektet e përcaktuara në shkronjën “a”, të pikës 2, të këtij vendimi. Subjektet e përmendura në shkronjën “b”, të pikës 2, të këtij vendimi, e kryejnë njoftimin tek organet e pushtetit vendor për sipërfaqen e zonës së rrezikshme, në çdo rast, përpara fillimit të punimeve me lëndë plasëse.
ç) Subjektet duhet të kenë depo për lëndët plasëse, të miratuar nga komisariati i policisë, që mbulon territorin ku është ndërtuar depoja, ose kontratë me një subjekt që ka depo të lëndëve plasëse, të miratuar. Kontrata duhet të jetë e miratuar nga komisariati i policisë, që mbulon territorin ku kryhet veprimtaria.
d) Subjektet duhet të kenë kontratë pune me drejtuesin teknik për punët me lëndë plasëse, si dhe fotokopjen e noterizuar të diplomës së drejtuesit. Drejtuesi teknik duhet të jetë me profesion inxhinier miniere ose teknik miniere për veprimtarinë minerare. Në veprimtaritë e tjera sipërfaqësore, drejtuesi teknik mund të jetë edhe me profesion inxhinier ndërtimi, gjeolog ose oficer xhenjer.
dh) Subjektet të kenë kontratë pune me zjarrmëtarin dhe fotokopjen e noterizuar të dëshmisë së tij.
e) Në rastet kur stafi teknik dhe specialistët janë të huaj, ata duhet të plotësojnë kushtet e përcaktuara me udhëzim të veçantë të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
ë) Detyrat e drejtuesit teknik dhe të zjarrmëtarit, të përcaktuara në kontratën e punës, duhet të jenë në zbatim të rregullores së teknikës së sigurimit për përdorim civil të lëndëve plasëse në Republikën e Shqipërisë.
f) Subjekti të ketë vërtetim regjistrimi të tij në Repartin e Inspektim Shpëtim – Minierave.
g) Të ketë program vjetor të kualifikimit të punonjësve, që merren me kryerjen e punimeve me lëndë plasëse.
5. Subjekti i specializuar, i interesuar për t’u pajisur me autorizim për përdorim civil të lëndëve plasëse, përveç kritereve të përgjithshme duhet të plotësojë edhe kriteret specifike, të përcaktuara me udhëzim të veçantë të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
6. Autorizimi për përdorimin civil të lëndëve plasëse jepet brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga data e aplikimit për marrjen e tij.
7. Afatet e autorizimit janë, si më poshtë vijon:
a) Afati i autorizimit për përdorimin civil të lëndëve plasëse është i njëjtë me afatin e licencës për ushtrimin e veprimtarisë në fushat e përcaktuara në shkronjën “a”, të pikës 2, të këtij vendimi, dhe kur nuk ka sanksione për heqjen e autorizimit, ai ripërtërihet së bashku me ripërtëritjen e licencës për ushtrimin e veprimtarisë.
b) Afati i autorizimit të subjekteve të specializuara për përdorimin civil të lëndëve plasëse është 10 (dhjetë) vjet, me të drejtë ripërtëritjeje. Subjektet e specializuara paraqesin çdo vit pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës informacion të hollësishëm për zhvillimin e veprimtarisë me lëndë plasëse. Përmbajtja e këtij informacioni përcaktohet me udhëzim të veçantë të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
8. Subjekti i specializuar, i autorizuar për përdorimin civil të lëndëve plasëse, mund të lidhë kontrata pune për kryerjen e punimeve me lëndë plasëse për përdorim civil, me subjekte të tjera që janë licencuar sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të këtij vendimi.
Kontratës për kryerjen e punëve me lëndë plasëse i bashkëlidhen projekti i kryerjes së punëve me lëndë plasëse në zbatim të projektit të miratuar për objektin ku do të kryhet veprimtaria e licencuar nga institucionet përkatëse, njoftimi drejtuar organeve të pushtetit vendor për sipërfaqen e zonës së rrezikshme ku do të kryhet veprimtaria me lëndë plasëse, si dhe vërtetimi që subjekti disponon depo të miratuar të lëndëve plasëse.
Para fillimit të punimeve, subjekti i specializuar, i autorizuar, që ka lidhur një kontratë pune, njofton Repartin e Inspektim-Shpëtim Minierave.
9. Kontrolli për përdorimin civil të lëndëve plasëse bëhet nga Reparti i Inspektim-Shpëtim Minierave dhe institucionet e tjera të specializuara shtetërore, të parashikuara me ligj.
10. Autorizimi për përdorim civil të lëndëve plasëse hiqet në rastet kur subjekti:
a) nuk plotëson rregullat e sigurisë teknike, të parashikuara në rregulloren e teknikës së sigurimit, për përdorim civil të lëndëve plasëse në Republikën e Shqipërisë;
b) kryen vepër penale, që lidhet me ushtrimin e veprimtarisë së përdorimit të lëndëve plasëse;
c) nuk paraqet informacionin e kërkuar, sipas shkronjës “b”, të pikës 7, të këtij vendimi.
11. Vendimi nr.52, datë 29.1.2004, i Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e dhënies së lejes së përdorimit civil të lëndëve plasëse”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
05/05/2010