E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon një takim me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Italisë Gianfranco Fini

Kryeministri Berisha: Kemi konstatuar me kënaqësi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe kombeve tona.

Presidenti Fini: Italia është duke punuar gjerësisht për mbështetjen dhe vazhdon të mbështesë procesin e liberalizimit të vizave.

Kryeministri Berisha zhvilloi sot paradite një takim me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Republikës së Italisë, zotin Gianfranco Fini. Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe zoti Fini u prononcuan për mediat mbi takimit dhe bisedimet mes tyre.

Kryeministri Berisha: Zonja dhe zotërinj, sapo përfunduam një takim shumë të përzemërt dhe shumë miqësor me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Republikës së Italisë, mikun e shquar të Shqipërisë dhe timin, zotin Gianfranco Fini. Në këtë takim, kemi konstatuar me kënaqësi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe kombeve tona. Ishte një rast për t’i shprehur mirënjohjen time më të thellë Presidentin Fini dhe parlamentin italian, Kryeministrit Berluskoni dhe qeverisë italiane për të gjithë mbështetjen dhe avokaturën e shkëlqyer që i kanë bërë përpjekjeve të Shqipërisë, në projektet e saj të mëdha, integrimin në NATO dhe Bashkimin Europian. Sikundër e sigurova mikun tim se për mua dhe qeverinë time ky proces është dhe do të mbetet gjithnjë një proces i bazuar në meritën. Ky është interesi jetik i shqiptarëve, është interesi kombëtar i tyre.

Ne konstatojmë me kënaqësi se marrëdhëniet ndërinstitucionale midis dy vendeve tona po zhvillohen me intensitet dhe janë të shkëlqyera. Konstatojmë dhe mbështesim fuqishëm një vrull të ri të investimeve italiane në Shqipëri. Në këtë kuadër, falënderova ambasadorin Saba D’Elia dhe të gjithë ekipin e ambasadës për punën e shkëlqyer që bëjnë në këtë drejtim. Pranvera e bashkëpunimit të dy kombeve tona ka një ngjarje kulmore dhe kjo është vizita e Presidentit Fini, në Shqipëri.

Ne, sigurisht, diskutuam edhe për gjendjen në Shqipëri. Unë sigurova Presidentin Fini se qeveria ime mbetet e vendosur të respektojë të drejtën kushtetuese të çdo qytetari shqiptar, force politike apo organizate për të protestuar në mënyrë paqësore, në formën që ai konsideron më të përshtatshme. Sikundër jam dëshmuar dhe dëshmohem i hapur për zgjidhje kushtetuese dhe ligjore, transparencën e plotë të çdo procesi në këtë vend. Shqipëria është një vend me shtet ligjor dhe disponon të gjitha ligjet dhe institucionet për të bërë transparent edhe dokumentin më sekret të saj. Unë shpresoj që opozita të përfitojë dhe e ftoj opozitën të përfitojë nga këto mundësi.

Edhe një herë dua të falënderoj Presidentin Fini për këtë vizitë, e cila vjen si një ngjarje kulmore e një seri vizitash më të rëndësishme politike, të pranverës së bashkëpunimit midis dy popujve tanë, të falënderoj për qëndrimin, mbështetjen ndaj emigrantëve shqiptarë në Itali, gjendja e të cilëve njeh një përmirësim të vazhdueshëm, për numrin prej mbi 20 mijë studentësh shqiptarë që studiojnë në universitetet italiane. Të gjitha këto dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe kombeve tona. Faleminderit.

Presidenti Fini: Marrëdhëniet midis dy popujve tanë janë vërtet marrëdhënie historike, të cilat kanë njohur përparime në kohëra dhe kjo është mëse e natyrshme për dy popuj që ndodhen në një zonë gjeografike mjaft të afërt mes tyre. Dhe sigurisht, në momentin që Shqipëria me të vërtetë u shndërrua në vend demokratik është i pamohueshëm fakti që marrëdhëniet tona janë mëse të shkëlqyera jo vetëm mes institucioneve tona, por edhe midis dy popujve tanë. Sigurisht që Kryeministri i Shqipërisë, zoti Berisha, i cili është një ndër protagonistët kryesorë të këtij përmirësimi dhe përparimi që ka hasur Shqipëria, është pikërisht një nga dëshmitarët dhe protagonistët kryesor për këto raporte të shkëlqyera që kanë hasur tashmë vendet tona jo vetëm në raport institucional, por, sikurse e thashë, edhe midis dy popujve tanë. Sigurisht sikundër e përmendi edhe zoti Kryeministër, të gjitha hapat e proceset që ai përmendi kanë hasur përmirësime të mëtejshme drejt integrimit. Për të mos u ndalur dhe përsëritur më tej ato që përmendi zoti Kryeministër, do të doja thjesht të kufizohesha në faktin se këto përmirësime dhe këto raporte të shkëlqyera janë hasur edhe përsa i përket luftës kundër kriminalitetit dhe në mënyrë të veçantë, luftës ndaj kontrabandave të ndryshme, luftës ndaj trafikut të qenieve njerëzore, pra, emigracionit klandestin, por edhe të lëndëve narkotike.

Bashkëpunimi i fuqishëm dhe i plotë midis dy vendeve tona vërehet edhe në marrëdhëniet midis parlamenteve të të dy vendeve. Sikundër do të kem mundësinë të takoj Kryetaren e Parlamentit, zonjën Topalli, pas disa minutash, unë pata rastin ta takoj atë gjatë mbledhjes së zhvilluar në Bari, javën e kaluar, në kuadër të mbledhjes së kryetarëve të parlamenteve të vendeve pjesëmarrëse në iniciativën e Adriatikut dhe të Jonit dhe në dokumentin përfundimtar të kësaj mbledhjeje u theksua edhe një herë rëndësia e procesit të liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptar. Sikundër e thashë edhe pak më përpara, procesi i liberalizmit të vizave është një proces mëse i rëndësishëm dhe që duhet të bazohet në meritën dhe ky përbën edhe synimin kryesor. Gjithashtu Italia është duke punuar gjerësisht për mbështetjen dhe vazhdon të mbështesë procesin e liberalizimit të vizave, që, sikundër e tha edhe zoti Berisha, është një proces mëse i rëndësishëm, pavarësisht sprovave të shumta që i është dashur të përballet e të kapërcejë qeveria shqiptare, pikërisht, sprova që i janë vënë përpara nga Bashkimi Europian.

Gjithashtu, falënderova zotin Kryeministër edhe për të dhënat që më paraqiti përsa i përket zhvillimit dhe dinamikës së situatës së brendshme politike shqiptare. Sigurisht që ne respektojmë pavarësinë dhe dinamikën politike të vendit tuaj. Do të kem mundësinë, gjatë vizitës sime në Tiranë, që të kem një takim edhe me kryetarin e bashkisë së Tiranës, zotin Rama dhe nuk më mbetet tjetër veçse të uroj për një zgjidhje sa më të shpejtë të të gjitha çështjeve që janë ende të hapura dhe që kërkojnë zgjidhje. Dhe, sigurisht, sikundër përmendi edhe Kryeministri Berisha, në respektim të Kushtetutës, të ligjit dhe të pavarësisë, por edhe të rekomandimeve apo të mendimeve të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Ju faleminderit.


06/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›