E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi përshëndet punimet e Samitit XIII Ekonomik Euro-Aziatik.

5 maj 2010
Stamboll, Turqi

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, në krye të delegacionit zyrtar, mori pjesë sot paradite në fillimin e punimeve të Samitit XIII Ekonomik Euro-Aziatik që po të zhvillohet në datat 5-7 maj në Stamboll.

Pas ceremonisë së hapjes, ekzekutimit të himnit kombëtar turk dhe prezantimit vizual të këtij Samiti të rëndësishëm euro-aziatik, që organizohet nga Fondacioni Marmara dhe në të cilin marrin pjesë kryetarë shtetesh dhe qeverish, ministra, kryebashkiakë, drejtues të dhomave të tregtisë dhe industrisë së vendeve që lagen nga Detit të Zi dhe më gjerë, Kreu i shtetit shqiptar iu drejtua me një fjalë përshëndetëse punimeve të sesionit të parë të këtij forumi ekonomik gjithëpërfshirës.
Në fjalën e tij, Presidenti Topi theksoi se “Ky Samit mbahet në kushtet e krijuara nga efektet e krizës financiare dhe ekonomike botërore, që ka prekur rajonet që shtrihen në lindje dhe në perëndim të Detit Marmara, duke dëshmuar, se në një botë që globalizohet përditë e më shumë, fatet tona janë të përbashkëta e pikërisht për këtë jo vetëm përgjegjësitë por sidomos rrugët për të përballuar sfidat, për të parandaluar rreziqet dhe për të përmirësuar ekonomitë tona nuk mund të jenë më individuale.”

Duke vënë në dukje rëndësinë e rritjes dhe zgjerimit të bashkëpunimit të gjithanshëm, Presidenti Topi u shpreh: “Ky Samit të fton të flasësh për energjinë, për akset e furnizimit me gaz të Rajonit të Kaukazit, të Lindjes së Mesme dhe të Azisë së Mesme, për perspektivën e zhvillimit të ekonomisë së vendeve tona dhe, natyrisht, për hartimin e një strategjie konkrete për të arritur një dialog frutdhënës dhe një paqe botërore, që i hap rrugën zhvillimit dhe edukimit të gjeneratave të reja, punësimit të tyre, për të zvogëluar varfërinë dhe vuajtjet dhe për rritur prosperitetin në rajonin euroaziatik dhe në mbarë botën.”

Pasi u ndal në faktin se: “Debatet dhe përpjekjet e këtij Samiti do të shërbejnë për të ndihmuar njohjen, evidentimin dhe trajtimin e problemeve rajonale dhe botërore kyçe, të cilat prekin ekonomi dhe vende të rëndësishme, me parametra të ndryshëm të zhvillimit apo të pjesëmarrjes në tregjet botërore dhe të përgjegjësive në institucionet ndërkombëtare”, Presidenti Topi vuri në dukje zhvillimin e konsiderueshëm ekonomik të Shqipërisë, kushtet favorizuese dhe klimën lehtësuese dhe tërheqëse që ajo ofron për investitorët e huaj duke apeluar për një rritje e prani më të madhe të investitorëve dhe kompanive nga Turqia dhe nga të gjitha shtetet e tjera, pjesëmarrëse në Samitin XIII Euro-Aziatik, në vendin tonë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›