E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet punimet e Asamblesë së Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm pasditen e sotme në sesionin e hapjes së Asamblesë së Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, e cila mbahet për herë të parë në Tiranë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shprehu atyre mirëseardhje të përzemërt dhe falënderime që zgjodhën Tiranën për mbajtjen e kësaj konference. Duke vlerësuar rolin dhe kontributin e Monsinjor Rok Mirditës për zhvillimin e këtij takimi në Tiranë, Kryeministri Berisha theksoi se në historinë e gjatë të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe Kishës, shqiptarëve dhe Vatikanit, ngjarja e sotme, pas vizitës së Papa Gjon Pali II në prill të vitit 1993, është ngjarja më e rëndësishmja.

Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh shqiptarët këto 19 vite në rrugën e lirisë nuk kanë pasur një udhëtim të lehtë, por garantoi se ritmet e ndryshimit të vendit janë më të shpejtat që mund të jenë regjistruar ndonjë herë. “Tetëmbëdhjetë vjet më parë të ardhurat për frymë ishin 204 dollarë, ndërsa sot janë rreth 8000 dollarë. Shqiptarë, të lirë dhe me besim të madh te Zoti, te Krishti, te Muhamedi, te vetja, kanë bërë që ky vend të ndryshojë me shpejtësinë më të madhe. Vendi ka një projekt, anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ne punojmë me përkushtim të madh për shndërrimin në realitet të këtij projekti, si e ardhmja më e shkëlqyer për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Kryeministri.

Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane i zhvillon punimet çdo vit në një kryeqytet Europian e këtë vit është zgjedhur Tirana me propozim të Arqipeshkevit Metropolit të Tiranë – Durrës dhe njëkohësisht Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita.

Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Të nderuar të pranishëm,

Së pari dëshiroj t’ju uroj ju një mirëseardhje të përzemërt në Shqipëri, t’ju shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time për përzgjedhjen e Tiranës për të mbajtur këtë konferencë jashtëzakonisht të rëndësishme për Shqipërinë dhe mbarë Evropën. Dua të falënderoj, gjithashtu, në mënyrë të veçantë edhe Monsinjor Rok Mirditën që me punën dhe përkushtimin e tij ka bërë të mundur që ju të përzgjidhi Tiranën dhe Shqipërinë për mbajtjen e këtij aktiviteti. Në historinë e gjatë të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe Kishës, shqiptarëve dhe Vatikanit, ngjarja e sotme, pas vizitës së Papa Gjon Pali II në prill të vitit 1993, është ngjarja më e rëndësishme dhe na bën shumë mirënjohës dhe krenarë me praninë tuaj në kryeqytetin tonë. Duke përzgjedhur Tiranën dhe Shqipërinë për forumin tuaj më të lartë, ju, të nderuar udhëheqës shpirtërorë të Kishës Evropiane, keni nderuar kontributin e këtij kombi të vogël në historinë e krishterimit që nga kohërat më të para të themelimit të tij, me kontributin në udhëheqjen e Vatikanit me Pape Klementin, me mbrojtjen që u bëri për çerek shekulli vlerave të krishterimit heroi ynë kombëtar Skënderbeg, e deri te Shenjtorja e mbarë njerëzimit, Nënë Tereza e Kalkutës. Por me këtë vendim ju keni bërë një nderim të madh dhe plotësisht të merituar barinjve të Kishës Shqiptare, të cilët u martirizuan dhe vdiqën të pamposhtur në mbrojtje të vlerave hyjnore që besonin.

Kam pasur rastin të pres në vitin 1993, në vizitën e tij historike njëditore në Shqipëri, Papën Gjon Pali II. Aktiviteti i asaj dite ishte shumë intensiv. Dhe para se të largohej pata një audiencë private me Shenjtërinë e tij. I them se - kjo ishte një vizitë e shkurtër, por historike dhe shumë kuptimplote. Ai mu përgjigj se - kjo për mua ishte një ditë ringjallje e vërtetë. Atë ditë Papa konsakroi Katedralen e Shkodrës, e cila ishte një nga katedralet më të bukura dhe më të mëdha të Ballkanit. Regjimi ndërtoi barbarisht skenarë nga më të paimagjinueshmit kundër saj. I bëri gjithë ato transformime, por sërish ajo u shndërrua në katedrale dhe pati fatin të konsakrohej nga Papa Gjon Pali II, që për ne shqiptarët mbetet Papa i lirisë. Po atë ditë u shuguruan katër Ipeshkvi shqiptarë, që kishin bërë së bashku mbi një shekull burg dhe në burgjet më të tmerrshme të diktaturës. Njëri prej tyre, Monsinjor Fran Ilia ka të filmuar aktin kur gjykatësi i komunikon atij vendimin e dënimit me vdekje. Një burrë vigan ngrihet në këmbë dhe i përgjigjet: rroftë Krishti mbret. Kjo ishte përgjigja e tij. Historiku ishte se më vonë dënimi me vdekje u shndërrua në 25 vjet dhe fiks 24 vjet më parë, ditën e dënimit, ai u shugurua Ipeshkv i Shkodrës.

Por dua të theksoj këtu se kjo konferencë është një nderim shumë i madh për të gjithë klerin e Kishës Katolike aktuale shqiptare dhe në mënyrë të veçantë për Monsinjor Rok Mirditën, i cili ka dhe një kontribut të jashtëzakonshëm. Ai erdhi nga Nju Jorku dhe së bashku me ndihmën tuaj rindërtoi këtu infrastrukturën shpirtërore dhe materiale të besimit të madh katolik të shqiptarëve. E shndërroi kishën në një institucion ndër më të respektuarit dhe që krahas veprimtarive kishtare ndërmori veprimtari nga më të shumëllojtat për të lehtësuar dhembjet e një kombi që dilte nga mjerimi më ekstrem.

Natyrisht, prania juaj është nder për të gjithë shqiptarët e të gjitha besimeve. Ne jemi një komb i vogël, por thellë – thellë në shpirtin tonë ajo që besoj se kemi më të çmuar është respekti absolut për besimin e njëri – tjetri. Historikisht ne kemi gëzuar së bashku, kemi festuar së bashku, kemi kënduar së bashku besimet dhe festat tona fetare. Ne i kemi konsideruar ato figura të fuqishme të pasurimit tonë shpirtëror. Në historinë e kulturës sonë rol më kryesor kanë pasur udhëheqësit e besimeve fetare, në mënyrë të veçantë udhëheqësit e Kishës Katolike, të cilët kanë shkruar dhe librat më monumental të letrave tona. Sot ne jemi shumë të nderuar që ju kemi ju këtu, përfaqësues të vendeve të Evropës, vendeve anëtarë të Bashkimit Evropian. Në këto 19 vite në rrugën e lirisë ne kemi pasur një udhëtim jo të lehtë. Ne kemi provuar dhembjen, sakrificat, por ju garantoj se ritmet e ndryshimit të këtij vendi janë më të shpejtat që mund të jenë regjistruar ndonjë herë. Tetëmbëdhjetë vjet më parë të ardhurat për frymë ishin 204 dollarë, ndërsa sot janë rreth 8000 dollarë. Shqiptarë, të lirë dhe me besim të madh te Zoti, te Krishti, te Muhamedi, te vetja, kanë bërë që ky vend të ndryshojë me shpejtësinë më të madhe. Vendi ka një projekt, anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ne punojmë me përkushtim të madh për shndërrimin në realitet të këtij projekti, si e ardhmja më e shkëlqyer për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Edhe një herë mirënjohjen time më të thellë për përzgjedhjen e Shqipërisë për konferencën tuaj të nderuar.

Ju uroj punime të mbara dhe suksese!

Faleminderit!”


29/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›