Kryeministri Berisha: Decentralizimi i pushtetit komponent i rëndësishëm i lirisë politike dhe ekonomike

Kryeministri Berisha u ndal sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave në çështjen e decentralizimit, duke e trajtuar atë, si një komponent të rëndësishëm të lirisë politike dhe ekonomike.
Kryeministri theksoi se është detyrë e qeverisë qendrore që tashmë që zgjedhjet lokale kanë përfunduar, të largojë nga vetja pushtetet që nuk i takojnë, duke i përcjellë ato tek qeveria vendore.
Më gjerësisht, për këtë çështje, kryeministri Berisha u shpreh:
“Çështja e dytë që desha të trajtoj në këtë mbledhje është çështja e decentralizimit. Edhe ky është një komponent i lirisë politike dhe ekonomike, ndaj dhe unë ju kërkoj ju, tashmë që zgjedhjet lokale kanë mbaruar, si dhe janë konstituuar të gjitha këshillat dhe bashkitë e komunat, që është detyrë e qeverisë qendrore, të shkulë nga vetja e saj pushtetet që nuk i takojnë dhe tia japë qeverive vendore. Tu japë qeverive vendore pronat, ta kompletojë me shpejtësinë më të madhe, ti japë qeverive vendore dhe ti garantojë ato për çdo të ardhur që ju takon mbi pasuritë që ndodhen në territorin e tyre, pra rentet. Të mendohen edhe njëherë për taksat që do i dërgohen qeverive vendore. I dërguam në parlament, nuk u votuan, ndërkohë që ato mund të shqyrtohen dhe të votohen. Tu japë qeverive vendore gjahun. Shqipëria është një vend shumë i pasur me gjah. Zotërinj, ju si ministri duhet të studioni modele. Shkoni në Austri dhe do të gjeni aty, modele të shkëlqyera të administrimit të gjahut nga qeveritë vendore. Mbajtja e gjahut nga qeveria qendrore sjell vetëm shkatërrimin dhe daljen nga kontrolli dhe asgjë në xhepat dhe në kontot e qytetarëve të atyre zonave. Në qoftë se ne do ta shndërrojmë atë në pronë të tyre, ju garantoj se ata do të dinë ta mbrojnë, do të dinë ta gjuajnë, do të dinë të përfitojnë. Ne ju përcaktojmë rregullat e përgjithshme mbi trajtimin e problemit. Por këtu vijnë gjahtarë nga e gjithë bota dhe bëjnë batërdinë. Nuk ka kryetar bashkie që tu thotë banorëve të vet “se këto të ardhura i kam realizuar nga gjahu”, ndërkohë që të gjithë banorët janë pronarë të atij gjahu, qoftë në ajër, ujë apo tokë. Të hartohet skema urgjente e decentralizmit të plotë të gjahut, të peshkimit. Nuk ka qeveri gjahtare, le tua japin atyre që e zhvillojnë dhe e kultivojë atë.
28/09/2011