E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Nuk kemi mburojë tjetër për ekonominë tonë, përveçse lirisë ekonomike, reformave dhe përparimit të vazhdueshëm të tyre

-          Nuk ka asgjë më të ngutshme se sa të shohim se ku i kemi pengesat burokratike, për të bërë të mundur që drita e lirisë ekonomike të penetrojë në çdo skutë dhe hapësirë ekonomike të vendit.

Kryeministri Berisha vuri theksin në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave  tek ekonomia dhe reformat e saj. Bazuar në raportin e fundit të Bankës Botërore dhe disa universiteteve më serioze të botës, mbi lirinë ekonomike, Kryeministri vlerësoi se, ndonëse Shqipëria ka dëshmuar një progres të ndjeshëm në lirinë ekonomike, ky fakt duhet të shërbejë si motiv i fuqishëm për të bërë  gjithçka për zgjerimin e mëtejshëm të saj. “Shqipëria i ka shpëtuar recensionit, krizës, vetëm e vetëm për shkak të modelit ekonomik të bazuar në lirinë ekonomike, asnjë faktor tjetër nuk na ka mbrojtur ne nga kriza ekonomike botërore, perveçse lirisë ekonomike.” u shpreh kryeministri.

Kryeministri tha se administrata shqiptare është një nga 10 administratat më të vogla në botë dhe kjo përbën një arritje thelbësore të madhe, të qeverisë shqiptare. “Kjo administratë e vogël është promotore, projektuese, zbatuese e këtyre reformave, pra ka arritur eficencën shumë herë më të madhe, se sa kur ishte një administratë e fryrë.” u shpreh kryeministri.

Duke theksuar se kriza ekonomike, në zonën e euros, është një krizë që vjen në thellim, e cila nuk do të jetë afatshkurtër, kryeministri vlerësoi se për ekonominë shqiptare nuk ka mburojë tjetër, përveçse lirisë ekonomike, reformave dhe avancimit të vazhdueshëm të tyre.

Kryeministri u shpreh se qeveria do të angazhohet në çdo përpjekje për ta renditur Shqipërinë, gjithnjë e më pranë vendeve më të zhvilluara ekonomike, pasi kjo është rruga  vetme për të shndërruar pasuritë e këtij vendi, në vlera për qytetarët e tij.  “Sot, në totalitet ne renditemi në vendin  e 30. Kemi qënë në vendin e 46, jemi ngjitur tek vendi i 30. Duhet të bëjmë gjithçka që të ecim me shpejtësi drejt vendeve të para. Kjo është rruga e vetme për të shndërruar në vlera për qytetarët tanë pasuritë e këtij vendi.”

Lidhur me këtë temë, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Sërish, kryefjalë  e mbledhjes së sotme do të jetë ekonomia dhe reformat e saj. Raporti i fundit i BB dhe disa universiteteve më serioze ne botë, mbi lirinë ekonomike në botë dëshmon për një progres të ndjeshëm të Shqipërisë në lirinë ekonomike, dëshmon një progres prej 16 %, ndërkohë që në total, për arsye të njohura tashmë të masave të diktuara nga kriza, liria ekonomike në botë ka njohur regres. Për botën kujdesen ata që kanë përgjegjësi për botën. Ne kemi përgjegjësi për Shqipërinë, ndaj dhe ne megjithë ketë progres që është shumë i rëndësishëm është e domosdoshme që të shqyrtojmë një për një, të gjitha kolonat mbi të cilat vendoset liria ekonomike. Ne, në fushën e lirisë ekonomike lamë pas 12 vende anëtare të BE dhe kjo është një arritje  e madhe, natyrisht këto vende, secila prej tyre, për shkak të trashëgimisë historike, etj, është shumë herë më e zhvilluar se sa Shqipëria dhe kjo nuk mund të na bëjë ne aspak euforikë se meqenëse kemi arritur në këtë stad, përkundrazi kjo duhet të na motivojë ne fuqishëm të bëjmë gjithçka për zgjerimin e saj. Shqipëria i ka shpëtuar recensionit, krizës, vetëm e vetëm për shkak të modelit ekonomik të bazuar në lirinë ekonomike, asnjë faktor tjetër nuk na ka mbrojtur ne nga kriza ekonomike botërore, perveçse lirisë ekonomike. Ne renditemi në 10-shen e parë në botë, për qeverinë  e vogël, jemi në pozicion shumë të lakmueshëm. Ne premtuam qeveri të vogël, realizuam qeveri të vogël.

Raporti lirisë ekonomike fakton se administrata shqiptare është një nga 10 administratat më të vogla në botë dhe kjo përbën një arritje thelbësore të madhe, por kjo kërkon nga të gjithë ju, zotërinj ministra dhe nga drejtuesit e të gjithë agjencive të heqin nga mendja se mund të shtojnë edhe një njeri të vetëm në administratë. Natyrisht koha dhe evolucioni, kërkesat bëjnë të domosdoshme krijimin  e sektorëve dhe agjencive të reja, të gjitha këto do të bëhen duke ridimensionuar, duke zvogëluar ato ekzistueset.

Çdo përpjekje për të shtuar, për të fryrë organikat dëshmon se po bëhen viktimë  e burokracisë dhe ne nuk mund të pranojmë një gjë të tillë, një arritje kaq të madhe që kemi realizuar, nuk mund ta kërcënojmë, përkundrazi të shohim se si mund ta konsolidojmë më tej. Kjo administratë e vogël është promotore, projektuese, zbatuese e këtyre reformave, pra ka arritur eficencën shumë herë më të madhe, se sa kur ishte një administratë e fryrë. Nuk ka gabim më të rëndë se sa të vendosësh njerëz palë më palë që e kalojnë ditën duke luajtur letra dhe duke parë filxhanë. Por nuk është faji i tyre. Përgjegjësia kryesore është e drejtuesve të tyre, se në qoftë se ata e pozicionojnë nëpunësin në një vend pune, atëherë janë të detyruar ti japin atyre vëllimin e mjaftueshëm të punës për orët që qëndrojnë në punë  dhe kur nuk e bën dot këtë dhe kur noton vetë, atyre nuk u mbetet gjë tjetër veçse të vrasin kohën duke luajtur letra ose në kafenera. Ndaj dhe kjo arritje duhet të konsolidohet. Çfarë do të thotë kjo. Kjo do të thotë  një barrë shumë më e vogël, deri dhe në 4 herë më e vogël po  të krahasohet me disa vende te rajonit, mbi supet e taksapaguesve privatë. Ky është morali i saj.

Shqipëria është shkëlqyer sipas raportit të lirisë ekonomike, në kursin e këmbimit, është ndër të parat në shtrëngesat rregulluese për shitjen e pronave të paluajtshme, në posedimin e llogarive, në çdo lloj monedhe, në kuptimin e lirisë, në rritjen e parasë, në deviacionin standard të inflacionit, në vlerë inflacioni, pra në të gjitha këto Shqipëria është në "top ten", në dhjetëshen e parë. Në taksën e të ardhurave është në 10 tëshen e parë, në konsumin  në shpenzimet  e qeverisë, jo vetëm në dimensionin  e saj, por edhe në shpenzimet, qeveri  e kursyer, mund dhe duhet ta thellojë këtë.

Është e shkëlqyer në konkurrencën e bankave. Sistemi bankar shqiptar renditet ndër më solidët sipas këtij vlerësimi që bëhet. Ka tregues jashtëzakonisht pozitiv, ky raport i parë që njofton se jetëgjatësia mesatare në Shqipëri ka arritur në 79.4 vjet. Të mos harrojmë se 15 vjet më parë kjo jetëgjatësi ka qene 70 vjet, pra ka një rritje shumë të mirë të jetëgjatësisë. Ka vende të tjera, ku kjo moshë shkon nga 80 në 81 deri në 83 vjeç.

Shqipëria renditet e 72 për sa i përket lirisë së tregtisë ndërkombëtare. Të dy ministritë  e financave dhe ekonomike, në mënyrë të domosdoshme të ulen dhe të zbresin të gjitha barrierat. Këto janë zinxhiri i lejeve që burokratët nuk i shqisin nga duart, pra lejet të hiqen sa më shumë dhe të merret modeli i vendeve që janë në 10-shen e parë. Këto ditë, një tregtar më çon një mesazh ku më thotë se po pengohej në doganë, për një problem të caktuar. Interesohem dhe më del se një shoqatë kishte kërkuar që edhe ajo të lëshonte një autorizim. Nuk mund të ketë barrierë për tregtinë  e lirë, prandaj duhet që gjithçka të trajtohet në frymën e këtyre treguesve.

Kriza ekonomike, në zonën e euros, është një krizë që vjen në thellim, është një krizë, e cila nuk do të jetë afatshkurtër dhe në mënyrë absolute nuk kemi mburojë tjetër përveçse lirisë ekonomike, përveçse reformave dhe avancimit të vazhdueshëm të tyre. Ndaj dhe ne duhet ti marrim këta tregues. Sot, në totalitet ne renditemi në vendin  e 30. Kemi qenë në vendin e 46, jemi ngjitur tek vendi i 30. Duhet të bëjmë gjithçka që të ecim me shpejtësi drejt vendeve të para. Kjo është rruga e vetme për të shndërruar në vlera për qytetarët tanë pasuritë e këtij vendi, ndaj dhe unë kërkoj që secili nga ju, zotërinj ministra, të analizojë se çfarë ka bërë për të privatizuar asetet që janë në pronësi të ministrisë së tij, çfarë ka bërëpër të dhënë me koncesion apo në përdorim, në partneritetin  publik, privat, ato çka ndodhen në varësi të tij. Le ta bëjë ky ministër apo ky drejtor etalon të veprimtarisë së tij. Shembulli më i shkëlqyer janë HEC, suksesi ynë më i madh dhe një nga rastet më të rralla në botë për të mos thënë unik, kur në një hark kohor tre vjeçar janë arritur të jepen me koncesion mbi 200 hidrocentrale. Rreth 40 prej tyre janë në ndërtim  e sipër, pra kur qeveria përqendrohet, qeveria realizohet. Siç kemi ecur me Hidrocentralet, ne duhet të përpiqmi të ecim në çdo fushë tjetër.

Ne duhet të bëjmë gjithçka që të krijojmë paketat e zonave turistike, të krijojmë ekipet dhe tu ofrojmë këto paketa, mundësisht dhe me studimet paraprake, kompanive më serioze turistike të botës. Ne duhet të bëjmë gjithçka që të krijojmë paketat e sipërfaqeve të tokës, të cilat do tua ofrojmë fermerëve shqiptarë që duan të mbjellin plantacione, si ulliri, arrorë , etj, pra duhet të bëjmë gjithçka që të nxisim krijimin e të ardhurave, mundësisht nga çdo gjë dhe nga çdo vend. Duhet të bëjmë gjithçka që të angazhojmë kapitalin privat gjithnjë e më shumë në sektorin publik, qoftë arsimor, shëndetësor, e në fusha të tjera. Duhet të bëjmë çdo gjë që të thjeshtojmë burokracinë tonë dhe tu shërbejmë sa më mirë investitorëve vendas dhe të huaj. Nuk ka asgjë më të ngutshme se sa të shohim se ku i kemi pengesat burokratike, për të bërë të mundur që drita e lirisë ekonomike të penetrojë në çdo skutë dhe hapësirë ekonomike të vendit. Unë kam bindjen më të thellë se në këtë përpjekje ne do të kemi sukses. Ne jemi vendi i vetëm që nga viti 2006 deri në vitin 2010 investimet e huaja u rritën 316 %, jemi vendi i vetëm që në vitin 2010 patëm rritje të tyre dhe kulmuam me  1 miliard e 97milion investime të huaja, pavarësisht nga përpjekjet  më të paarsyeshme, më të çmendura për të paraqitur Shqipërinë, si një vend jo stabël, përpjekje që mbetën në rrugicën ku nisën.

Ne nuk kemi mekanizma të tjerë mbrojtës, ne kemi mekanizëm të vetëm mbrojtës nga kriza dhe ruajtës të zhvillimit, zgjerimin e hapësirave të lirisë ekonomike. Nuk ka pse ne të jemi, për tregtinë ndërkombëtare në vendin e 69 dhe të mos jemi në vendin e 8 apo të 10. Ne jemi në këtë vend sepse po të marrësh dhe të shohësh rregullat dhe lejet që ju imponojmë tregtarëve, ato shkojnë me ditë, por mund të kenë dhe tarifa. Mora si shembull tregtinë, ndonëse dhe këtu ne lëmë pas shume vende të rajonit dhe më gjerë.

Liria ekonomike ka një kusht tjetër themelor, procedurat digjitale, të cilat janë shpejtësia  e lirisë. Në se do të mund ti vinit lirisë një shpejtësi ajo është shpejtësia  e dritës, por ajo është qiellore, tokësore është digjitalja. Pra gjithçka, ligjet dhe struktura e tyre duhet të shqyrtohen në këtë funksion. Ka vend për të qenë optimist, sepse kur sheh që në lirinë ekonomike lë mbrapa 12 vende anëtare të BE, kjo dëshmon përkushtimin dhe seriozitetin që kemi bërë, përpjekjet që kemi bërë ne, dëshmon se modeli ynë është model suksesi, vetëm në faktin se bazohet në lirinë ekonomike, por dëshmon se ne mund të lëvizim fuqishëm drejt një pozicioni, dhe kjo është më e rëndësishmja, drejt një pozicioni shumë më të avancuar në këtë fushë.

Ju garantoj se reformat më të dhimbshme dhe më të rëndësishme për hapjen e hapësirave të lirisë, janë realizuar. Ne kemi barrën fiskale më të ulët në Evropë, por nuk kemi burokracinë më të zhdërvjellët tatimore, në përputhje me këtë barrë. Për barrën fiskale, përsa i përket lirisë fiskale ne jemi në çatinë  e botës, për burokracinë tatimore, ka vend dhe duhet ta përmirësojmë shumë.


28/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›