E Diel, 1 Nëntor 2026

Në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, Kryeministri Berisha përshëndeti konferencën “Fëmijët shqiptarë drejt Europës”

- Fëmija dhe problemet e tij janë problemet më sensitive, më të rëndësishme dhe më delikate për familjen, për shoqërinë, për shtetin.

- Ndjeshmëria e problemit të fëmijës, disa tregues, të cilët nuk mund t’i pranoj janë një apel i fuqishëm në këtë ditë, që sërish, nëse themi qytetari në epiqendër, fëmija në krye të vendit, fëmija dhe problemet e tij, në krye të axhendës, fëmija dhe çështjet e tij, përparësi e të gjitha përparësive.

Në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm dhe përshëndeti konferencën vjetore për zbatimin e strategjisë kombëtare për fëmijët, me temë “Fëmijët shqiptarë drejt Europës”. Në përshëndetjen dhe urimet më të dashura drejtuar të gjithë fëmijëve shqiptarë në ditën e tyre të festës, Kryeministri Berisha u shpreh se kjo ditë është një ditë vlerësimi për çfarë është bërë, por edhe angazhimesh të reja e më të mëdha për fëmijët dhe kujdesin ndaj tyre.

“Fëmija dhe problemet e tij - u shpreh Kryeministri - janë problemet më sensitive, më të rëndësishme dhe më delikate për familjen, për shoqërinë, për shtetin”.

Kryeministri Berisha theksoi se janë shënuar arritje të mëdha në drejtim të jetës, kujdesit dhe shkollimit të fëmijëve, por vetë ndjeshmëria e problemit të fëmijëve është një apel i fuqishëm në këtë ditë, që çështjet e tyre të jenë përparësi e të gjitha përparësive.

Më gjerë, në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur fëmijë, vajza e djem, të pranishëm në këtë sallë dhe mbarë Shqipërinë,

Sot është një ditë, në të cilën mbarë shoqëria shqiptare, por edhe bota në tërësi është e ftuar të shqyrtojë se çfarë ka bërë për fëmijët dhe çfarë duhet të bëjë. Sot është një ditë shumë e rëndësishme bilanci, por edhe një ditë obligimesh të reja e të mëdha. Fëmija dhe problemet e tij janë problemet më sensitive, më të rëndësishme dhe më delikate për familjen, për shoqërinë, për shtetin. Fëmijët janë gjithashtu, kontingjenti më vulnerabël, çka do të thotë se kanë nevojë dhe domosdoshmëri për mbrojtjen më të sigurt dhe më të madhe.

Ne vijmë në këtë 1 qershor, pasi kemi zbatuar një strategji të mirëstudiuar në qëndrimin ndaj fëmijëve dhe për fëmijët. Ne vijmë në këtë 1 qershor, pasi janë realizuar një seri masash shumë të rëndësishme për mbrojtjen, për zhvillimin e shëndetit dhe shkollimin e tyre. Ne vijmë në këtë 1 qershor, pasi kemi vendosur një seri programesh serioze pune, për trajtimin e problematikës së madhe që kanë të vegjlit, duke filluar nga paralindja, lindja, rritja e me radhë. Por sërish, duke shprehur vlerësimin më të madh për ato që janë bërë, ne kemi shumë punë për të bërë. E një rëndësie të jashtëzakonshme, në radhë të parë, është mbrojtja e jetës së tyre. Ne sot, ndalemi në këtë konferencë, por ndalemi duke vështruar se kemi shifra të vdekshmërisë së fëmijëve të larta e të papranueshme. Dhe kjo, në një kohë, kur kjo shoqëri ka përcaktuar rregulla nga më të mirat në qëndrimin ndaj gruas shtatzënë, leje ndër më të gjatat. Sërish në këtë fushë është e domosdoshme një përqendrim total, është e domosdoshme të bëhet një përpjekje e madhe nga mbarë shoqëria, Ministria e Shëndetësisë dhe të gjitha ministritë e tjera, në mënyrë që të kapim shifrat europiane të vdekshmërisë së fëmijëve. Ne kemi shifra më të mira, se një pjesë e madhe e vendeve të zhvilluara përsa i përket jetëgjatësisë së të moshuarve apo të popullatës në tërësi. Ne kemi shifra të papranueshme dhe puna jonë duhet të përqendrohet totalisht në mbrojtjen e jetës së të sapolindurve. Ne duhet të përcaktojmë çdo masë, çdo vendim që garanton jetën e tyre. Ne jemi një vend me mbulim vaksinor shumë të mirë, me kuadër ligjor shumë të favorshëm për nënat. Ne duhet të studiojmë hallkat. Ne jemi një shoqëri, e cila kemi mundësi të ndihmojmë në të gjitha mënyrat nënat me fëmijë e të sapolindur. është jashtëzakonisht e rëndësishme të përcaktojmë se cilat janë ndërhyrjet më eficente për një ulje të shpejtë dhe drastike të mortalitetit infantil.

Ne këtë ditë, duhet të jemi ambiciozë dhe të përcaktojmë objektiva shumë të rëndësishëm për të parandaluar tërësisht punën e fëmijëve. Nuk ka asgjë më të egër, sesa shfrytëzimi i tyre për punë. Ky është një kapitull që duhet të mbyllet me vendosmërinë më të madhe, nga kjo shoqëri. Nuk duhet të lëmë asnjë sanksion pa vendosur për ata, të cilët punësojnë fëmijët, shfrytëzojnë punën e tyre, pafajësinë e tyre.

Ministria e Arsimit po punon për tolerancë zero ndaj analfabetizmit. Ky është një kusht. Ne e kemi rritur shumë buxhetin për arsimin, kemi bërë shumë mirë dhe sërish do ta rrisim. Por ne duhet të mobilizojmë çdo fond, në radhë të parë e para së gjithash, për të mos pasur asnjë fëmijë analfabet. Ne duhet të zbatojmë programet më eficente, edhe kur janë të kushtueshme, në mënyrë që fëmijët tanë të mos vuajnë nga analfabetizmi, në një Shqipëri që ecën drejt moshës dixhitale. Ne do të shtrijmë në çdo shkollë, në çdo fshat sistemin e arsimit parashkollor. është kënaqësi e veçantë për mua, kur pranë shkollave gjej kopshte plot me fëmijë, çka do të thotë se, pavarësisht nga ndryshimi i madh i kësaj shoqërie, sërish prindërit mençurish preferojnë kopshtin dhe e bëjnë këtë, para së gjithash, për të zhvilluar fëmijën e tyre. Ministria e Arsimit duhet të paraqesë të gjitha studimet e nevojshme, në mënyrë që ne të bëjmë një politikë nxitëse për fuqizimin dhe shtrirjen në të katër anët e vendit të arsimit parashkollor. Ne jemi përpjekur dhe përpiqemi të bëjmë shumë për arsimin universitar, por ne duhet të bëjmë shumë më tepër se çfarë kemi bërë deri më sot për arsimin parashkollor.

Fëmijët, në raste të caktuara, bëhen viktima të trafikut. Kam qenë e mbetem absolutisht i bindur se ky përbën një krim monstruoz kundër njerëzimit. U bënë përpjekje për ta klasifikuar si të tillë dhe një herë, ish Sekretari amerikan i Shteti Colin Powell me shumë të drejtë ngriti zërin, por, pavarësisht se çfarë u vendos në ligjin e të drejtën ndërkombëtare, çdo njëri nga ne, çdo qytetar duhet ta konsiderojë këtë një krim kundër njerëzimit. Së bashku me organizatën ndërkombëtare partnere qeveria ka bërë përpjekje, ka implementuar një seri projektesh antitrafik, por mendoj se edhe në këtë drejtim, masat e sigurisë duhet të jenë shumë më të mëdha, veçanërisht tani. Ne duhet të kemi parasysh se heqja e vizave shton detyrimet e mëdha ndaj kujdesit për fëmijët. Duhet të përcaktojmë të gjithë masat mbrojtëse, në mënyrë që të mos mund të bëhet objekt tregtie apo pseudo birësimesh.

U ndala këtu në disa probleme, sepse unë jam i bindur se janë shënuar arritje shumë të mëdha. Sot ka një rrjet të tërë institucionesh, të cilat merren me kujdesin ndaj fëmijës. Sot, me shpejtësi po rriten institucionet e arsimit parashkollor. Sot, vaksinimi mbulon rreth 97 përqind të fëmijëve. Sot, me programe të tëra pilot po operohet për të parandaluar shfrytëzimin e fëmijëve për punë dhe me projekte të tjera për t’i larguar ata nga rruga dhe kjo përbën një zhvillim shumë pozitiv. Por, nga ana tjetër, vetë delikatesa e tyre, ndjeshmëria e problemit të fëmijës, disa tregues, të cilët nuk mund t’i pranoj janë një apel i fuqishëm në këtë ditë, që sërish, nëse themi qytetari në epiqendër, fëmija në krye të vendit, fëmija dhe problemet e tij, në krye të axhendës, fëmija dhe çështjet e tij, përparësi e të gjitha përparësive.

Edhe një herë dua t’ju uroj këtë ditë dhe t’ju përqafoj ju dhe të gjithë fëmijët e Shqipëri. Faleminderit”.


01/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›