Kryeministri Berisha përshëndet raportin e BB, IFC dhe BMF për lehtësitë e investimeve të huaja
- Nga analiza që i bëhet klimës së investimeve të huaja në 87 vende të botës, Shqipëria rezulton me 95 përqind për investimet në mbarë sektorët, duke tejkaluar me 5 përqind vendet e OECD-së, dhe me 2 përqind vendet e rajonit.
Kryeministri Berisha përshëndeti sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, raportin e Bankës Botërore, Korporatës Financiare Ndërkombëtare dhe BMF, i cili merr në shqyrtim katër indikatorë bazë për lehtësitë e investimeve të huaja në 87 vende të botës. Kryeministri u shpreh se nga analiza që i bëhet klimës së investimeve të huaja në këto 87 vende, Shqipëria rezulton me 95 përqind për investimet në mbarë sektorët, duke tejkaluar me 5 përqind vendet e OECD-së, vendet e zhvilluara, dhe me 2 përqind vendet e rajonit. Ndërsa për të filluar një biznes, - vijoi Kryeministri, - Shqipëria arrin në 98 përqind, kundrejt 71 përqind që është mesatarja e vendeve të OECD-së dhe po 71 përqind mesatarja e vendeve të rajonit.
“Pas vlerësimit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara me çmimin e dytë në botë për transparencën, për shkak të prokurimeve 100 përqind elektronike, ky vlerësim përbën një ndër arritjet më madhore në vlerësimin e reformave tona në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit. Ky është mesazhi më i shkëlqyer, më inkurajues, që ky vend i dërgon komunitetit ndërkombëtar të biznesit. Mbetet që përpjekjet të shtohen në të gjithë sektorët dhe Shqipëria të kapë 98 përqind në çdo fushë të lidhur me biznesin”, u shpreh Kryeministri.
08/07/2010