E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton rritjen e pagave për administratën, përveç rrogave të larta

- Rrogat e mjekëve do të rriten me 11 përqind; rrogat e infermierëve me 9 përqind; rrogat e mësuesve do të rriten me 6 përqind. Pagat e ushtarakëve aktivë në Forcat e Armatosura të RSH, të nëpunësve të administratës së prefektit, të nëpunësive të institucioneve në varësi të ministrive, të punonjësve të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri, të punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit, të punonjësve të sistemit doganor, të nëpunësve të shërbimit pyjor, të punonjësve të sistemit tatimor, të punonjësve të Policisë së Shtetit, do të kenë një rritje nga 4 deri në 5.2 përqind. Rrogat e ulëta do të rriten me 10 përqind dhe, kësaj radhe, nuk do të rriten asnjë nga rrogat e larta.

Këshilli i Ministrave miratoi, gjatë një mbledhje të zhvilluar pasditen e sotme, rritjen e pagave për administratën, përveç pagave të larta. Rritja e pagave, - u shpreh Kryeministri, - vjen në një kohë kur në tërësi pagat po ulen, por ne nuk kemi arsye të heqim dorë nga qëndrimi dhe nga premtimi ynë. Kryeministri theksoi se të ardhurat e realizuara këtë gjashtëmujor, prej 151 miliardë lekë, bëjnë plotësisht të mundur rritjen e rrogave të administratës, pa pasur asnjë ndikim mbi borxhin dhe rritjen e tij.

“Ne kemi shumë kënaqësi që rrisim rrogat. Dua të informoj këtu për disa nga këta sektorët: rrogat e mjekëve do të rriten me 11 përqind; rrogat e infermierëve me 9 përqind; rrogat e mësuesve do të rriten me 6 përqind. Pagat e ushtarakëve aktivë në Forcat e Armatosura të RSH, të nëpunësve të administratës së prefektit, të nëpunësive të institucioneve në varësi të ministrive, të punonjësve të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri, të punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit, të punonjësve të sistemit doganor, të nëpunësve të shërbimit pyjor, të punonjësve të sistemit tatimor, të punonjësve të Policisë së Shtetit, do të kenë një rritje nga 4 deri në 5.2 përqind. Rrogat e ulëta do të rriten me 10 përqind dhe kësaj radhe nuk do të rriten asnjë nga rrogat e larta. Propozimi i bërë për të rritur me 2.5 përqind rrogat e larta, të Presidentit të Republikës dhe rrogat e lidhura me të, rroga e Kryeministrit, të ministrave, të zv/ministrave dhe posteve të tjera politike, nuk do të miratohet. Ne do të bëjmë rritje të të gjithë rrogave të tjera, përveç të lartave. Shpresoj që kjo masë e qeverisë të përshëndetet edhe nga opozita,pasi ky ishte dhe një propozim i saj dhe unë e kam gjetur, absolutisht, të goditur propozimin e tyre” u shpreh Kryeministri.

Më tej, Kryeministri Berisha theksoi se rritja e rrogave ka të bëjë, para së gjithash dhe mbi të gjitha, me investimin në burimet njerëzore. Ne, - u shpreh Kryeministri, - i jemi përmbajtur dhe do t’i përmbahemi kësaj politike, me bindjen më të thellë se ky është investimi më i rëndësishëm që mund të bëjmë.


08/07/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›