Kryeministri Berisha përshëndet rezolutën e Asamblesë së PPE për Shqipërinë dhe nismën e grupit parlamentar të PD për kufizimin e imunitetit
Kryeministri Berisha iu adresua sot grupit të deputetëve të Partisë Demokratike, në takimin e tyre javor. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha përshëndeti rezolutën e miratuar nga Asambleja Politike e Partisë Popullore Europiane, e cila grupon 75 parti të qendrës së djathtë, pjesë e së cilës është edhe Partia Demokratike e Shqipërisë, kushtuar zhvillimeve në Shqipëri. Në mbledhjen e grupit, u prezantua edhe projektpropozimi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, drejtuar parlamentit shqiptar për kufizimin e imunitetit të deputetëve, e adaptuar sipas modelit të parlamentit të Republikës Federale të Gjermanisë. Një iniciativë, e cila u përshëndet dhe u vlerësua nga kryeministri gjatë fjalës së tij.
“Së pari, zonja deputete dhe ju zotërinj deputetë, dua t’ju uroj gëzuar këtë ditë, ditë në të cilën njeriu nderon një nga virtytet e vlerat më të mëdha, më të fuqishme, më të rëndësishme të jetës së tij, dashurinë, forca e së cilës përbën një nga motivet më thelbësore të përpjekjeve fisnike dhe të arritjeve të njeriut. Kështu, le të urojmë këtë ditë për njëri-tjetrin, për të gjithë njerëzit tanë, për të gjithë qytetarët shqiptarë, të urojmë ditën e dashurisë. Zoti Patozi thotë se kjo ditë ka rastisur gjithnjë kur kemi mbledhjen e gripit parlamentar.
Zonja deputete,
zotërinj deputetë,
Jam sot këtu, për t’i shprehur mirënjohjen time më të thellë Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane, për rezolutën e saj kushtuar zhvillimeve në Shqipëri. Partia Popullore Europiane është grupi politik më i madh e më i fuqishëm në Europë, është grupi politik i 75 partive të qendrës së djathtë, parti, të cilat kanë ndërtuar Europën e pas luftës, parti, të cilat sot janë shumicë dërrmuese në qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, në Komisionin Europian, në Parlamentin Europina, në të gjitha institucionet e mëdha europiane. Këto parti, me të cilat Partia Demokratike e Shqipërisë ka pasur lidhje organike që në themelimin e saj e në vazhdim, pas një shqyrtimi të hollësishëm të zhvillimeve në Shqipëri, informacioneve të dërguara nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe qeveria shqiptare, por ju garantoj edhe nga dhjetëra burime të tjera, kanë miratuar në forumin e saj që është Asambleja Politike e Partisë Popullore Europiane, në të cilën përfaqësohen me Sekretarin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i cili në statutin e këtyre partive emërohet dhe varet direkt nga kryetrari i partisë dhe përcjell njësoj si zëdhënësi qëndrimin e kryetarit të partisë në çdo rrethanë.
Të enjten e kaluar, në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane u debatua gjerësisht mbi zhvillimet politike në Shqipëri dhe u miratua me unanimitet një dokument historik për Partinë Demokratike, forcat demokratike shqiptare, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dokument, në të cilin, para së gjithash e mbi të gjitha, shprehet vlerësim i plotë dhe mbështetje totale për reformat e kësaj mazhorance, për qëndrimin dhe përpjekjet e kësaj mazhorance, për suksesin e reformave të saj në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Rezoluta dënon në një rast unik për një vend të lirë që nga lufta e Dytë Botërore gjer më sot, përpjekjet e zotit Edi Rama në krye të Partisë Socialiste për të përmbysur me dhunë qeverinë legjitime të Shqipërisë.
Zotërinj deputetë,
Kjo përbën një ndëshkim madhor ndërkombëtar për kryetarin e Partisë Socialiste dhe atë grup bllokmenësh të rinj, që në krye të saj e rikthyen Partinë Socialiste në një parti dhune, taktikash e mjetesh të dhunshme, për të marrë pushtetin. Kjo përbën njëkohësisht një nga qëndrimet më të prera që është mbajtur ndonjëherë në historinë e Europës pas luftës, ndaj një force politike të një spektri politik. Cilado që kanë qenë forcat politike, parti e Sheshelit, e Millosheviçit apo e cilitdo, nuk kanë të regjistruar një rezolutë, në të cilën të dënojnë përpjekjet për të marrë me dhunë pushtetin.
Nuk ka dyshime se ky akt i shëmtuar dëmton në mënyrë të padiskutueshme jo vetëm imazhin, por edhe më shumë se imazhin e Shqipërisë cenon interesat personale të çdo shqiptari, pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Ky akt, i organizuar me 200-300 bashibozukë, mercenarë, të inkriminuar, vrasës, përdhunues e trafikantë droge, siç rezultojnë nga shqyrtimi i policisë 321 të tillë, rëndon e dëmton interesat personale të çdo qytetari shqiptar, pasi interesat europiane nuk janë më interesa të përgjithshme apo eterike. Jo! Interesat europiane të shqiptarëve janë interesa personale, familjare, të fëmijëve, burrave e grave, familjeve, sepse mbi bazën e plotësimit të këtyre interesave, shqiptarët lëvizin sot të lirë në mbarë Europën, mbi bazën e plotësimit të këtyre interesave, shqiptarët do të kenë mbështetje shumë herë më të fuqishme për të realizuar objektivin e tyre, për t’u shndërruar në vend të zhvilluar.
Zonja dhe otërinj deputetë,
Rezoluta e 75 partive të qendrës së djathtë europiane është e paprecedent në konstatimet e dënimet e saj. Më lehoni t’ju kujtoj se kjo rezolutë thekson:
Rezolutë mbi gjendjen në Shqipëri, adoptuar nga Asambleja e Partisë Popullore Europiane, më 11 shkurt të vitit 2011, Bruksel.
Partia Popullore Europiane njeh se në datën 21 janar, sipas një skenari të paralajmëruar, lideri i Partisë Socialiste të opozitës Edi Rama organizoi një rrethim prej 5 orësh, me sulme të dhunshme ndaj Këshillit të Ministrave, në një përpjekje të dështuar për të marrë pushtetin me dhunë. Ky është vlerësimi për datën 21 janar i partive që qeverisin sot Gjermaninë, Francën, Italinë e numrin më të madh të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Qytetarët shqiptarë kanë pasur e kanë në këto forca politike, qeverinë dhe udhëheqjen e tyre, mbështetjen më të fuqishme të aspiratave të tyre europiane.
Rezoluta vazhdon se Partia Popullore Europiane njeh se ka një tension politik në vazhdim midis qeverisë shqiptare të Sali Berishës, të zgjedhur në zgjedhje të lira e të ndershme dhe opozitës socialiste. E vërteta është se skenari vazhdon. Ajo që shqiptarët panë në parlamentin shqiptar është dëshmia më flagrante e vazhdimit të skenarit të dhunës. Akt, të cilin, në emër të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e dënuan me forcën më të madhe përfaqësuesit e tyre në Tiranë.
Rezoluta thekson se Partia Popullore Europaine njeh se stabiliteti i demokracisë shqiptare është vendimtar për ambiciet europiane të Shqipërisë. 75 partitë e qendrës së djathtë europiane në dokumentin e tyre kushtuar Shqipërisë theksojnë se mirëpresin dhe vlerësojnë përpjekjet bindëse, reformat e qeverisë së Partisë Demokratike e Kryeministrit Sali Berisha, për të plotësuar kriteret politike të nevojshme për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
75 partitë politike të qendrës së djathtë të Europës mirëpresin dhe vlerësojnë përparimin e dukshëm e të qëndrueshëm, në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2009. Partia Popullore Europiane, grupi më i fuqishëm politik i kontinentit mirëpret dhe vlerëson faktin se shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë mbështesin fuqishëm procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Partia Popullore Europiane vlerëson dhe mbështet kontributin e qëndrueshëm të komunitetit euroatlantik të sigurisë të Shqipërisë, si një anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut.
75 partitë të qendrës së djathtë të Europës vlerësojnë dhe mirëpresin rezultatet e hetimit të prokurorit lidhur me rezultatin e procesit të numërimit në rajonin e Shkodrës, i cili dëshmoi se diferenca nga rezultati zyrtar, i shpallur për zgjedhjet e qershorit 2009, ishte një votë. Pra, vetëm një votë ishte ajo, ku bazohet qëndrimi obstruksionit dhe antidemokratik i bllokmenëve të rinj, të kryesuar nga Edi Rama ndaj zgjedhjeve të lira. Jo rastësisht dhe duhet ta keni shumë të qartë se kjo është shkruar dhe vendosur këtu si një dëshmi shumë e rëndësishme e faktit se ky zotëri apo ky shok bazoi një qëndrim të tërë dy vjeçar në një megamashtrim të pashembullt në vjedhjen e votës. Prokurori i Shkodrës konfirmoi se kishte diferencë vetëm një votë dhe kjo ishte, në mos gaboj, në favor të atyre që u ankuan. Ju rrëfej edhe një histori. Ky zotëri i jep një gazetari të Uashington Post si dëshmi për vjedhjen e votës rastin e çiftit Bakallit. Gilman Bakalli kishte deklaruar se as bashkëshortja ime nuk kishte votuar për mua dhe në qendrën e votimit kam marrë vetëm një votë. Gazetari investigues merr procesverbalin e qendrës së votimit dhe rezultonte se Gilman Bakalli kishte marrë 13 vota, pra, jo vetëm që e shoqja kishte votuar, por edhe ndonjë shok a shoqe e tij kishte votuar për të. Kjo është e vërteta se këtu e bazojnë trillimin.
75 parti të qendrës së djathtë europiane të grupuar në Partinë Popullore, në rezolutën e datës 11 shkurt shprehen se: ne inkurajojmë qeverinë shqiptarë të vazhdojë kursin e reformave për të prurë vendin më afër në procesin e integrimit të plotë në Bashkimin Europian. Unë dua t’i garantoj se kjo mazhorancë, kjo qeveri do të bëjë gjithçka, do të bëjë çdo përpjekje, do të përdorë të gjitha mekanizmat kushtetuese ligjore në mënyrë që asgjë të mos mund të bllokojë reformat jetike për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, jetike për interesat personale. E theksoj edhe një herë se interesat e integrimit të shqiptarëve në Europë janë interesa personale, janë grupi i interesave më fisnike, më të ndershme, më të drejta.
Anëtarët e Partisë Popullore Europiane, prej 75 partish politike të qendrës së djathtë të Europës, në rezolutën e datës 11 shkurt 2011, shprehen se: ne dënojmë përdorimin e taktikave dhe mjeteve të dhunshme nga zoti Edi Rama, për të përmbysur qeverinë legjitime të Shqipërisë, të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Ky, të dashur qytetarë e qytetare, është rasti i vetëm në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore që ato forca politike që themeluan Bashkimin Europian, që ndërtuan Europën e pas luftës, që me prosperitetin e madh që u garantuan popujve të tyre bënë që perdja e hekurt të shkrihej nga valët e lirisë, dënoi personalisht me emër kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Edi Rama për përdorimin e taktikave dhe mjetet e dhunës, për të përmbysur një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike, në mënyrë legjitime. Unë shfrytëzoj rastin t’i shpreh mirënjohjen më të thellë miqve të Partisë Demokratike, të kombit shqiptar, të demokracisë shqiptare dhe Shqipërisë dhe t’i garantoj se nuk ka forcë që do mund të nëpërkëmbë rendin kushtetues të këtij vendi, t’i garantoj se kjo qeveri, kjo mazhorancë ka nderuar dhe do të nderojë me vendosmërinë më të madhe, me tolerancë të plotë liritë e të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Partitë e qendrës së djathtë janë parti që nuk bazohen në asgjë tjetër, veçse në liritë e të drejtat e individit. Ideologjia e tyre janë vlerat. Liritë dhe të drejtat e individit për këto parti, për programet e qeveritë e tyre janë sa njerëzore, aq edhe hyjnore.
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Bllokmenët e rinj, bazuar në këtë liri e të drejtë të njohur nga Kushtetuta, organizuan nga viti 2005 e gjer më sot 1730 protesta, të formave nga më të ndryshmet. Ne ndjehemi krenar se në të gjitha raportet ndërkombëtare është e sanksionuar se nuk ka pasur asnjë kufizim të lirisë së protestave, të mbledhjeve. Ne ndjehemi krenar se në 1730 protesta janë respektuar 1730 herë në përputhje me Kushtetutën ligjet e vendit, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, liritë e të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Ne garantojmë 75 partitë si motra se ne qëndrojmë të vendosur e të palëkundur në besimin tonë tek vlerat themelore mbi të cilat ne qëndrojmë, në respektimin e plotë të lirive dhe të drejtave. Por ne gjithashtu garantojmë partitë si motra, garantojmë qytetarët shqiptarë se asnjë aventurier, asnjë haxhi qamil, askush nuk do mund të mposhtë institucionet e këtij vendi të lirë, rendin kushtetues të tij. Kjo nuk do mund të ndodhë kurrë. E them kurrë se një agresion i jashtëm do të përballej me NATO-n, ndërsa përpjekje aventurierësh të brendshme do të marrin atë që meritojnë. Institucionet e këtij vendi do të mbrohen me çdo kusht e me çdo çmim. Mjerë ata që guxojnë t’i prekin ato. Ne qëndrojmë fuqishëm prapa Kushtetutës e ligjeve të vendit. Vendosmëria jonë është totale për mbrojtjen e tyre, përndryshe nuk mbrojmë dot liritë e të drejtat e qytetarëve. Vendosmëria jonë është totale për mbrojtjen e tyre, përndryshe ne nuk ndërtojmë dot të ardhmen, nuk mund të jemi shoqëri e lirë.
75 parti të qendrës së djathtë europiane të grupuar në Partinë Popullore, organizmit politik më të fuqishëm të Europës, në rezolutën e tyre të 11 shkurtit theksojnë: ne i bëjmë thirrje opozitës shqiptare dhe zotit Edi Rama të ndërprerë përdorimin e mjeteve dhe taktikave të dhunës për qëllime politike. Kjo përbën një damkë e dënim të madh për ata që e shndërruan opozitën shqiptare në parti dhune, në partinë e vetme në Europë që përdor dhunën.
Të përmbahet nga çdo eskalim politik tjetër. Por pikërisht në ditën kur votohej kjo rezolutë, Edvin Kristaq Rama urdhëroi kthimin e skenarit në sallën e parlamentit.
Më tej, të respektojë e punojë brenda institucioneve të Shqipërisë dhe në veçanti të marrë pjesë plotësisht në punimet e parlamentit. Natyrisht, këtë nuk e pranojnë dot ata, të cilët e konsiderojnë integrimin europian si fundin e tyre, ata që e konceptojnë Shqipërinë si çifligun e tyre, të kupolës që udhëheqin, nuk mund të pranojnë të ndjekin rregullat e demokracisë.
Ne i bëjmë thirrje, thekson rezoluta, Partisë Socialiste të bashkëpunojë me mazhorancën e zgjedhur për përmirësimin e kuadrit zgjedhor, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, të angazhohen në mënyrë konstruktive në përgatitjen e procesit zgjedhor, të përmbushë detyrimet ligjore e të marrë plotësisht pjesë në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011.
Zonja e zotërinj deputetë,
Edhe një herë, në emrin tuaj, dua të garantoj qytetarët shqiptarë se në 8 maj do të votojnë më të lirë se kurrë në historinë e tyre, se në 8 maj vota e vullneti i tyre do të respektohet nga kjo qeveri dhe do të bëjmë gjithçka, duke përparësuar si objektiv lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve.
Unë jam gjithashtu këtu, për të njohur shqiptarët se çdo ditë zoti Edvin Kristaq Rama i thotë kupolës së tij se ne nuk do të marrim kurrë pjesë në 8 maj në zgjedhje dhe se ne do ta zvarrisim vendin, siç e zvarritëm atë në vitin 2007. Tani më duhet t’i them se zgjedhjet do të bëhen në 8 maj dhe nuk do të ketë forcë që do mund t’i zhvendosë ato. Garantoj opozitën se do të ketë të gjitha hapësirat që duhet të ketë në një garë elektorale, të një vendi e shoqërie të lirë. Por dua t’ju informoj, të dashur deputete e deputetë, se në takimin tim me përfaqësuesin e Departamentit të Shtetit, në aktin më miqësor shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për të kontribuar në transparencën e këtyre zgjedhjeve. Dhe përgjigja ime ishte: ju garantoj se qeveria ime do t’u japë çdo atribut ligjor që të duhet përfaqësuesit të vendit tuaj apo cilido vendi tjetër në këto zgjedhje. Ne nuk kemi asnjë qëllim tjetër, përveç transparencës. Ata janë shumë të mirëpritur të monitorojnë në çdo qelizë këtë proces, që ne do ta shndërrojmë në një festë të vërtetë të vlerave dhe demokracisë shqiptare. Ky është vendimi ynë. Ne qëndrojmë me çdo kusht, me çdo çmim në respektimin e Kushtetutës së këtij vendi. Asgjë nuk ka më themelore për lirinë, të ardhmen e qytetarëve shqiptarë, sesa kushtetutshmëria. Të gjitha ata që lexojnë në doktrinën e demokracisë, kushtetutshmëria është një nga shtyllat më kryesore të saj, një nga kushtet më themelore të ekzistencës së sistemit demokratik. Ndaj dhe ne qëndrojmë plotësisht të vendosur në mbrojtje të saj.
Rezoluta e 75 partive të qendrës së djathtë që janë në shumicë qeverisëse në vendet anëtare të Bashkimit Europian, në institucionet europiane, partitë që kanë ndërtuar Europën e pas luftës, shprehet se: ne bëjmë thirrje për një hetim të pavarur, profesional e gjithëpërfshirës për ngjarjet para, gjatë dhe pas 21 janarit. Ne përshëndesim kërkesën e Kryeministrit Berisha për asistencë ndërkombëtare.
Dua të garantoj partitë si motra, udhëheqjen e tyre politike se ne jemi të përcaktuar tërësisht dhe totalisht në respekt të plotë të institucioneve të vendit dhe Kushtetutës, për hetim të pavarur, të gjithanshëm e gjithëpërfshirës. Ne shprehim mirënjohjen e thellë ndaj qeverisë së SHBA që u angazhua me ekspertët e saj të një kualifikimi shumë të lartë, për të ndihmuar Shqipërinë e shqiptarët dhe aspak një forcë të caktuar politike, në procesin e këtij hetimi. Ne konstatojmë një përpjekje të vazhdueshme për degradimin e këtij procesi, për qëllime politike. Ne konstatojmë se integriteti i këtij procesi është thellësisht i kompromentuar, për shkak të botimit të përditshëm të të gjitha dokumenteve nga selia e Partisë Socialiste në mediat që ajo kontrollon dhe komunikimit direkt të prokurorëve me këtë seli. Ne konstatojmë se mandatet e arrestit ndaj të gjithë zinxhirit të komandës së Gardës së Republikës u faktua se ishin kryekëput politikisht të motivuara. Ne konstatojmë se sërish vazhdon me një përpjekje të pafrenuar për të realizuar qëllime politike. Në një kohë kur mbrojtësit penalizohen pa asnjë fakt, organizatorët e mercenarëve e bashibozukëve drekojnë e darkojnë me prokurorët e hetimit. Ne garantojmë partitë si motra europiane, por edhe qytetarët shqiptarë se jemi të vendosur që këto ngjarje të zbardhen deri në fund dhe ky është kushti më themelor i paqes e stabilitetit në këtë vend. Ata që mendojnë se do t’i kapërcejnë me këto mekanizma, e vërteta është se para së gjithash ato lozin me interesat e qytetarëve shqiptarë, por edhe me veten e tyre, sepse një detyrë e ngarkuar dhe e besuar duhet përmbushur dhe jo nëpërkëmbur.
75 partitë politike të qendrës së djathtë europiane e përfundojnë rezolutën e tyre historike të 11 shkurtit 2011 për zhvillimet në Shqipëri me thirrjen drejtuar vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për të mbështetur politikën e reformave të qeverisë shqiptare që ka si qëllim të arrijë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Sigurisht unë shpreh mirënjohjen e thellë dhe garantoj qeveritë e vendeve anëtare të qendrës së djathtë se kjo qeveri nuk do të lërë përpjekje pa bërë për ta afruar vendim me standardet, normat e praktikat europiane. Sikundër kjo qeveri ka vetëdije të thellë se çfarë do të thotë për to, vendimmarrësit e tyre, një vend, në të cilin opozita përdor dhunën për të marrë pushtetin. Nuk ka dyshim që kjo përbën një goditje shumë të rëndë për procesin e integrimit. Nuk ka dyshim që kjo është goditja më e madhe që mund t’i jepej këtij procesi, por, nga ana tjetër, unë i garantoj qytetarët se do bëjmë çdo përpjekje, do të shfrytëzojmë çdo hapësirë e mundësi që Kushtetuta e vendit na jep, për të realizuar brenda institucioneve dhe kuadrit ligjor detyrimet që rrjedhin dhe kërkesat që duhen plotësuar për të arritur standardet, praktikat, kriteret që një vend kandidat duhet të përmbushë.
Natyrisht, përpjekje e rrëzimit të qeverisë legjitime me dhunë nuk ka asgjë të përbashkët me aspiratën e një kombi dhe të një vendi, për të marrë statusin e kandidatit, por ne nuk tërhiqemi dhe do të bëjmë gjithçka për të rikuperuar dëmin e pallogaritshëm që grupi i bllokmenëve të rinj në krye të Partisë Socialiste i bënë vendit, i bënë idealit europian të shqiptarëve, për karrige dhe pushtet të një njeriu që e do atë me dhunë, se nuk e merr dot me votë.
Mendoj se rezoluta duhet të studiohet në të gjitha seksionet e degët e Partisë Demokratike. Ne jemi pjesë e kësaj familjeje dhe qëndrojmë plotësisht në vlerat, qëndrojmë plotësisht në kuadrin dhe ligjet e saj.
Zonja dhe zotërinj deputetë, tani e kryetari i grupit parlamentar të mazhorancës do të paraqesë një projektpropozim drejtuar parlamentit.”
Pas prezantimit të projektpropozimit për kufizimin e imunitetit të deputetëve, sipas modelittë parlamentit gjerman, Kryeministri Berisha u shpreh lidhur me këtë propozim:
“Zonja dhe zotërinj deputetë
Mendoj se jemi para një vendimi jashtëzakonisht të rëndësishme, që kjo mazhorancë merr në interesin më të mirë të demokracisë shqiptare. Në interesin më të mirë të qeverisjes së përgjegjshme, në interesin më të mirë të luftës kundër korrupsionit, në interesin më të mirë të transparencës.
Me këtë vendim duke adaptuar pikë për pikë, praktikën mbi 40 vjeçare të parlamentit gjerman, vend i cili deputetët nuk ka në vendosur të ndryshojnë kushtetutën, por të adaptojnë një praktikë të tillë. Kjo përbën zhvillimin më pozitiv në reformat tona në luftën kundër korrupsionit, reforma të vazhduara.
Zonja dhe zotërinj deputetë
Duke ju falënderuar me shumë mirënjohje, ju , për mbështetjen e madhe që ju dhatë reformave kundër korrupsionit, duke dhënë shembullin personal, siç ishte rasti i veturave. Dua tu garantoj se miqtë e mëdhenj të këtij vendi, më ishin shprehur se ne kishim mbetur vendi i vetëm në Europë, që deputete mbajnë vetura. Më kishin deklaruara : “Sali pse ju si parti nuk jepni vetë shembullin”, dhe ne e dhamë shembullin, ne arritëm në një standard të shkëlqyer. Ne sërish japim shembullin dhe e bëjmë këtë, në një kohë kur kemi përballë një prokurori, që fle mbi qindra e qindra dosje të ish qeverisë së mëparshme dhe qeveritarëve vendor socialistë dhe ka hapur qindra çështje penale, ndaj qeverisë dhe administratës aktuale, për të cilat unë e falënderoj.
Ndonëse, njëanësia e saj është shërbimi më i keq, që ajo i bënë zbatimit të ligjit, por dhe opozitës shqiptarë. Megjithatë ne me këtë vendim, heqim çdo lloj pengese burokratike dhe bëhemi të barabartë me çdo qytetar shqiptare, me secilin nga zgjedhësit tanë para ligjit dhe kjo është një arritje e madhe.
Zonja dhe zotërinj deputetë
Këto kohë është folur gjithnjë e më shumë për korrupsionin, por në rast se dalim jashtë politikave dhe përdorimit politik dhe ju referohemi dokumenteve ndërkombëtare, ato faktojnë në mënyrën më të qartë dhe më të kristaltë se kjo mazhorancë,e mori Shqipërinë në një kohë kur renditej në 24 vendet më të korruptuara të planetit dhe bëri, që ajo të lërë prapa mbi 95 të tilla. Se kjo mazhorancë ka bërë që Shqipëria në raport me regjistrimin e biznesit dhe investimet në tërësi të qëndrojë shumë pikë mbi mesataren e vendeve më të zhvilluara të botës që grumbullohen në organizatën e OECD, se kjo mazhorancë me vullnetin e saj të hekur, ia doli të shndërrojë Shqipërinë në vendin e parë në botë për prokurimet elektronike.
Kjo mazhorancës, korporatat, te cilat ishin më parë gjigandë të vdekur të korrupsionit i privatizoi apo po i privatizon me shpejtësi të gjithë sipërmarrje dhe kjo mazhorancë, po ecën me shpejtësi drejt procedurave më transparente dixhitale, në çdo drejtim të saj,kriterin më themelor ka kriterin anti korrupsion. Nga ana tjetër, Shqipëria ka një monument të shëmtuar të korrupsionit. Shqipëria ka një faktor në të cilin ajo renditet e 173 në botë për korrupsionin, pra renditet ne 3 ose 4 vendet më të korruptuara të planetit dhe kjo është procedura e dhënies së lejes së ndërtimit. Banka Botërore i ka dhënë përgjigjen përfundimtare se ku qëndron ky monument. Është ky në Vlorë, në Shkodër apo gjetiu? Në studimin e saj në rajon në 19 qytete, Banka Botërore ka gjetur se në Shkodër dhe Vlorë, lejet e ndërtimit kanë të njëjtin standard me Londrën dhe Parisin, të njëjtën kohëzgjatje, por ka gjetur se në Tiranë lejet e ndërtimit e rendisin këtë qytete në vendin e 173 në botë, pra këtu në Tiranë është dhe bajlozi i zi i korrupsionit. Këtu në Tiranë është dhe monumenti i korrupsionit dhe ky nuk është askush tjetër, veçse ai që bërtet nga mëngjesi deri në darkë, kusarët, kusarët, kusarët, paçka se i shet lejet e ndërtimit me 20% dhe qindra milion për një pallat, por dhe ndaj kësaj ne do të qëndrojmë.
8 Maj, është dita në të cilën shqiptarët do të dinë të përgjigjen edhe ndaj këtij fenomeni dhe do ti japë një përgjigje të merituar, nuk do të pranojnë më të ndëshkohen. Pse në Tiranë duhet 336 ditë për të marrë një lejë ndërtimi dhe kjo nuk është llogari e Sali Berishës, jo, është llogari e Doing Business, e Bankës Botërore, sepse kaq shumë duhet të piqet dhe stërpiqet, kaq shumë duhet të tundet dhe të shkundet ajo leje ndërtimi, që në procesin e alkimizmit të korrupsionit ajo bëhet platin, behet diamant për ata që e posedojnë, në procesin e alkimizmit të korrupsionit dhe përpunimit të saj, kjo leje duhet të zieje në kazan 336 ditë duhet të thahet dhe të trajtohet në të gjithë klinizmat në mënyrë që të mund të dalë dhe të japë jo më si dikur para 5-6 vjetësh me 3 apo 5 apartamente apo një kat, por tani për 35 kate te Liqeni duhen 6 kate dhe prandaj pallati bëhet me 35 kate, sepse 6 katëshi ishte me 20%. Tani çirret dhe bërtet e për privatizimet. Do i njohim shqiptarët ne me platformën e tij për privatizimet, do jua faktojmë shqiptarëve se çfarë u ofron ky zotëri ky shok për privatizimet, e ka të gatshme matriksin e ka në sirtarë për pasuritë e tyre. Ndaj dhe me këtë akt zoti Patozi unë kam kënaqësinë ta firmos i pari atë deklaratë.”
14/02/2011