Kryeministri Berisha inauguron shkollën “Meleq Gostinishti”, në Përmet, investim me vlerë 60 milionë lekë
Kryeministri Berisha e nisi këtë vizitë nga qyteti i Përmetit, ku ishte i pranishëm në inaugurimin e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare “Meleq Gostinishti”, një investim me vlerë rreth 60 milion lekë, financim nga projekti CBA (qeveria shqiptare, Banka Botërore, Banka e Këshillit të Evropës dhe Banka Evropiane e Investimeve). Shkolla ka 22 klasa, palestër, terren sportiv, bibliotekë, laborator informatike, laborator virtualë, laborator kimie, biologjie dhe fizike, të pasuruar me bazë të re didaktike.
Kjo shkollë ka, gjithashtu, numrin më të madh të nxënësve të riatdhesuar në shkallë rrethi, për të cilët janë hartuar plane dhe janë marrë masa konkrete në mënyrë që edhe këta nxënës të integrohen me moshatarët e tyre.
Investimet e qeverisë në rrethin e Përmetit, në vitet 2005-2013, janë përqendruar kryesisht në infrastrukturën rrugore dhe janë asfaltuar tërësisht rrugët Petran-Ujërat Termale, kryqëzimi i SMT-së – Bodar, është në rikonstruksion të plotë rruga Këlcyrë-Ballaban, si edhe është investuar në ujësjellës – kanalizime në fshatrat Qilarisht, Petran, Çarshovë, pa lënë mënjanë edhe subvencionet në bujqësi e blegtori, ullishte e vreshtari.
Kryeministri Berisha u shpreh, në fjalën e tij, se qeveria e shpallur arsimin si çështjen më serioze të kombit tonë ka ndërtuar e rindërtuar gjatë këtyre viteve mbi 1300 shkolla dhe “katër vitet në vazhdim do të përfundojë rindërtimin dhe ndërtimin e të gjithë shkollave të mbetura pa ndërtuar dhe rindërtuar në Shqipëri”.
“Ne,- tha Kryeministri, - në një hark kohor 6-vjeçar kemi rritur rrogat e mësuesve nga 120-140 përqind, sipas kategorive. Ne ju garantojmë se mbështetja e fuqishme për mësueset dhe mësuesit e vendit do të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë”.
Më tej, Kryeministri u shpreh se “do të bëjmë gjithçka që çdo fëmijë të ndjekë shkollën” dhe se “sot Shqipëria ka ndër nivelet më të larta në Evropë dhe në botë në ndjekjen e shkollave”.
“Sot, - tha Kryeministri, - Shqipëria ka nevojë të orientojë sistemin e saj arsimor drejt arsimit profesional. Arsimi profesional duhet të marrë të gjithë dimensionet, në mënyrë që ne të përshtatemi më mirë me tregun dhe kushtet e tij”.
Në Përmet, gjatë këtyre viteve, janë rikonstruktuar me fondet e qeverisë të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, nga komuna Çarshovë në skajin jugor e deri në komunën Ballaban, skaji më verior i rrethit.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Të dashur nxënëse dhe nxënës, prindër, mësuese dhe mësues të shkollës “Meleq Gostinishti”,
zotërinj ministra, deputetë, qeveritarë vendorë,
zoti drejtor i shkollës,
Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë që inaugurojmë sot një shkollë të standardeve më të avancuara, të standardeve të vërteta evropiane. Ky është një investim prej 60 milionë lekë dhe shkolla është e pajisur me bibliotekë, laborator të kimisë, të fizikës, të informatikës, laboratorë virtualë, palestër dhe të gjitha anekset që i nevojiten një shkolle moderne.
Shkolla që inauguruam sot ka në klasat e saj 20-25 nxënës, standardin më të mirë që duhet të ketë një shkollë. Shpreh, gjithashtu, kënaqësinë time se gjatë këtyre viteve, duke e shpallur arsimin si çështjen më serioze të kombit tonë, ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla. Kjo me qëllimin e vetëm që fëmijët tanë të ulen në bankat e shkollave në kushte të njëjta me ato të bashkëmoshatarëve të tyre në vende të tjera evropiane. Ne këtu në Përmet kemi ndërtuar dhe rindërtuar pothuajse çdo shkollë, në të katër anët e këtij rrethi. Ne kemi vendosur mësuesen dhe mësuesin në epiqendër të përpjekjes sonë për një arsim dhe një sistem edukimi të avancuar, të standardeve më të mira. Ne u besojmë atyre fëmijët tanë, u besojmë mëkimin e dijes, mëkimin e edukatës qytetare, mëkimin e vlerave qytetare. Pas familjes, shkolla është vatra e dytë e madhe ku fëmijët dhe të rinjtë edukohen edhe formohen si qytetarë, marrin dije edhe ecin drejt së ardhmes.
Në këtë kontekst, në një hark kohor 6-vjeçar, ne kemi rritur rrogat e mësuesve nga 120-140 përqind, sipas kategorive. Ne ju garantojmë se mbështetja e fuqishme për mësueset dhe mësuesit e vendit do të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë. Fati i shkollave tona, suksesi i sistemit të edukimit përcaktohet para së gjithash nga formimi, integriteti, përkushtimi dhe puna e mësuesve tanë, këtyre misionarëve të mëdhenj të edukimit dhe dijes.
Katër vitet në vazhdim do të përfundojmë rindërtimin dhe ndërtimin e të gjithë shkollave të mbetura pa ndërtuar dhe rindërtuar në Shqipëri. Ne do të pajisim me palestra dhe të gjitha anekset e tjera të nevojshme çdo shkollë në territorin e këtij vendi. Ne do ta vazhdojmë mbështetjen e fuqishme ndaj arsimtarëve, mësuesve dhe mësueseve në kualifikimin e tyre.
Të dashur mësuese dhe mësues,
Roli juaj i madh, përpjekja juaj e ndershme për të udhëhequr një proces arsimor të bazuar në teknologjinë më të lartë të informacionit, të bazuar në teknologjinë dixhitale, të bazuar në tekste dhe praktika të reja ka qenë dhe është e një rëndësie të veçantë për suksesin e shkollës sonë. Në këtë proces, ju hasni vështirësi, keni nevojë për mbështetje më të madhe dhe qeveria është e vendosur ta japë atë.
Ata që ju krahasojnë apo ju shpallin më të padijshëm se mësuesit tanë 100 vjet më parë, unë ju këshilloj t’i ftoni në një orë mësimi dhe, para se të flasin për gjëra të pamend si këto, të ulen e të ndjekin orën e mësimit, mënyrën se si e organizoni ju, të shohin shkallën e përgatitjes tuaj. Për sa i përket cilësimit se mësuesit tanë qenkan më të padijshëm se ata që ne kemi pasur 100 vjet më parë, të bësh një deklaratë të tillë do të thotë se të ka mbetur ora 100 vjet mbrapa dhe jo vetëm të fyesh mësuesit e sotëm, por të fyesh edhe ata që themeluan me vuajtje e sakrifica të mëdha arsimin tonë.
Ju po udhëhiqni me zotësi dhe me kompetencë një garë dije, e cila është edhe do të jetë promotori kryesor i zhvillimit të vendit. Ndaj dhe ju ftoj ta vazhdojmë këtë garë. Ju garantoj se për qeverinë gara e dijes është gara e të gjitha garave. Ajo është përcaktuese për suksesin e të gjitha garave të tjera.
Ne do të bëjmë gjithçka që çdo fëmijë të ndjekë shkollën. Zero tolerancë ndaj analfabetizmit. Sot Shqipëria ka ndër nivelet më të larta në Evropë dhe në botë në ndjekjen e shkollave. Sot Shqipëria ka nivelet më të larta të kalimit nga arsimi i detyrueshëm në arsimin e mesëm, 92 përqind të nxënësve. Sot Shqipëria ka ndër nivelet më të larta të kalimit nga shkollat e mesme në universitete, 72 përqind. Sot Shqipëria ka nevojë të orientojë sistemin e saj arsimor drejt arsimit profesional. Arsimi profesional duhet të marrë të gjithë dimensionet, në mënyrë që ne të përshtatemi më mirë me tregun dhe kushtet e tij. Kam kënaqësi të veçantë të konstatoj këtu se në dy vitet e fundit në qarkun e Gjirokastrës janë shënuar hapa të mëdhenj përpara në drejtim të ridimensionimit të arsimit profesional. Unë ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka për zhvillimin e suksesshëm të këtij dimensioni jetik për arsimin tonë.
Edhe një herë ju uroj shumë suksese. Shpreh nderimin tim për mësuesit e kësaj shkolle, për të gjithë mësuesit e Përmetit, mësuesit dhe mësueset e mbarë Shqipërisë. Unë i garantoj ata se do të mbështesim fuqishëm përpjekjen e tyre fisnike për të lartësuar gjithnjë e më shumë cilësinë në sistemin e arsimit tonë.
Gëzuar!”
19/04/2013