Kryeministri Berisha përuron ujësjellësin e ri të qytetit të Bajram Currit

Gjatë vizitës në qytetin e Bajram Currit, Kryeministri Berisha mori pjesë në Inaugurimin e ndërtimit të rrjetit të jashtëm, të ujësjellësit të këtij qyteti, me vlerë 363 milion lekë. Kryeministri tha se me ndërtimin e këtij ujësjellësi zgjidhet përfundimisht problemi i furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë, për zonën e Bajram Currit dhe të disa fshatrave përreth.
“Ky është ujësjellësi i ri, i cili do të furnizojë qytetin, shpresoj edhe Bujanin, edhe pjesën e Cernicës. Është një ujësjellës, i një burimi që është thellë në Alpe dhe që ka ujin e cilësisë më të mirë, është me rrjedhje të lirë dhe jo me pompë, siç është ujësjellësi ekzistues,i cili ka një shpenzim të madh të pompës, por ka edhe përmbajtje të lartë kalciumi. Ky ujësjellës zgjidh problemin e furnizimit me ujë 24 orë. Kompania ka bërë një punë shumë të mirë, është një kompani serioze e cila po punon dhe me sa duket do të përfundojë në të njëjtën kohë edhe rruga dhe ujësjellësi," u shpreh Kryeministri, pas inaugurimit.
15/06/2009