Kryeministri Berisha: Pasuritë tuaja, minierat, pyjet, potenciali turistik, do të shndërrohen me shpejtësi në vlera, në 4 vitet që vijnë
Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mbrëmje një takim me qytetarë të Fushë Arrëzit. Në fjalën e mbajtur në këtë takim, Kryeministri Berisha u shpreh:
"Qytetarë të Fushë Arrëzit,
Mirëmbrëma dhe përshëndetje vëllazërore.
Duke ju përshëndetur vëllazërisht, ju shpreh mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e madhe që ju i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike. Por shpreh gjithashtu kënaqësinë që takohemi së bashku në këtë shesh si qytetar të Shqipërisë anëtare të NATO-s, si qytetar që me mund, me djersë, me përkushtim, realizuam njërën nga dy ëndrrat më të mëdha tonat, ëndrrën atlanciste. Shpreh kënaqësinë dhe krenarinë time që sot bashkohemi në këtë shesh, të gatshëm për lëvizjen e lirë, pa viza, në mbarë Europën, brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë.
Këto katër vite, besimin tuaj, votën tuaj, ne jemi përpjekur ta shndërrojmë në mirësi për çdo shqiptar, në nder për çdo shqiptar, në dinjitet për çdo shqiptar. Në këto katër vite të mandatit tonë të parë, ne jemi përpjekur të ndryshojmë për mirë jetën e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë.
Në qytetin tuaj ne kemi investuar 6 herë më shumë sesa qeveria socialiste. Sot erdha tek ju nga unaza e re që po përfundon. Unë dua të zotohem para jush se mandatin e dytë, qeveria ime do të asfaltojë çdo rrugë të Fushë Arrëzit, Pukës dhe të mbarë Shqipërisë. Dua t’ju premtoj me solemnitet banorëve të Iballës, se rruga e tyre është dhe do të mbetet përparësi madhore e qeverisë sime, por edhe shkurtimin e distancës suaj me Tiranën. Kështu që një nga rrugët e reja do të jetë lidhja juaj me autostradën Durrës- Kukës, me korridorin e kombit.
Për qytetarët shqiptarë, mandati ynë i dytë ka këto objektiva madhorë; Së pari: ujë të pijshëm 24 orë në çdo familje shqiptare. Katër vite më parë ne ju premtuam se do të linim pas terrin dhe errësirën dhe sot Shqipëria ka 24 orë drita dhe do të ketë gjithë kohës. Ne ju premtojmë ujë të pijshëm 24 orë dhe ju garantoj se cilido që të jetë çmimi i këtij premtimi, ne do ta bëjmë atë realitet. Nuk mund të jemi qytetarë europianë nëse rubinetet e shtëpive tona nuk kanë ujë.
Në Europë nuk mund të ndihesh evropian, në rast se nuk ke punë. Ju garantoj se punësimi juaj dhe i gjithë shqiptarëve mbetet përparësia më madhore e qeverisë sime në katër vitet që vijnë. Në Pukë dhe në mbarë Shqipërinë janë të gatshme për t’u ndërtuar qindra hidrocentrale. Pasuritë tuaja, minierat tuaja, pyjet, potenciali turistik, gjatë katër viteve që vijnë do të shndërrohen me shpejtësi në vlera për ju, për mbarë Shqipërinë.
Qytetarë të Fushë Arrëzit,
Në Europë nuk shkohet me xhepa bosh. Unë ju jap fjalën se, ashtu siç dyfishova pensionet e të gjithë fermerëve shqiptarë, ashtu siç rritëm pensionet në qytet 50 deri në 70 për qind, ashtu siç dyfishuam rrogat e mësuesve, të infermierëve, të mjekëve, së bashku do të vazhdojmë t’i rrisim ato për të dalë përpara pensioneve dhe rrogave të 6 vendeve anëtare të BE-së.
Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e Fushë Arrëzit europian, Shqipërisë europiane. Në këto katër vite, do të krijojmë 160 mijë vende pune. Ne kemi në proces e sipër dhe kanë nisur investimet e mbi 5 miliardë euro në fushën e energjisë dhe në fusha të tjera.
Qytetarë të Fushë Arrëzit,
28 qershori po vjen. Në 28 qershor, më shumë se për çdo gjë tjetër, ju votoni për ëndrrën tuaj evropiane, për bërjen e saj realitet, ju votoni për infrastrukturën moderne të Fushë Arrëzit dhe të Shqipërisë, votoni për rrogat dhe pensionet, për shërbimin cilësor shëndetësor dhe shkolla moderne, votoni për punësimin tuaj, votoni për një luftë të egër që do t’i bëjmë së bashku varfërisë. Zotohem para jush se në katër vitet që vijnë nuk do të ketë qytetarë shqiptarë që të marrë nën 2 dollarë në ditë. Ne që nxorëm 400 mijë shqiptarë nga varfëria, ne do t’i japim varfërisë goditjen më fatale në mbarë Shqipërinë.
Këtu në Pukë garojnë 2 deputetë; garon Ndue Paluca, i cili pret ta sillni në parlament me votën tuaj, me besimin tuaj, me shpresën tuaj, që ai t’ju shërbejë ashtu siç ju ka shërbyer. Garon edhe një tjetër, Ndue Kola, i cili i pagoi Edi Ramës gjysmë milioni euro për mandatin e tij. Asnjë votë Edi Ramës.
Kam një thirrje vëllazërore për ju, por këtë thirrje e kam veçanërisht për të gjithë socialistët e Fushë Arrëzit dhe të mbarë Shqipërisë. 28 qershori është ditë e vendimit më të madh. Para se të hidhni votën, mendoni për një moment se me cilin ndiheni më afër, me Sali Berishën, apo me Edi Ramën. Unë kam bindjen më të thellë se ju jeni dhjetëra herë më afër me mua, sesa me Edi Ramën. Ju jeni më afër me mua, sepse se bashku ne kthyem në realitet ëndrrën më të bukur atlanciste, bëmë Shqipërinë anëtare të NATO-s, së bashku i kemi të gjitha garancitë të kthejmë në realitet ëndrrën europiane të të gjithë shqiptarëve. Unë kam bindjen se ndiheni më afër me mua dhjetëra herë më shumë sesa me Edi Ramën. Unë kam faktuar respektin ndaj jush. Sot, çdo i moshuar në fshat merr dy herë më shumë pension se katër vite më parë, në qytet 50 deri në 70 për qind më shumë. Pra, unë e mbaj fjalën time. Ju ndiheni shumëmë afër me mua, sesa me Edi Ramën, sepse ju jeni atdhetar, sepse ju e doni Pukën, e doni Fushë Arrëzin, e doni Shqipërinë.
Me Sali Berishën ju bashkojnë projekte mbarë kombëtare, ndërsa me Edi Ramën ju ndan çelësi i artë i bashkisë së Tiranës që e vendosi në gjoksin e himnizuesit të masakrave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, famëkeqit Bregoviç. Ndaj dhe kënga e tij “cohu cohu” është si çetnik serb. Ne ju duam ju, ne duam çdokënd, ne duam që në projektin tonë europian të jenë të gjithë aktorë, të firmosin të gjithë në 28 qershor. Europa është tashmë blu dhe qeverinë demokratike të Sali Berishës e mbështet Brukseli, Parisi, Berlini, Roma, e mbështesin 24 vende të Bashkimit Europian, që një javë më parë votuan Qendrën e Djathtë, votuan partitë simotra të PD-së.
Qytetarë të Fushë e Arrëzit, demokratë e socialistë dhe të çfarë do bindjeje politike. Me Sali Berishën ju bashkon përpjekja jonë e ndershme për të luftuar varfërinë. Në katër vite ne nxorrëm nga varfëria 400 mijë shqiptarë dhe në katër vitet që vijnë do t’i japim varfërisë goditjen më fatale.
28 qershori është 22 marsi i vitit 1992, por, në rast se në 22 mars ‘92 ne kishim vetëm shpresa e ideale, sot jemi krejt tjetër, sot kemi realizuar ëndrrat tona më të mëdha. Katër vitet që vijnë do të kapim një horizont tjetër më të madh. Ndaj ju ftoj të gjithëve që, në 28 qershor të votoni 10-ën, sepse dhjeta është secili prej jush, është çdo shqiptar, 10-a është e vërteta, 10-a është Fushë Arrëzi, 10-a është Partia Demokratike, 10-a është Shqipëria, 10-a është Europa.”
14/06/2009