Kryeministri Berisha: Në katër vitet ardhshme do t’i japim përgjigje përfundimtare varfërisë së tejskajshme
Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me qytetarë të Pukës. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Qytetarë dhe qytetare të Pukës,
Së pari, ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh kënaqësinë që takohem me ju sot në këtë shesh, si qytetarë të një qyteti dhe të një vendi anëtar të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Aleancës më të fuqishme që kohërat kanë njohur deri më sot.
Shpreh kënaqësinë time të veçantë që këto katër vite ne shndërruam në realitet ëndrrën tonë atlanciste. Ne ndryshuam Shqipërinë më shpejt dhe më shumë se kurrë në historinë e saj.
Duke ardhur këtu te ju, në një rrugë që e kam bërë me qindra e qindra herë, sot e gjeta atë më të mirë se kurrë, ashtu siç ju e meritoni.
Në këto katër vite ne ndërtuam dhe rindërtuam 5900 kilometra rrugë, ndërtuam rrugën e të gjitha rrugëve, korridorin e kombit, rrugën Durrës- Morinë – Prishtinë.
Në këto katër vite, çdo pensionist i fshatrave të Pukës gjen pensionin e tij të dyfishuar, mësuesit e këtij rrethi gjejnë rrogat e tyre të dyfishuara, infermierët dhe mjekët e këtij rrethi dhe mbarë Shqipërisë gjejnë rrogat e tyre të dyfishuara.
Katër vitet që kaluan ishin vitet e përpjekjes sonë të përbashkët për të ndryshuar jetën tonë. Katër vjet më parë, arsimi shqiptar shkretohej çdo ditë e më shumë, sot, profesioni i nderuar i mësuesit, misioni i tij, janë ndër më të preferuarit dhe të kërkuarit në Shqipëri.
Këto katër vite, në Pukë kemi shumëfishuar investimet janë ndërtuar 11 ujësjellës e kanalizime, janë rindërtuar e ndërtuar 7 shkolla, 18 ambulanca, si dhe një seri rrugësh dhe urash në mbarë vendin.
Por unë sot, dua t’ju jap fjalën se katër vitet që vijnë, qeveria ime, çdo komunë të këtij rrethi dhe çdo komunë të Shqipërisë do ta lidhë me rrugë të asfaltuara me rrugët kombëtare. Çdo fshat të Pukës dhe çdo fshat të Shqipërisë, do ta lidhim me rrugë të asfaltuara me qendrën e komunës. Ky është zotimi ynë.
Ne zotohemi se mandati i dytë do të jetë mandati i punësimit. Në katër vite, ne do të krijojmë 160 mijë vende të reja pune. Janë për t’u ndërtuar në Pukë e mbarë Shqipërinë qindra e qindra hidrocentrale, janë për t’u ndërtuar mijëra e mijëra kilometra rrugë, janë për t’u ndërtuar e rindërtuar mbi 1000 shkolla të vendit, mijëra ujësjellës në mbarë Shqipërinë. Biznesi shqiptar do të njohë vitet më të fuqishme, më të lulëzuara të tij.
Qytetarë të Pukës,
Lufta kundër varfërisë është dhe mbetet objektivi më madhor. Për mua varfëria është i vetmi armik që unë njoh mbi tokë. Unë jam i bindur se, së bashku me ju, me mund dhe me djersë, ashtu siç nxorëm 400 mijë shqiptarë nga varfëria, në katër vitet ardhshme ne do t’i japim përgjigje përfundimtare varfërisë së tejskajshme. Në katër vitet e ardhshme nuk do të ketë shqiptar që do të marrë nën 2 dollarë në ditë, pavarësisht nga statusi i tij.
Ju bëj thirrje që të bashkohemi në 28 qershor. Edi Rama, me një grup sekserësh të lejeve të ndërtimit, po këndon anembanë vendit këngën e varfërisë. Ne rrisim rrogat, ata betohen se shtohet varfëria, ne dyfishojmë pensionet, ata betohen se jemi më të varfër, ne dyfishojmë ndihmën ekonomike, ata derdhin lot krokodili se po rritet varfëria, ne krijojmë 80 mijë vende pune, ata deklarojnë se po rritet papunësia.
Qytetarë të Pukës,
Deklarata të tilla kanë si qëllim të shkelmojnë mbi mundin tuaj, mbi djersën tuaj, mbi rezultatet e punës sonë të përbashkët. Unë nuk injoroj se ka varfëri, por unë zotohem ta luftoj atë ashtu siç e kemi luftuar. Unë ju jap fjalën se në katër vitet e ardhshme, pensionet dhe rrogat tuaja do të jenë më të larta se në 6 vende anëtare të Bashkimit Europian. Varfëria luftohet me punë. Në katër vite ne do të krijojmë edhe 160 mijë vende të tjera puna. Puka do të jetë një kantier i vërtetë ndërtimi. Minierat, ujërat, pyjet e saj, do të shndërrohen në pasuri, në radhë të parë për ju, për begatimin tuaj.
28 qershori po afrohet dhe unë ju bëj thirrje të gjithëve ju, të gjithë qytetarëve të Pukës; këto tre ditë vraponi të merrni letërnjoftimet e reja, ai është dokumenti më modern në Europë. Me këtë dokument ne kemi shansin e madh të barazohemi me qytetarin e vendit më të zhvilluar të Europës dhe botës, me këtë dokument kemi shansin e madh të votojmë si qytetarë të lirë të një vendi të lirë, anëtar të NATO-s, qytetarë të një vendi që, gjatë vitit të parë të mandatit të dytë, presim të lëvizim të lirë në mbarë Europën.
Ju bëj thirrje socialistëve të Pukës, në mënyrën më miqësore. Ju, i përkisni një partie tjetër, por unë kërkoj nga ju që të mendoni vetëm një moment se me cilin e ndjeni veten më afër, me Edi Ramën, apo me Sali Berishën. Kam bindjen më të thellë se secili prej jush, në rast se mendon për veten, për fëmijët, për Pukën dhe Shqipërinë, e ndjen veten dhjetëra herë më afër me Sali Berishën sesa me Edi Ramën. Së bashku ne na bashkon ëndrra jonë europiane, si projekti më i bukur, më dinjitozi, më madhështor, për ne dhe fëmijët tanë. Ne që bëmë realitet ëndrrën atlantike, ne do të bëjmë realitet dhe ëndrrën europiane. Ju duam edhe ju, duam çdo shqiptar.
Me Sali Berishën juve ju bashkon dashuria për Pukën, respekti për njëri tjetrin, dashuria për Shqipërinë. Me Edi Ramën juve ju ndan çelësi i artë i bashkisë së Tiranës në gjoksin e himnizuesit të masakrave serbe mbi shqiptarët, Bregoviçit.
Me Sali Berishën juve ju bashkon pensioni juaj i rritur dhe që do të rritet edhe më shumë, shkollimi më i mirë i fëmijëve tuaj, ju bashkon lufta kundër krimit dhe korrupsionit, ju bashkon përpjekja jonë titanike për ëndrrën tonë europane.
Së fundi, socialistë të mbarë Pukës dhe Shqipërisë,
Edi Rama, me një akt paburrërie totale, nuk vuri veten në krye tuaj, por ju tha; ecni para sepse unë nuk vij në krye tuaj. Ai në fakt, në thelb, nuk ju do, ai prej kohësh ju ka zëvendësuar ju me 99-shat me të cilët ndan lejet e ndërtimit dhe pret gjobat e ndërtuesve. Ky është shkaku kryesor që ai nuk kandidon në krye të listës. Thirrjen time nuk dua të ma keqkuptoni, ju votoni të lirë, votoni për atë që doni, por unë, në emër të interesave tuaja, nuk e lija dhe nuk e le dot pa ju bërë juve thirrje këtu në Pukë, në Tropojë, në Sarandë, në Vlorë, në Gjirokastër, në mbarë Shqipërinë.
Le të bashkohemi për të vazhduar ndryshimin, le të bashkohemi për Pukën europiane, për Shqipërinë europiane. Në 28 qershor, votoni 10-ën, 10-a është më e mira, 10-a është Puka europiane, 10-a është Shqipëria europiane, 10-a është Partia Demokratike”.
14/06/2009