Kryeministri Berisha: Rruga më e bukur e Shqipërisë do të mbajë emrit e heroit legjendar Azem Hajdari
Gjatë vizitës sot në Tropojë, Kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e një segmenti rrugor prej 13 kilometrash në komunën Margegaj, pjesë e rrugës që lidh qytetin e Tropojës me grykën e Valbonës dhe fshatrave përreth. Duke e cilësuar rrugën, si një ndër më të bukurat e Shqipërisë, Kryeministri tha se kjo rrugë për cilësitë e veçanta të saj, do të mbajë emrin e heroit të Tropojës dhe mbarë shqiptarëve Azem Hajdarit.
Duke përgëzuar ndërtuesit e saj, Kryeministri kërkoi që rruga të pasqyrojë në tërësinë e saj, të gjithë bukurinë mahnitëse të zonës nëpër të cilën kalon:
“Sot ne inauguruam 13 kilometrat e para të njërës prej rrugëve më të bukura të Shqipërisë që do të mbajë emrin e heroit legjendar të Tropojës dhe mbarë shqiptarëve, të viganit liberator, të të pavdekshmit, Azem Hajdari. Kam vendosur ti jap këtë emër kësaj rruge për të nderuar mikun tim, një simbol që në një aspekt i afrohet shumë atij. Ai dhe lëvizja që ai udhëhoqi ishte lëvizja më e bukur në historinë kombëtare të shqiptarëve dhe rruga është një rrugë shumë e bukur, kalon në një terren shumë të bukur, kalon në mjedis madhor, ndaj unë për të nderuar Azemin, për të nderuar pavdekësinë e tij, kjo rrugë do të mbajë emrin Azem Hajdari.
E përgëzoj drejtuesin dhe i kërkoj atij, që rruga sikundër deri këtu edhe deri në Valbonë dhe Rroganë të jetë një dekoracion tërësor të shprehë dhe të pasqyrojë, në ndërtimin, arkitekturën dhe paraqitjen e saj ,të gjithë bukurinë mahnitëse, të Valbonës, Dragobisë, të kësaj zone, kështu që të vazhdojmë të përfundojmë rrugën më të bukur që kemi ndërtuar ndonjëherë, për të nderuar edhe mikun tonë.”
Kryeministri kërkoi nga përfaqësuesit e pushtetit lokal, plotësimin e rrugës me të gjitha parametrat e një rruge bashkëkohore, evropiane. Në disa pjesë të veçanta të rrugës, Kryeministri kërkoi që në formën e një dekoracioni të shkruhet “Azem, ti je gjallë”. Gjithashtu, Kryeministri tha se shumë shpejt do të shtroheshin dhe asfaltoheshin edhe disa rrugë të tjera shumë të rëndësihme si rruga deri në Ballaban, rruga në Curraj të Epërm, do të ndërtohet rruga Rroganë-Theth, duke bërë kështu që Alpet të jenë të arritshme nga të dyja anët.15/06/2009