E Shtunë, 31 Tetor 2026

Margarita Xhepa: “Jetoj dhe vuaj bashkë me rolet e mia”

EKSKLUZIVE/ FLET “HEKUBA”, AKTORJA E NJOHUR E SKENËS DHE KINEMASË SHQIPTARE

Petrika GROSI
Vetëm pak kohë pas nderimit që iu bë duke marrë nga Bashkia e Tiranës titullin “Personaliteti i vitit 2008”, vendosëm të ftojmë si personazhin e radhës, në suplementin tonë të përjavshëm “Albaniaeweekend”, aktoren e njohur të skenës dhe kinemasë shqiptare, Margarita Xhepa. Biseduam me artisten dhe, pasi ajo e pranoi me kënaqësi ftesën tonë, u takuam për të zhvilluar këtë intervistë. Të bën përshtypje në fakt, mbi të gjitha, energjia e Margarita Xhepës jo vetëm në skenë, por edhe në jetën e përditshme, në bisedat me të, qoftë edhe në një kafe të përgjumur mëngjesi si kjo e jona. Vrulli dhe shpërthimet emocionale të 75-vjeçares gjatë bisedës janë njësoj si ato të një vajze të re. Ndoshta është pikërisht kjo që ka të bëjë me shpirtin, botën e madhe të aktores, të cilat, ngjizur me talentin, vullnetin dhe sedrën e madhe, bëjnë atë që quhet “diferencë”.

Para pak kohësh, nga Bashkia e Tiranës morët çmimin “Personaliteti i vitit 2008”, si e pritët këtë vlerësim?
Ishin emocione të bukura. Ne, artistët, nga pasioni që kemi pasur vazhdimisht, kemi punuar me dashuri e përkushtim për teatrin dhe për filmin. Kemi marrë duartrokitjet e spektatorit, vlerësimet, urimet e lulet e tyre kanë qenë gjithmonë një kënaqësi e veçantë. Por, kur këto kënaqësi ligjërohen edhe në institucione shtetërore, marrin një rëndësi të posaçme. Në llojin e tyre, këto vlerësime kanë rëndësi sepse përpara spektatorit krijohet një respekt, autoritet, mirënjohje, - do të thoja. Janë stimuj që gëzojnë shpirtin e njeriut, në veçanti të artistit. Kur marr një rol është gëzimi im, por vlerësimet më japin krahë edhe në këtë moshë për t’u impenjuar edhe më shumë, për të ardhur me një personazh tjetër që të mos u ngjajë atyre që janë bërë deri tani. Megjithëse nuk është pak një rol si Hekuba e Euripidit, këtij filozofi të skenës dhe anatomisti të shpirtit njerëzor. Personazhe të tilla monumentale flasin për ngjarje dramatike e ambicie të frikshme. Ky rol pra, që unë e kam punuar dhe vazhdoj ta punoj, është një minierë e thellë ku çdo ditë gjen gjëra të reja.

A ka rëndësi një çmim i tillë modest për një artiste të përmasave të mëdha, siç jeni ju?
Sigurisht që çdo vlerësim ka rëndësi. Është një frymëzim, të jep forcë për të punuar më tej me përkushtim e seriozitet. Arti i ka majat e larta, ndaj aktori është gjithmonë në kërkim. Çmimet të shtojnë përgjegjësinë për t’u shfaqur sa më mirë para spektatorit.

Duke pasur parasysh moshën që keni, sa e vështirë është që t’i përgjigjeni spektatorit, skenës, publikut, medias?
Arti skenik ka nevojë për moshën. Ndryshe është kënga, baleti, etj. Arti skenik ka nevojë edhe për plakun. Personazhi i moshës së tretë duhet të ketë aktor të moshës së tretë. Sigurisht, ka raste kur këto role i bëjnë edhe më të rinjtë. Por, kur një aktor ka dhënë dhe është në gjendje të mirë shëndetësore që ta realizojë rolin, është gjë e bukur që mosha e aktorit t’i përgjigjet moshës së personazhit. Kështu ndodhi me mua. Në këtë moshë preka një ëndërr, Hekubën e Euripidit. Është një personazh që mbart dhimbje të madhe, do të thoja, jo vetëm për familjen e saj, që iu zhdukën plotësisht fëmijët, burri, nipërit... Mbi të gjitha, ajo është një trojane e madhe që e do popullin e saj. Ndaj në legjenda ka mbetur që nuk i ikej Hekubës nga Troja, por u shndërrua në një qen besnik që rrinte në rrënojat e shtëpive që u dogjën e u bënë hi. Të gjithë këtë, unë e lidh edhe me historinë dhe fatin e Ballkanit, në veçanti të vendit tim, që është zaptuar, plaçkitur, djegur, vrarë. Kujtoj këtu një batutë: “Të vranë, o Priam, e pa varr të lanë... Ti nuk di gjë se çfarë mënxyra po heq unë...”. Këtu kam parasysh shumë gra që i takoj rrugës. U kanë vrarë burrat në kohën e komunizmit dhe ato ende nuk e dinë se ku janë varrosur burrat, djemtë, vëllezërit e tyre. Për këtë arsye, them që Euripidi trajton ngjarje të largëta e njëkohësisht kaq të afërta. Kur e kam lexuar këtë rol për herë të parë fare, që nuk isha kërkushi si aktore, më ka emocionuar shumë. Nga personazhet e grave të këtij aktori të madh mori shembull edhe Shekspiri. Më vonë erdhi e u sfumua prania e grave në këto trajtime të artit të dramës, filmit, romaneve. Sidomos këtu te ne, pjesëmarrja e nënës, femrës, në ngjarje të tilla u kthye në garniturë. Natyrshëm, gruaja duhet të mbajë peshën që i takon në këto drama e tragjedi, në bashkëjetesën që bëhet. Prandaj këtë rol e kam të dashur aq sa dhe kur të mos më duhet më, do të më shërbejë për të realizuar role të tjera.

Meqë jemi te aktrimet, rolet, skena... Sa mendoni se do të vazhdoni ta përballoni Hekubën, apo role të tjera të përmasave të mëdha?
Në radhë të parë, lus Zotin të kem shëndetin. Por jam e bindur që nuk do të dal kurrë në skenë nëse nuk do ta përballoj dot rolin.
Në art ka punë, talent, por ka edhe përshtatshmëri. Për Hekubën e ndieja që e përballoja si rol. Unë bëj pjesë në tragjiken. Është shumë bukur të luash edhe komedi, por unë i përkas këtij zhanri. Më gëzon fakti që kam shëndet, memorie, por mbi të gjitha kam vullnet. Ajo që vë pikat mbi “i” është sedra. Sepse dua të dal para spektatorit siç jam munduar të dal dhe të marr duartrokitjet, vlerësimin e tij, të justifikoj kështu çmimet që kam marrë. Sidomos dalja përpara popullit grek ka qenë një provim dhe përgjegjësi e madhe jo vetëm për mua, por për të gjithë të tjerët dhe për teatrin shqiptar. Shfaqja ishte një pjesë e tyre që trajtohet çdo vit nga aktorët helenë. Ndaj, i vlerësoj shumë urimet e tyre të sinqerta për Hekubën, megjithëse ky rol mbetet gjithmonë një sfidë e gjallë.

Aktori jeton për një kohë të gjatë me personazhin që kur e nis punën me provat deri te shfaqjet në skenë, madje edhe pas tyre... ǒdo të thoshit lidhur me punën, përjetimet e këtij procesi?
Siç e thatë ju, është një proces i tërë pune, që fillon me marrjen e rolit në skicë dhe vazhdon çdo ditë me leximin, zbërthimin e fjalëve, tablove, mesazhit. Duke gërmuar rreth tij, personazhi vjen e mbushet çdo ditë dhe aktori ndien një kënaqësi të veçantë, një ndër më të bukurat. Aktori duhet të jetë i bindur se çfarë do të thotë me këtë personazh kur ngjitet në skenë. Ai duhet të bëjë xhonglerin me nëntekstin e personazhit. Është një punë e bukur, por dhe e lodhshme. Puna jonë nuk mbaron në teatër me provat që bëhen me regjisorin. Unë jam gjithmonë në kërkim për të gjetur një gjë të bukur, për ta plotësuar personazhin. Jam gjithmonë në kërkim. Mund të jem duke ecur në rrugë, duke gatuar apo në vende të tjera dhe mundohem ta gjej atë detaj të veçantë që duhet për ta përsosur rolin. Në film është ndryshe, sepse, pasi del filmi, nuk korrigjon dot më asgjë, ndërsa në teatër gjithmonë mund të japësh më shumë.

Aktorëve ndonjëherë u ndodh që të bien në depresion për shkak të natyrës së veçantë të roleve, sidomos kur ata e përjetojnë tepër dhe zhyten thellë edhe në jetën e përditshme me personazhin e tyre. Sa ndodh kjo me ju?
Më ndodh diçka e tillë me të gjitha rolet. Nuk jam asnjëherë e kënaqur me veten time, sidomos me filmat. Kur i shikoj, ul kokën dhe them me vete: “Sa keq e paskam bërë!...” Nuk më pëlqen asnjëherë ajo që kam bërë. Aktori kurrë nuk duhet të kënaqet, sepse asnjëherë nuk mund të bëjë diçka perfekte.

Nëse do të ktheheshim para në kohë, cili është imazhi më i largët që ju vjen në mendje?
Është e çuditshme se si në këtë moshë kujtimet e fëmijërisë të vijnë shumë të freskëta. Më shkon mendja vazhdimisht te qyteti im i lindjes, Lushnja, që mbetet gjëja më e dashur për mua. Isha e varfër, por kisha edhe varfërinë shpirtërore, sepse më iku shpejt nëna, që me atë syrin e saj të bën të pasur, të bën të bukur...
Që atëherë e doja artin, edhe pse nuk dija ta kuptoja. Lexoja një varg dhe thoja: “Sa bukur e ka thënë autori këtë!” Nëna ime ishte shumë e sëmurë dhe më thoshte: “Thuaje edhe një herë atë poezinë, se këto të tjerat (motrat e mia) nuk e thonë dhe aq mirë”. Këto kujtime dhe dashurinë e hershme që kam pasur për poezinë i kam gjithmonë të gjalla. Dashuria për atë fjalë të bukur të Naimit, Migjenit, bëri që të arrij të bëj një tekst, një monolog të bukur dhe një personazh të tillë si Hekuba që është vetë jeta njerëzore; personazh që mban dhimbjen e madhe të një nëne, një gruaje, emocionet e bukura dhe dhimbjen e bukur. Jam në gëzimin më të madh që punova me këtë rol dhe e falënderoj regjisorin që ma besoi.

Si e pritët këtë rol kur regjisori grek jua besoi?
Sa mbaroi takimi, vajta në shtëpi dhe përnjëherë hapa tekstin. Me një uri, dëshirë, dashuri të jashtëzakonshme dhe lumturi të brendshme, nisa punën. Mosha ime nuk ishte më 75, por 25. Më iku gjumi dhe s’doja t’ia dija, isha energjike. Gëzimi i madh që po punoja këtë rol më bëri të jem e fortë dhe të harroj gjithçka. Brenda kisha dhe shqetësimin sa do t’ia arrija, por kisha besim.

A është e domosdoshme për aktorin që të ketë hequr dhimbje të mëdha në jetë, sidomos kur i duhet të mishërojë personazhe tragjike të përmasave të Hekubës?
Ky personazh arriti tek unë të përballohet dhe për këtë u jam mirënjohës të gjithë regjisorëve, që nga i paharruari Pandi Stillu, Kujtim Spahivogli, Pirro Mani, i madhi Mihal Luarasi, që më kanë besuar role të mëdha. Kështu, për të përballuar Hekubën isha e armatosur jo vetëm me dhimbjet e jetës, por edhe si aktore me Shekspirin, Artur Millerin, Tenes Uilliamsin, etj.

Ndërkaq, djali juaj, Ndriçim Xhepa, arriti të bëhet gjithashtu një ndër aktorët më të mirë të skenës dhe ekranit shqiptar. Si ndiheni?
Është vetëm kënaqësi. Kjo mund të ishte gjëja më e bukur që mund të prisja, shpërblimi më i mirë për mua. Kam pasur dhe kam shumë besim jo vetëm te djali im, por edhe te të gjithë aktorët e tjerë që sot janë të rinj dhe shumë të talentuar.

Kalojmë te filmi, nëse Hekuba është një rol që ju ndoshta as nuk e prisnit ta bënit në këtë moshë, por që e realizuat me sukses, ç’do të thoshit për kinematografinë?
Këtë vit do ta quaja të mbarë, le t’u ngjajë viteve që do të vijnë. Kam pasur role në dy filma. Një është “Ne dhe Lenini”, me regjisorin Saimir Kumbaro, me motiv të marrë nga “Streha e të harruarve”, e dramaturgut tonë të palodhur që vazhdimisht ushqen teatrin, Ruzhdi Pulaha. Ishte një rol që e shoh përditë, e kam dëgjuar, është një frymëzim jetësor në fatkeqësitë, dramat, që u ndodhin grave shqiptare. Është një rol emocional, joskematik. Një grua që e ruan dramën e vet dhe, për hir të ngjarjeve që i erdhën, zgjedh ta mbyllë jetën në një azil. Filmi u xhirua në një azil të vërtetë. Mendoj se Saimiri punoi me një përkushtim të madh dhe kam bindjen se spektatori do ta presë mirë filmin. Premiera do të shfaqet më 24 janar. Filmi i dytë është me metrazh të shkurtër, “Shkallët”, i regjisorit Ilir Harxhi. Ishin disa djem të rinj të talentuar. Skenaristi Artan Minarolli ka prekur një problem të ditëve të sotme, siç është etja e ndërtuesve për para. Filmi mori çmim në Montpelje, në Festivalin e Tiranës dhe në Maqedoni. Në përgjithësi, filmi është një gjë e bukur. Atë që e bën arti, nuk e bën askush. Në të ardhmen kam në plan të angazhohem në një tjetër film, të cilin nuk po e them për momentin.

Keni ndonjë peng të mbetur sa i takon kinemasë?
Preka ëndrrën e bukur me Hekubën, por dua një Hekubë shqiptare. Gjatë këtyre 50 viteve që ka kaluar shoqëria jonë, gruaja ka qenë shumë e ngarkuar. Nuk ka pak dhimbje nëna dhe gruaja shqiptare, ndonëse në art nuk është shfaqur si e tillë, por dytësore.

10 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›