Vrasja e taksistit, policia shoqëron dhe pyet 23 persona
Tiranë - Policia e kryeqytetit ka ngritur disa pista hetimi për zbardhjen e vrasjes dhe më pas djegien e 50-vjeçarit, i cili punonte si taksist. Madje në vijim të hetimeve janë shoqëruar në polici 23 persona në cilësinë e të dyshuarve apo që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen e rëndë të zbuluar një ditë më parë, kur një taksist u vra dhe më pas u dogj brenda automjetit të tij në Farkë, të Tiranës. Burime zyrtare nga Policia e kryeqytetit bënë të ditur dje se ende nuk ka një version të qartë mbi motivet e kësaj ngjarjeje, por hetimet zhvillohen në disa pista. Një ndër pistat është ajo e hetimit të një vrasjeje për motive të dobëta, ndonjë sherr i çastit mes viktimës dhe agresorit, apo ndonjë konflikt i mundshëm. Për momentin policia ka përjashtuar pistën e vrasjes për motive hakmarrjeje, pasi familjarët e pyetur kanë mohuar që viktima të kishte pasur probleme me njeri. Burimet e policisë sqarojnë se po punohet për zbardhjen e tabulateve telefonike të telefonit celular të viktimës. Viktima Ramazan Hyka, 50 vjeç u gjet i djegur në makinë e tij, të cilën e përdorte si taksi në Farkë të Tiranës. Familjarët kishin njoftuar zhdukjen e tij të mërkurën. Policia tha se kufoma ishte vrarë më parë në një vend tjetër dhe më pas ishte transportuar në vendin ku u gjet nga policia. 50-vjeçari është gjetur brenda në bagazhin e automjetit të tij “Benz 190”.
Ngjarja në Kashar, vëllai kërcënon me jetë vëllanë
Tiranë - Një i ri ka kërcënuar me jetë vëllanë e tij në Kashar pranë Tiranës. Shefki Zoli, 25 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Kashar, ka kanosur me armë zjarri vëllanë e tij 38-vjeçar Refik Zoli, nga i njëjti vendbanim. Për konsumim të veprave penale të “kanosjes” dhe të “armëmbajtjes pa leje”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë thanë dje për gazetën “Albania” se kryen arrestimin e 25-vjeçarit. Nga hetimet e ngjarjes në Kashar, policia tha se ajo erdhi për motive të dobëta. Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e Shefki Zolit, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit tip pistoletë m - 6.35, të cilën e posedonte pa leje.
Tregtonte drogë në rrugët e kryeqytetit, policia e vë në pranga
Tiranë – Një adoleshent, i cili kishte zgjedhur rrugë të lehtë, por me pasoja, për të bërë lekë, u arrestua nga policia e Tiranës. Specialistët e seksionit kundër drogës kryen arrestimin në flagrancë të 18-vjeçarit Elvis Kusta, lindur ne Fier dhe banues në Tiranë. “Arrestimi i tij u krye sepse dje, rreth orës 17, në rrugën ‘Ali Baushi’, është kapur në flagrancë, sepse gjatë kontrollit fizik i është gjetur sasia prej 4 gramësh bimë e dyshuar si marijuanë”, - tha policia. Edhe nga kontrolli i banesës adoleshentit iu gjet një sasi prej 35.6 gramësh bimë narkotike e llojit marijuanë. Në cilësinë e provës materiale, 18-vjeçarit iu sekuestruan në total 39.6 gramë marijuanë, një aparat telefoni celular, si dhe shuma e parave prej 3700 lekësh. Policia tha se materialet e përpiluara në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
10 Janar 2009