Kryeministri Berisha premton premio për Norvegjinë
De Biazi-Berishës: Ne do të bëjmë më të mirën në fushë
Qeveria Shqiptare do të vendosë një shpërblim për fitoren e kombëtares me Norvegjinë më 7 qershor. Ky ishte premtimi i kryeministrit Sali Berisha gjatë një takimi me stafin dhe futbollistët kuqezi në Durrës, ku është akomoduar kombëtarja shqiptare. Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria nuk është shumë larg Brazil 2014. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka si dhe kapiteni Ervin Bulku, i premtuan kryeministrit se kombëtarja do të japë gjithçka në këtë sfidë shumë të rëndësishme të kombëtares.
Berisha-De Biazi
Vizitën e kryeministrit e përshëndeti edhe trajneri Xhani de Biazi, i cili e siguroi kreun e qeverisë së të gjithë futbollistët që do të zbresin në fushë do ta nderojnë bluzën kuqezi. “Në radhë të parë dua të falenderoj kryeministrin për mbështetjen që po na jep. Jam i sigurtë që të gjithë këta djem që janë këtu sot do ta nderojnë bluzën kuqezi duke dhënë më të mirën e tyre në fushën e blertë. Por futbolli nuk është një shkencë ekzakte, sepse jo gjithmonë fiton më i miri. Ne do të bëjmë më të mirën, sepse dëshirojmë të ndjekim atë një ëndërr që kemi patur që në fillim të këtyre eliminatoreve. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse e dimë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, madje shumë më e vështirë se sfida që fituam në Oslo. Premtimi që mund të bëjmë është ky, do ta përgatisim në mënyrën më të mirë të mundshme këtë takim dhe do të japim maksimumin për ta fituar”, tha ai. Kryeministri Sali Berisha në fund të takimit premtoi se do të jenë në tribunë për ta ndjekur nga shkallët e stadiumit sfidën Shqipëri Norvegji.
Salihi-Bushi: Të qëndrojmë me këmbë në tokë
Heroi i fitores kuqezi në Olso, Hamdi Salihi, ka ulur euforinë e krijuar në radhët e tifozerisë shqiptare, pjesa më e madhe e të cilës pretendon se fitorja e dytë ndaj Norvegjisë do të na çojë direkt në “Brazil 2014″. “Kam lexuar në media se po të fitojmë këtë takim, do të kualifikohemi në botëror. Mendoj se duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë pasi pas kësaj ndeshjeje kemi tre transferta të vështira. Duhet të harrojmë Brazilin dhe të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës”, theksoi sulmuesi shkodran. Menaxheri i kombëtares dhe një nga golashënuesit më të mirë në historinë e përfaqësues shqiptare, Alban Bushi, ka pohuar se pavarësisht fitores së marsit të kaluar, Norvegjia mbetet një ekip shumë i fortë: “Është ndeshje shumë e rëndësishme dhe e vështirë. Norvegjia është skuadër e fortë. Publiku duhet të na ndihmojë dhe shpresoj në një rezultat pozitiv.” Lorik Cana, Andi Lila dhe Odise Roshi do të mungojnë në këtë ndeshje për shkak të kartonave, ndërkohë që trajneri De Biazi ka grumbulluar 4 emra të rinj për këtë sfidë: Amir Abrashi, Ergys Kaçe, Vullnet Basha dhe Ilir Berisha.