Kryeministri Berisha priti sot pasdite në një takim Administratoren e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Drejtore e Asistencës së Huaj të SHBA-së, zonjën Henrietta Holsman Fore.
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për qeverinë amerikane dhe Presidentin Bush në ndihmën e dhënë përmes USAID, në projekte të mëdha të zhvillimit të vendit, si në luftën kundër korrupsionit, modernizimin e sistemit të taksave, të prokurimeve, të regjistrimit të biznesit, etj. Ky vit, theksoi Kryeministri, është viti i zbatimit të plotë të këtyre reformave shumë të rëndësishme.
Nga ana e saj, Administratorja e Agjencisë së SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar zonja Henrietta Holsman Fore vlerësoi projektet e përbashkëta të USAID-it me qeverinë shqiptare. Ajo siguroi vazhdimin e mbështetjes së kësaj Agjencie në projekte të tjera, si, rritjen e transparencës në qeverisje, trajnimin e administratës publike, forcimin e klimës mbështetëse për biznesin etj.
Kryeministri Berisha e njohu zonjën Fore me rezultatet e reformave të ndërmarra nga qeveria në luftën me zero tolerancë kundër korrupsionit dhe informalitetit, në nxjerrjen e administratës jashtë konfliktit të interesit, shkurtimin e shpenzimeve operative në administratë, hartimin çdo vit të një buxheti suplementar, etj. Kryeministri theksoi se qeveria po merr çdo masë për të lehtësuar dhe krijuar një klimë sa më të favorshme për investitorët, përmes politikave të uljes së taksave, reduktimit dhe digjitalizimit të të gjitha procedurave, regjistrimit të bizneseve në sportelet “One Stop Shop”, reduktimin e licencave, etj. Qeveria, tha Kryeministri, po punon çdo ditë që procedurat e biznesit të liberalizohen dhe të zhvlerësohen në një euro.
Kryeministri Berisha i kërkoi zonjës Fore mbështetjen e USAID-it në projekte të tjera, në drejtim të përmirësimit të klimës për biznesin, në krijimin e “One Stop Shop” edhe për licencat dhe lejet, në trajnimin e administratës shtetërore, etj.
Gjithashtu, gjatë takimit Kryeministri Berisha nënvizoi se në vend tashmë ekziston një klimë shumë e mirë politike me opozitën për çështje kryesore. Në këtë kuadër, Kryeministri u shpreh se qeveria është e gatshme të ndërmarrë të gjitha masat për të bërë të mundur heqjen e imunitetit të zyrtarëve, duke i konsideruar ata të barabartë me qytetarët. Kryeministri e vlerësoi këtë si një hap shumë të rëndësishëm në drejtim të luftës kundër korrupsionit.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha e falënderoi zonjën Fore për mbështetjen që qeveria amerikane i dha Shqipërisë në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO