E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon anëtarë të Komisionit Përzgjedhës të anëtarëve të rinj të Akademisë së Shkencave

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim të ngrohtë Kryesinë e Akademisë së Shkencave dhe Komisionin Përzgjedhës të anëtarëve të rinj të Akademisë së Shkencave, i cili zhvilloi sot mbledhjen e tij të parë në Tiranë.

Kryeministri falënderoi përzemërsisht, në mënyrë të veçantë akademikët e huaj, për gadishmërinë që treguan për të kontribuar, në përbërje të Komisionit Përzgjedhës, si organi më kryesor që po realizon reformën e Akademisë.

Gjatë bisedës, Kryeministri nënvizoi rolin e madh që duhet të luaj Akademia e Shkencave si institucioni më prestigjioz i shkencës në vendin tonë ,si dhe rëndësinë që paraqet përfundimi i shpejtë i reformës së Akademisë, në përputhje me standardet e përparuara ndërkombëtare. Kryeministri shprehu besim se shkencëtarët  më të shquar shqiptar, kudo që janë, brenda apo jashtë Shqipërisë, do të konkurojnë për të qenë anëtarë të Akademisë. Për herë të parë në vendin tonë zbatohet një procedurë përzgjedhjeje e anëtarëve të rinj në institucionin akademik më të rëndësishëm të vendit, me një Komision ku marrin pjesë 4 akademikë shqiptarë dhe 5 shkencëtarë të huaj, nga Italia, Franca, Gjermania dhe Austria.

Akademikët e huaj i shprehën Kryeministrit Berisha vlerësimin e tyre pozitiv për interesimin e madh që qeveria po tregon për reformimin e universiteteve dhe kërkimit shkencor në Shqipëri, duke u shprehur në veçanti se reformimi i Akademisë së Shkencave, si institucioni që organizon, ruan e pasuron kulturën dhe trurin e kombit, është thelbësor për demokracinë, të ardhmen dhe zhvillimin e Shqipërisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›