E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, model rajonal për shërbimet e qeverisjes elektronike

Kryeministri Berisha mori pjesë, sot paradite, në ceremoninë e përurimit të zyrave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Kjo agjenci është krijuar në prill të vitit 2007, ndërsa rinovimi i ambienteve të saj u mundësua nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe znj. Henrietta H.Fore, Administratore e USAID-it dhe Drejtore e Ndihmës së Huaj të SHBA-ve, Ambasadori amerikan në Tiranë, ministra, etj..

Gjatë përshëndetjes së saj në këtë ceremoni, Zonja Fore, administratore e USAID-it dhe Drejtore e Ndihmës së Huaj të SHBA-ve, vlerësoi angazhimin e qeverisë shqiptare dhe vetë Kryeministrit Berisha për realizimin e këtyre objektivave në kuadrin e qeverisjes elektronike.
Ajo u shpreh se tre faktorët kryesorë që ndikuan në këto arritje janë këmbëngulja dhe përkushtimi i qeverisë shqiptare, reformimi i institucioneve ekzistuese dhe krijimi i institucioneve të reja për  ti shërbyer më mirë publikut, si dhe teknologjia e informacionit.

Duke shprehur kënaqësinë që Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar transferon administrimin dhe përgjegjësitë e kësaj qendre tek Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), zonja Fore tha se ky rast do të konsiderohet si një model për të gjithë rajonin.

Administratorja e USAID-it, zonja Fore vuri në dukje se një vit më parë regjistrimi i biznesit ishte një andrallë burokratike, pasi kërkonte shtatë jave kohë dhe një vendim gjyqësor, ndërsa me procedurën e re kërkohet vetëm një ditë dhe realizohet në një mjedis të vetëm. Ky sistemi i ri , u shpreh ajo, ul informalitetin dhe zgjeron bazën tatimore.

Më tej, zonja Fore u shpreh se qeveria shqiptare do të blejë një sasi mallrash dhe shërbimet me vlerë rreth 20 milionë dollarë nëpërmjet prokurimit elektronik. Kjo procedurë, sipas saj, rrit transparencën dhe ul kostot për qeverinë, duke përbërë një lajm të mirë për bizneset si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha e cilësoi ditën e sotme si një ditë shumë të rëndësishme për shoqërinë e informacionit në Shqipëri, ndërsa u shpreh se qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të sjellë Shqipërinë në moshën digjitale, si një kusht vendimtar për t'u shkëputur sa më shpejtë nga e shkuara dhe për t'u ofruar qytetarëve shqiptarë shërbimet më të mira dhe më të lira, si dhe për të bërë më transparente qeverisjen ndaj tyre.

“Qeveria nuk do të kursejë asnjë përpjekje për ta shtrirë moshën digjitale në të gjitha fushat. Në këtë kontekst Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka një rol përcaktues. Ajo është jo vetëm hartuesja e strategjisë kombëtare, por është edhe koordinatorja e shërbimeve të qeverisjes elektronike dhe hartuesja e të gjitha ligjeve dhe vendimeve të rëndësishme, të domosdoshme për funksionimin e moshës digjitale. Ajo është përgjegjëse gardiane e standardeve digjitale të detyrueshme për prokurimin dhe ndërtimin e sistemeve kompjuterike, si dhe shërbimeve elektronike”, u shpreh Kryeministri Berisha duke shtuar se do të bëhet çdo përpjekje që qytetarët shqiptarë të përfitojë nga shërbimet elektronike.

Më tej, Kryeministri u shpreh se Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar me përpjekjet e saj, në taksen elektronike, në regjistrin elektronik të biznesit dhe në prokurimin elektronik, ka dhënë një ndihmë jashtëzakonisht të madhe si në progresin e vendit tonë në moshën digjitale, ashtu dhe në krijimin e një klime shumë të favorshme për biznesin.

“Mjafton të rikujtojmë këtu që me prokurimin elektronik ankesat janë zero. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që qytetarët shqiptarë taksat t'i paguajë online. Unë nuk them se ne jemi kaq afër kësaj, por është e provuar se objektivat në këtë fushë janë plotësisht të realizueshme, për më tepër kur ne kemi ndihmën dhe mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar”, tha Kryeministri.

Më ndihmën dhe mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, u shpreh Kryeministri, do të realizohen dhe One Stop Shop për licencat dhe lejet.

Në vazhdim, Kryeministri Berisha, Ambasadori amerikan në Tiranë, zoti John L.Withers dhe znj. Henrietta H.Fore, Administratore e USAID-it dhe Drejtore e Ndihmës së Huaj të SHBA-ve zbuluan pllakatin me dedikimin “Zyrat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit u ndërtuan me ndihmën e popullit amerikan për të mbajtur dhe përmirësuar shërbimet e qeverisjes elektronike në Shqipëri”

Agjencia Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit do të shërbejë tashmë si institucioni koordinues për shërbimet e qeverisjes elektronike si institucioni koordinues për shërbimet e qeverisjes elektronike si regjistrimi elektronik i bizneseve, prokurimi elektronik dhe deklarimi elektronik i tatimeve, nga të cilat do të përfitojnë bizneset dhe publiku i gjerë. 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›