Kryeministri Berisha pret Ambasadoren e Zvicrës në Tiranë, zonjën Yvana Enzler
Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen zonjës Enzler dhe i shprehu mbështetjen për misionin e saj diplomatik në vendin tonë. Të dy personalitetet theksuan vendosmërinë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve dhe diskutuan për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën e energjisë, në ndërtimin e infrastrukturave të mëdha në këtë fushë, arsimin profesional, etj. Kryeministri Berisha dhe Ambasadorja Enzler ndanë të njëjtin vullnet për inkurajimin e biznesit zviceran që të rrisë investimet në Shqipëri.
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe përkrahjen që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve, duke theksuar vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Nga ana e saj, zonja Enzler u shpreh e kënaqur që iu dha rasti të shërbejë si Ambasadore në Shqipëri, ndërsa nënvizoi se do të punojë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë.