E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR PERCAKTIMIN E PROCEDURAVE PER KRYERJEN E EKSPERTIZAVE DHE TË KONTROLLIT NGA aUTORITETI I KONTROLLIT SHTETËROR TË EKSPORTEVE (AKSHE)

V E N D I M

PËR  

PERCAKTIMIN E PROCEDURAVE PER KRYERJEN E EKSPERTIZAVE DHE TË KONTROLLIT NGA aUTORITETI I KONTROLLIT SHTETËROR TË EKSPORTEVE (AKSHE)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 14, paragrafi i fundit, e 25, të ligjit nr.9707, datë 5.4.2007, “Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarake, mallrave e teknologjive, me përdorim të dyfishtë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1.     Autoritetit i Kontrollit Shtetëror të Eksportit (AKSHE) i mallrave ushtarake, mallrave e teknologjive, me përdorim të dyfishtë, kryen ekspertiza dhe kontrolle, në përputhje me qëllimin e parashikuar në nenin 1, të ligjit nr. 9707, datë 5.4.2007, “Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarake, mallrave e teknologjive, me përdorim të dyfishtë”, sipas kërkesës së subjekteve, fizike a juridike, që kryejnë transferime ndërkombëtare të mallrave ushtarake, mallrave me përdorim të dyfishtë, si dhe të teknologjive të tyre, për pajisjen me licencë importi, eksporti, tranziti, me autorizim, me certifikatë ndërkombëtare importi, certifikatën e përdoruesit të fundit, certifikatë shpërndarjeje dhe certifikatë doganore, të mbërritjes së mallit në destinacion.

2.     AKSHE-ja kryen ekspertiza dhe kontrolle në këto faza:

a.     Para rregjistrimit të subjekteve tregtarë, të cilët kryejnë transferime ndërkombëtare të mallrave ushtarake, si dhe veprimtari ndërmjetësimi në këto transferime;

b.    Pas rregjistrimit të subjekteve tregtare të cilat kryejnë transferime ndërkombëtare të mallrave ushtarake;

c.     Para licencimit/autorizimit të subjekteve tregtare;

          ç.  Pas licencimit/autorizimit të subjekteve tregtare.

3.     Kryesisht AKSHE-ja kryen ekspertiza dhe kontrolle për:

a.     Identifikimin me saktësi të mallit apo teknologjisë;

b.    Kategorizimin e mallit /teknologjisë në listën e miratuar  me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 1569,  datë 19.11.2008, “Për miratimin e listës së mallrave ushtarake dhe të listës së mallrave e teknollogjive me përdorim të dyfishtë, i cili i nënshtrohen Kontrollit Shtetëror të Import –Eksporteve”;

c.     Përcaktimi i sasisë së mallit, që do të eksportohet/importohet apo kalojë tranzit në territorin e Shqipërisë;

ç.  Përcaktimi i origjinës së mallit;

d.    Verifikimin e mundësisë së përdorimit të mallrave/teknologjive për qëllimet  e parashikuara në nenin 1, të ligjit nr. 9707, datë 5.04.2007 “Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarake, mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë”,

dh. Verifikimi, nëse përdorimi i fundit i deklaruar i këtyre          mallrave/teknologjive është teknikisht i pranueshëm me përdorimin e fundit të deklaruar;

e.     Verifikimin nëse përdorimi i fundit i deklaruar është logjikisht i përshtatshëm me veprimtaritë e përdoruesit të fundit;

ë. Konfirmimin me saktësi të ekzistencës së përdoruesit të      fundit dhe identifikimin me saktësi të veprimtarive të këtij përdoruesi;

f.     Verifikimin, nëse në të kaluarën përdoruesi i fundit ka pasur lidhje me veprimtari të përhapjes së armëve të dëmtimit në masë, apo ka pasur lidhje të drejtpërdrejta me shtete, të cilat përkrahin përhapjen e armëve të dëmtimit në masë.

4.     Dokumentet, të cilat do të paraqiten nga subjektet tregtare për pajisjen me licencë/autorizim, certifikatë rregjistrimi, certifikatë ndërkombëtare importi, certifikatë e përdoruesit të fundit, për kryerjen e ekspertizës dhe kontrollit, do të miratohen me urdhër të kryetarit të AKSHE-së.

5.     Nëse është e nevojshme bashkërendimi i punës me institucione të tjera të interesuara, afati i kryerjes së ekspertizës dhe kontrollit, është        60 (gjashtëdhjetë) ditë nga data e sigurimit të dokumentacionit të plotë nga këto institucione.

6.     Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes, AKSHE-ja dhe institucionet e tjera me të cilat bashkëpunon AKSHE-ja, për zbatimin e këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare.”

 

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI BERISHA

 


25/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›