Kryeministri Berisha pret në takim Drejtoreshën e OBSH-së, znj.Margaret Chan
Kryeministri Berisha priti, sot, në një takim të përzemërt Drejtoreshën e Përgjithshme të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, znj.Margaret Chan.
Zonja Chan shoqërohej nga një delegacion i gjerë i OBSH-së, të përbërë nga gjashtë drejtorët rajonalë të kësaj Organizate prestigjioze, në kuadër të Takimit Vjetor të OBSH-së, për të cilin kjo organizatë prestigjoze zgjodhi Tiranën.
Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet më të larta për kontributin dhe rolin e rëndësishëm të kësaj organizate në drejtim të rritjes së nivelit të shëndetit në mbarë botën, duke nënvizuar bashkëpunimin e frytshëm, mbështetjen dhe përkrahjen e OBSH-së për përmirësimin e sistemit shëndetësor publik në Shqipëri.
Drejtorja e Përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, znj. Margaret Chan, falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe shtoi se midis Shqipërisë dhe OBSH-së ekziston një traditë bashkëpunimi e shkëlqyer.
Gjithashtu, zonja Chan përgëzoi Kryeministrin Berisha për zhvillimin impresionues të Shqipërisë, ecurinë e reformave të rëndësishme në vend dhe për vendosmërinë e qeverisë për ndërmarrjen e reformave për zhvillimin dhe integrimin e vendit.
Ajo shprehu kënaqësinë që në këto vitet e fundit, qeveria ka rritur buxhetin për shëndetësinë dhe, me gjithë krizën e rëndë ekonomike botërore, do të vazhdojë këtë rritje.
Drejtorja e Përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, znj. Margaret Chan, siguroi gjithashtu se agjencia që ajo drejton do të vazhdojë të japë kontributin e saj të rëndësishëm, nëpërmjet projekteve të ndryshme, për të arritur rezultate në parametrat e duhur, për rritjen e cilësisë së jetës dhe shëndetit të shtetasve shqiptarë.
Kryeministri Berisha e siguroi zonjën Chan se reforma në shëndetësi do të jetë prioritet për qeverinë shqiptare, e cila do të adaptojë modelet më të mira dhe më të reja të botës në këtë drejtim, në përmirësimin e legjislacionit të sektorit, për të rritur cilësinë e asistencës mjekësore, promovimin e politikave të shëndetësisë, trajnimin e personelit në menaxhim të strukturave spitalore, lufta për një sistem sa më transparent etj.
Shqipëria është ndër anëtaret e para të OBSH-së, që është themeluar në vitin 1947. Kjo
Agjenci e OKB-së e ka qendrën në Gjenevë dhe zyrat rajonale në secilin Kontinent. Shqipëria nënshkruan çdo dy vjet Marrëveshjen e Bashkëpunimit me OBSH-në, për asistencë teknike e financiare. Marrëveshja e dy viteve të fundit arrin në 1 milionë e 750 mijë euro.
25/03/2009